E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga zgjidhja politike, tek zgjidhja burokratike

Vite më parë, një publicist i njohur për sensin e fortë të humorit dhe të autoironisë, rrëfente një moment “kulmor” të historisë së tij personale. Pas gati 30 vjet martese, të kaluara në Shqipërinë ateiste të Enver Hoxhës, vendosi t’i japë një kënaqësi të paprovuar gruas së tij. I propozoi asaj të martohen së dyti dhe e çoi në kishë, ku të dy vunë kurorë përpara priftit. Në këtë mënyrë, në prani të fëmijëve dhe të nipërve të shumtë, çifti “legalizoi” dhe “purifikoi” një lidhje të vjetër të bërë sipas mënyrës pagane. Kuptohet, ndërsa prifti kryente ritet e martesës fetare, në vend të gëzimit, protagonistët ishin pushtuar nga malinkonia e kujtimeve të martesës së parë, kur çdo gjë kishte qenë në kohën e në vendin e vet.
Këtë histori, që autori e rrëfen për të zbavitur veten dhe miqtë, e pamë të përsëritet në një farë mënyre me rastin e të shumëpërfolurës Rezolutë çame. Veçse në rastin e Rezolutës për Çamërinë, ndryshe nga historia e sapocituar, përtej tragjizmit të shtirur të protagonistëve të saj, përtej hozanarave dhe fishekzjarrëve të hedhura pa kursim, publikut shqiptar iu servir një farsë e padenjë dhe cinike.

Për shumëkënd nga ne, që e kemi mbështetur fuqimisht domosdoshmërinë e angazhimit të politikës shqiptare ndaj një çështjeje të thekshme kombëtare siç është çështja çame, miratimi i një rezolute angazhuese nga Kuvendi i Shqipërisë do të ishte një gjest i mirëpritur. Në fakt, PDIU-ja e bëri çështjen e Rezolutës, një çështje “për jetë a vdekje”. Prej më se dy vjetësh, drejtuesit e saj kanë deklaruar e rideklaruar, se dështimi i Rezolutës do të thoshte dështim personal i atyre vetë. Pavarësisht patetizmit, që ndonjëherë paralajmëronte hipokrizi, shtrimi i problemit në terma kaq dramatikë ishte i përligjur. Për gati 25 vjet problemi çam ishte injoruar nga politika e madhe, ishte parë si një bezdi nga partitë e mëdha, qoftë kur ato vinin në pushtet, e qoftë edhe kur kalonin në opozitë. Gjithsesi, qëndrimi i PDIU-së nuk mungoi të shfaqë qysh në fillim mangësitë e saj. Rezoluta u hodh në tapet në prag të vitit zgjedhor 2013, duke komprometuar jo pak natyrën aspak elektorale të këtij dokumenti me rëndësi kombëtare e parimore. Për më tepër, u hodh si një sfidë që iu bëhej partive të përfaqësuara në parlament, për të provuar “virgjërinë” e tyre patriotike. Pra u përdor një qasje negative, ndarëse e diferencuese, ndërkohë që rasti i Rezolutës nuk duhej të përdorej për të treguar se kush ishte i miri dhe kush ishte i keqi, duke “armiqësuar” komunitetin çam dhe gjithë shqiptarët me këtë apo atë parti të caktuar. Nisur edhe nga përvojat e hidhura të së kaluarës, Rezoluta duhej të trajtohej si një moment bashkimi, dhe jo si një moment “sqarimi” e denoncimi ndaj ndokujt. Zhvillimet e mëvonshme treguan se drejtuesit e PDIU-së e kishin tashmë në xhep emrin e partisë që do të denonconin. Treguan, në fakt, që ishin plotësisht të rreshtuar me pushtetin e njeriut, i cili në 8 vjet të qeverisjes së tij të re nuk pranoi ta shqiptojë qoftë edhe një herë të vetme fjalën “Çamëri”, edhe kur është provokuar ta bëjë një gjë të tillë. Njeriut, që në gati 25 vjet të dominimit të skenës politike shqiptare, nuk tha për problemin çam, aq sa tha për të paraardhësi i tij i urryer, presidenti komunist Ramiz Alia, në ato 25 minuta debati të ashpër me kryeministrin grek Micotaqis, në janar 1991.

E pra, drejtuesit e PDIU-së i zbuluan ndjenjat e tyre ndaj kryeministrit Berisha, kur këtu e një vit më parë pranuan t’i japin një patericë qeverisë së tij të diskredituar nga korrupsioni, dështimet planetare dhe tradhtitë e mëdha kombëtare. PDIU-ja pranoi t’i bashkohej qeverisjes “Berisha” pikërisht në momentin më të vështirë të saj, pa e kushtëzuar këtë “harakiri” politik, të paktën me miratimin e Rezolutës për Çamërinë. E harruan prioritetin e prioriteteve, dhe u vunë në rreshtin berishian për të miratuar edhe pisllëqet e minutës së fundit të qeverisë “Berisha”, të cilat domosdo janë edhe më të pistat e këtyre 8 vjetëve. U treguan aq të zellshëm për të shpëtuar nderin e humbur të kësaj qeverie, saqë kur z. Kadilli u komunikoi pa dredhur qerpikun refuzimin e prerë të PD-së për të kaluar projekt-rezolutën e PDIU-së, i erdhën në ndihmë “babës”, duke i kujtuar se ata mund të kënaqeshin edhe me një operacion klandestin rivirgjërimi të Rezolutës së harruar të vitit 2004. Dhe për të kënaqur ndjenjat e holla që z. Berisha ushqen ndaj opozitës, i ofruan atij si kurban kokën e ish-kryetarit të Kuvendit, që na paskësh falsifikuar votimin e vitit 2004! Kush është naiv, le ta besojë. Për të tjerët, që patën rastin të lexojnë historinë zbavitëse të rrëfyer në fillim të këtij shkrimi, fabula është e qartë. Drejtuesit e PDIU-së e përdorën tinëzisht çështjen e Rezolutës çame, për të rritur kredencialet personale në prag të fushatës, dhe për të rikonfirmuar besnikërinë e tyre ndaj PD-së: jo më kot, znj. Topalli, ashtu e ashpër dhe e drunjtë në sjellje, por e sinqertë në kotësinë e saj, duke shmangur të shqiptojë emrin e PDIU-së, të cilën as nuk e njeh, deklaroi së fundi se “çamët kanë kenë, janë dhe do të jenë gjithnja me Partinë Demokratike”.
Në fakt, besnikërinë ndaj qeverisë e kanë treguar me kohë disa drejtues të PDIU-së, si atëherë kur kërkonin t’i bindnin bashkëpatriotët e tyre që të tregonin mirëkuptim e të mos bezdisnin qeverinë e “babës” për çështjen çame, pasi atë çështje do ta merrnin në dorë dhe do ta zgjidhnin ata vetë; kur duartrokisnin marrëveshjen e qeverisë PD me palën greke për faljen e hapësirës detare apo për ndërtimin e varrezave masive greke, apo për realizimin e censusit të projektuar në Athinë: akte, këto, me përmbajtje të qartë shoviniste e antishqiptare; kur premtonin se monumentet për të rënët e tyre dhe se vetë problemin e tokave të të parëve në Çamëri do ta zgjidhin ata vetë, “duke i bërë dhe duke i blerë ato me paret e tyre”; kur miratonin, pa një pa dy, çdo ligj e çdo shkelje ligjore, siç bënë për herë të fundit edhe me emërimin në KQZ të një veterani të zgjedhjeve të vjedhura. Një nënshtrim, një mirëkuptim e një mirësi e tillë ndaj qeverisjes së PD-së nuk do ishte pritur as nga një deputet i trembur, i varfër e në nevojë si Kastriot Islami, jo më nga dy deputetët e PDIU-së, trima e zengjinë si ata.

Ngjarjet e fundit, përfshirë edhe bisedimet për një koalicion parazgjedhor me PD-në, konfirmojnë dyshimet se asgjë të vërtetë nuk kishte tek sjelljet e mëparshme të z. Idrizi, kur vetëtinte e bubullinte mallkime e dorëheqje të parevokueshme, në rast se qeveria nuk do ta përqafonte e para çështjen e rezolutës çame. Vetë “riaktivizimi” butaforik i rezolutës së harruar të vitit 2004, një rezolutë e plakur dhe pa pasoja benefike, njëlloj si martesa “e vonuar” e shkrimtarit tonë humorplotë, u konceptua nga drejtuesit e PDIU-së si një antidot ndaj projekt-rezolutës për çështjen çame, paraqitur para dy javësh nga Edi Rama në emër të Partisë Socialiste. Në fund të fundit, ata e kanë treguar edhe më parë, se para se të jenë çamë, janë “demokratë”. Kështu ndodhi para më shumë se një viti, kur PDIU-ja dhe shoqata “Çamëria” nën ndikimin e saj, kaluan në heshtje një ndër zhvillimet më pozitive të ndodhura në Partinë Socialiste në këta vjetët e fundit: përfshirjen e problemit çam në programin politik të kësaj partie.

Në fakt, edhe sikur të konsiderohej ligjërisht korrekt regjistrimi në Fletoren Zyrtare i një rezolute të miratuar (të rrëzuar?) 10 vjet më parë nga një tjetër parlament, kur ishte një tjetër qeveri e një tjetër opozitë, një fund i tillë i rezolutës çame nuk mund të kishte veçse shijen e hidhur të një dështimi. Sepse një çështje madhore, e cila u paraqit patetikisht si e tillë nga vetë z. Idrizi, u trajtua me cinizëm po prej tij, jo më si një fakt politik, por si një fakt burokratik. Mjaftoi që burokrati ‘par excellence’ i parlamentit shqiptar, z. Fatos Beja (të më ndjejë për citimin e padëshiruar) të nxjerrë nga zgafellat e Kuvendit një fletë të dyshimtë e pa vlerë, që drejtuesit e PDIU-së të thërrasin “eureka” dhe t’i hakërrohen tradhtarëve socialistë, që ua paskëshin mohuar rezolutën çudibërëse. Paçka se, nëse ajo rezolutë e vitit 2004 ka kaluar vërtet, ka kaluar jo për meritë të “babës” Sali e të “amazonës” Jozefinë, të cilët nuk e votuan, por për meritë të deputetëve socialistë Sabit Brokaj, Skënder Gjinushi e të tjerë, që iu bashkuan grupit të miratuesve të saj.

Por ç’rëndësi ka kjo? Sot jemi në vitin 2013, shumë ujë ka rrjedhur, shumë gjëra kanë ndodhur, dhe një rezolutë për çështjen çame duhet të pasqyrojë pikërisht kushtet e ndryshuara. Në vitet 1998-1999, parlamenti shqiptar ka miratuar disa rezoluta për Kosovën, Grupi Ndërkombëtar i Krizave hartoi disa raporte mbi gjendjen aty, Grupi i Kontaktit i të mëdhenjve të botës u mblodh gjithashtu disa herë për atë problem dhe, në fund, vetë “parlamenti i botës”, që është OKB-ja, në atë hark kohor miratoi plot 7 rezoluta për Kosovën! Si është e mundur, që drejtuesit e PDIU-së të kënaqen, bashkë me miqtë e tyre të djathtë, me një “legalizim” të një rezolute të dyshimtë të vitit 2004 dhe të injorojnë një projekt-rezolutë të re, të paraqitur nga PS-ja dhe që e rrok problemin në indet e vërteta të tij? A është kjo, më në fund, një mënyrë për të shmangur një debat mbi Çamërinë në parlamentin shqiptar, një debat që mund të jetë vetëm politik, nga i cili çështja çame vetëm se do kishte fituar në drejtim të sensibilizimit e të promovimit të saj publik? A është kjo, siç e thamë, një mënyrë për të nxjerrë jashtë loje Partinë Socialiste dhe projekt-rezolutën e saj?

Duket se kështu është. Drejtuesit e PDIU-së treguan përfundimisht se nuk është aq çështja çame, sesa mirëqenia e tyre personale ajo që u intereson më së shumti. Ndryshe nuk mund të strukeshin në faqet e rrudhura të një rezolute të tejkaluar, ku zgjidhja e një çështjeje shumëdimensionale, siç është çështja çame, i besohet “frymës” së Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së mirë me Greqinë, ku problemi çam as që përmendet, dhe ku vetëm në mënyrë hiper-hipotetike dhe mosangazhuese, në paragrafin 15, flitet për një shqyrtim, të padefinuar në kohë, të mundësisë së kthimit reciprok të pronave, si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për ata grekë. Në fund të fundit, Traktati i Miqësisë me Greqinë, ashtu si çdo dokument tjetër i ngjashëm, nuk mund të shkojë përtej shprehjes së thjeshtë të vullnetit politik të palëve nënshkruese. “Fryma” e tij duhet të materializohet në marrëveshje e protokolle të tjera, konkrete dhe angazhuese, gjë për të cilën qeveritë shqiptare as nuk janë përfillur në këta 20 vjet që kanë kaluar nga koha e nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë me Greqinë. Shumëkush do të kishte menduar se PDIU-ja e kreu sakrificën e hyrjes në qeverinë “Berisha” në momentet më të këqija të saj, pikërisht për ta kthyer çështjen çame në një çështje të politikës zyrtare. Por jo. Krerët e saj, anëtarë të parlamentit dhe pjesëmarrës në qeveri, në vend të kritikave për qeverinë “Berisha”, në vend që të zbatonin premtimin e dhënë se do dilnin nga koalicioni në rast se nuk do miratohej projekt-rezoluta e tyre për Çamërinë, preferuan të dalin nga logu i burrave, ku thuhet se kanë hyrë me aq shumë mund e para, për t’u bashkuar me turmën e për të protestuar. Kundër kujt? Askush nuk e mori vesh.

Rikthimi pa nder e lavdi tek Rezoluta e vitit 2004, tregon se një gjë e tillë as që nuk ka qenë në planet e PDIU-së e të z. Idrizi. Përndryshe, nuk do të kishin injoruar një projekt-rezolutë të paraqitur nga PS-ja, ku çështja çame cilësohet qartë si një problem politik dhe ku obligohet qeveria shqiptare t’i raportojë rregullisht Kuvendit, dy herë në vit, mbi hapat dhe iniciativat e ndërmarra në këtë drejtim. Po të ishin të ndershëm me veten, me komunitetin çam e me gjithë popullin shqiptar, drejtuesit e PDIU-së nuk do të kishin ricikluar rezolutën e vitit 2004, e cila, në mënyrë cinike, e kërkon zgjidhjen e çështjes çame në kuadrin e abrogimit të Ligjit grek të Luftës, i cili as që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me problemin çam. Ç’është më e keqja, rezoluta absolutisht e paqartë dhe joprofesionale e vitit 2004, e kërkon zgjedhjen e një problemi të thekshëm kombëtar e me rezonancë në marrëdhëniet greko-shqiptare e rajonale, brenda një kuadri të thjeshtë “teknik e juridik”, siç mund të pretendohej për një marrëveshje rutinë mbi mbrojtjen e mjedisit apo mbi shfrytëzimin e përbashkët të ujërave.

E pra, publiku i gjerë dhe ai çam, në veçanti, kërkon të dijë të vërtetën e asaj që fatkeqësisht tashmë mund ta quajmë maskarada e rezolutës ‘made in PDIU’. Kemi aq kohë që bombardohemi deri në shastisje. E përse? Për të akredituar rezolutën-hiç të 2004? Nëse vërtet ky ka qenë qëllimi i kredos dhe i betejës politike të PDIU-së, atëherë është vërtet rasti i duhur për të bërtitur: u mbars mali, e polli një mi!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›