Flamuri dhe copat e flamurit të NATO-s
Flamuri është i zënë këtë javë me festimet për NATO-n. Ajo gruaja i ka kërkuar që gjithë festimet do të jenë nën komandën e saj. I ka kërkuar Flamurit ide origjinale dhe i ka dhënë urdhër ta sinjalizojë për cilindo që do të tentojë të festojë pa leje të saj.
Dita e parë u shty si u shty. Ajo i kërkoi të vishej me beze blu podiumi në parlament. Ku ta gjente Flamuri bezen në atë orë që ia kërkoi Jozefina??? U soll nëpër magazinat e PD, por, sa prekte diçka, ngrihej një re pluhuri, pasi kishin katër vjet pa u hapur. Por në atë rrëmujë, në sfond i zuri syri një top të madh bezeje blu. Thirri Gjon elektricistin dhe rojën e parkingut dhe e nxorën jashtë. ǒtë shihte. Nuk u besonte syve. Ishte fiks ai që duhej. Një flamur i madh nja 40 mijë metra katrorë që e kishin përdorur për të hapur fushatën më 2005-ën. U gëzua, se iu kujtua që atëherë bëri për herë të parë lekë nga ky flamur, se e faturoi vetë. E mori bezen në formë flamuri dhe e hapi në parkingun e PD. I dha urdhër rojeve të prisnin dy pjesët anash parullës “Koha për Ndryshim”. Kishte boll hapësirë bosh. Vetëm nga një rrip përfitoi 12 mijë metra katrorë.
- Me kaq beze bëj dhe tri fushata unë, tha.
E mori atë gruan në telefon dhe i raportoi.
- Tani flamurin e gjeta, - tha. - E kam gjetë fiks siç e don ti. Me zor e kam gjetë në këtë orë, e kam pagu sa frëngu pulën. Ishallah m’i jepni lekët, se vallai të gjesh 12 mijë metra për një orë s’është e lehtë.
- Hajt mor se s’prishena për lekë na, ka boll lekë Ridvan Bodja. Ide kush ka, pa lekë ka boll. E ide, mos të jem unë këtu, s’ka kush.
- Natyrisht, - tha Flamuri. - Ndaj dhe ta gjeta menjëherë. Tani ç’do bëj me këtë?
- I tash me m’i vesh krejt podiumet e Kuvendit me i ket copë dhe pjesën tjetër me e ba flamurë e me i var rrugave. A po nin, krejt rrugat duhet me m’i vesh me ta. Unë po du dhe një sfond me e pas me vedi, kur shkoj në katunde, ku të thuhet: “Ne e mbajtëm fjalën, Shqipëria në NATO”.
- U bë, - tha Flamuri. - Për dy orë këto të Kuvendit i ke gati. Këta flamujt dhe sfondet për dy ditë, se duhet me i pagu këta të shtypshkronjës. Duhet me e pagu dhe këtë copën.
- Hajt mor se s’prishena për lekë na, ka boll lekë Ridvan Bodja. Ide kush ka, pa lekë ka boll. E ide mos të jem unë këtu, s’ka kush.
Kështu Flamuri nisi punën. Porositi flamujt, porositi sfondin e Jozefinës dhe me tri projektorë ndriçoi dhe fasadën e zyrave të Kuvendit. Për muzikë pati pak problem, se DJ i PD nuk ishte dhe Flamuri kishte vetëm atë kasetën e mitingjeve që fillonte me këngën e Azemit dhe mbaronte me një këngë për Berishën. Me zor e sajoi dhe atë.
Dje po e shijonte gjithë punën e tij. Jozefina ishte e kënaqur.
- E kam bërë blu gjithë Tiranën, - i tha.
- Bravo të qoftë! I ke hallall, - i tha Jozefina.
- Po paret kush do t’i paguajë? - tha Flamuri.
- Hajt mor se s’prishena për lekë na, ka boll lekë Ridvan Bodja. Ide kush ka, pa lekë ka boll. E ide mos të jem unë këtu, s’ka kush.
- E di, e di, po ka shku 500 mijë euro, - tha Flamuri, - kam ble copën natën, kam bë flamujt…
- Hajt se po e zgjidhim, - tha Jozefina.
- Flamuri po kthehej i lumtur në PD. Te parkingu pa rojën dhe elektricistin që po merreshin me copën e mbetur të flamurit gjigant. Duke menduar të bënin një punë, po e ngrinin duke e kapur te skela e ngritur për rikonstruksionin e PD. Flamuri s’po u besonte syve. Rrotull PD ishte veshur me parullën gjigante “Koha për Ndryshim”.
- Çfarë bëni mor idiotë?! - u thotë atyre.
- Ja, po vëmë dhe këtë parullën që mbeti, - tha roja. - Thamë mos të shkojë dëm.
- Po nuk e lexon ç’thotë mor idiot, “Koha për Ndryshim”? Çfarë doni ju, të iki ai burri nga pushteti? E dini ku shkoni ju pastaj? As bukë të hani s’keni.
- Unë s’di me lexu, - tha roja, - po ky më tha që është parullë e doktorit ene unë e vura. Tani po e marr vesh që qenka e Edi Ramës këtë radhë si parullë.