Nis mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Kosovën

Ka nisur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilin do të shqyrtohet raporti i radhës mbi Kosovën të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-Mun, që përfshin periudhën 19 tetor 2010 deri më 15 janar 2011.
Kosovën në këtë mbledhje do ta përfaqësojë ushtruesja e detyrës së ministres së Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, ndërsa raportin e sekretarit Ki-Mun do ta paraqesë përfaqësuesi i tij special në Kosovë, Lamberto Zanier.
Në raport sekretari i përgjithshëm shpreh keqardhjen për shpërbërjen e koalicionit qeverisës në tetor 2010, duke thënë se shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme e shtyu dialogun e paralajmëruar Kosovë-Serbi.
Ban Ki-Mun shpreson që zhvillimet në Prishtinë do të çojnë në përshpejtimin e dialogut për të cilin ai u bën thirrje palëve që të kenë një qasje konstruktive.
Ai zgjedhjet e dhjetorit i ka vlerësuar të qeta, ndonëse ka nënvizuar se organizatat që i mbikëqyrën kishin shfaqur shqetësimin mbi respektimin e standardeve demokratike.
Për më tepër numri një i KB-ve thekson edhe rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje të serbëve, ndërsa situatën e përgjithshëm në Kosovë e ka vlerësuar si të qetë.
Në raport përmendet edhe raporti në Këshillin e Evropës të senatorit zviceran Dik Marty, për të cilin thotë se ka zgjuar reagime të ndryshme dhe pakënaqësi të politikanëve në Kosovë dhe Shqipëri. Ki-Mun thotë se në Kosovë i kanë hedhur poshtë pohimet e Martit si një sulm kriminal kundër shqiptarëve, përplot sajime të të dhënave që nuk ekzistojnë të cilat nuk i ka provuar një hetim ndërkombëtar. Raporti megjithatë është mbështetur nga Serbia dhe një rrjet i atyre që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.
Kryesinë e radhës në Këshillin e Sigurimit për këtë muaj dhe në mbledhjen e sotme e ka Brazili, ndërkaq anëtarët e rinj rotativë me mandat dyvjeçar janë India, Afrika e Jugut, Gjermania, Kolumbia dhe Portugalia.