Flamujt e NATO-s nuk janë letër ambalazhi për defektet e qeverisjes
Shqipëria bëhet këtë javë anëtare e NATO-s. Prej vitit 1949, kur është krijuar, Shqipëria ka një bilanc kontrovers për shkak të politikës me këtë aleancë. Për 20 vite ne ishim anëtarë të Traktatit të Varshavës, një aleancë armike me NATO-n, për 20 vjet të tjera ishim armiq me të dyja blloqet, si me NATO-n, dhe me Traktatin e Varshavës, ndërsa 20 vjetshin e fundit e kemi konsideruar NATO-n aleaten tonë dhe këtë javë nis historia e të qenit anëtar i saj.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka nisur me kërkesën zyrtare të Shqipërisë në vitin 1992, është pasuar me një proces të gjatë reformash, shpesh me zigzage në ushtrinë shqiptare dhe po përfundon në një kohë kur vendi ka konsoliduar disa standarde të demokracisë, siç janë zgjedhjet e lira dhe një ushtri e reformuar dhe depolitizuar.
Shpresat reale të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO u ringjallën fort në vitin 2003, kur Shqipëria nënshkroi bashkë me Kroacinë dhe Maqedoninë atë që quhet Karta e Adriatikut, një dokument nën kujdestarinë e politikës amerikane që nxiste anëtarësimin e njëkohshëm të tri vendeve në NATO në shkëmbim të reformave demokratike dhe konsolidimit të demokracisë.
Këtij vizioni i dha shpresa turi evropian i presidentit Bush në pranverë të vitit 2007 dhe vizita e tij në Shqipëri. Shqipëria mori ftesën për në NATO një vit më parë dhe gjatë këtij viti nën nxitjen e politikës amerikane, vendet anëtare të NATO-s ratifikuan protokollin e anëtarësimit. Këtë javë ne jemi de jure anëtarë të NATO-s dhe ky është një moment që ndan historinë e Shqipërisë në dy pjesë, në historinë para NATO-s dhe historinë pas saj.
Historia që nis pas anëtarësimit në NATO, nuk është një rrugë e mbushur me trëndafila për klasën politike shqiptare. Ajo imponon standarde më të larta demokracie dhe një vend më të sigurt.
Mënyra se si shumica në pushtet po përpiqet ta paraqesë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, përveçse është shumë sempliste, është dhe ofenduese për nivelin mesatar të popullsisë. Nëse shikon se si mbështillen me flamuj të NATO-s tavolinat e parlamentit apo fasada e zyrës së kryetares së Kuvendit, apo nëse shikon se kryeministri e lidh anëtarësimin në NATO dhe me çdo kanal kullues apo çezmë që përuron fshatrave të Shqipërisë, në një fushatë propagande mediokre, të krijohet një keqkuptim i madh për vlerat e këtij anëtarësimi dhe detyrimet që kemi ndaj kësaj aleance të madhe perëndimore.
Tendenca e qeverisë për ta keqpërdorur politikisht këtë ngjarje, është vetëm një fasadë propagande. Unë sot desha të kërkoj zyrtarisht një historik të marrëdhënieve tona me NATO-n, por s’e gjeta askund. Faqja e internetit e Ministrisë së Mbrojtjes ka një rubrikë për NATO-n, në të cilën nuk ka të shkruar asnjë fjalë. Po ashtu, faqja zyrtare e qeverisë shqiptare nuk ka asnjë rubrikë për NATO-n. Shoqata e Atlantikut Verior në Shqipëri, një organizatë joqeveritare që financohet për të ngritur nivelin e informimit rreth NATO-s, nuk ka as faqe interneti. Duket se gjithçka që bëhet e thuhet këtë javë është thjesht një fushatë histerie propagande që s’ka asgjë të përbashkët me vlerat reale të NATO-s dhe detyrimet e klasës politike ndaj saj.
Qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë botim serioz dhe asnjë fushatë informuese për NATO-n dhe vlerat reale të anëtarësimit. Nuk e bën dot këtë, pasi, po e bëri këtë, realisht do ta ketë të vështirë të bëjë propagandë banale me anëtarësimin në NATO. Opozita po ashtu po rreket vetëm t’i kërkojë qeverisë të mos e keqpërdorë anëtarësimin në NATO, por nuk ka nxitur një debat real rreth vlerave që ka anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Ne jemi sot de facto anëtarë të NATO-s, pse kemi përmbushur një axhendë tetëmbëdhjetëvjeçare për t’u integruar në këtë aleancë dhe jo një punë 18-mujore, siç po përpiqet ta shtrembërojë historinë propaganda banale që po ambalazhon me flamujt e NATO-s defektet dhe shtrembërimet e mëdha të demokracisë, së paku 18 muajt e fundit.