Ngacmimet në Facebook, përplasje me armë mes të rinjsh

Ngacmimet në Facebook për pak sa nuk kanë shkaktuar një ngjarje të rëndë në Tepelënë.
Sparti Goshi, 20 vjeç, nga qyteti i Tepelenës është arrestuar nga policia, pasi ka qëlluar me pistoletë në drejtim të disa bashkëmoshatarëve të tij.
Plumbat nuk kanë kapuar asnjërin prej të rinjve, ndërsa policia, falë ndërhyrjes së shpejtë shmangu një përleshje akoma edhe më të zjarrtë mes 20- vjeçarit dhe bashkëmoshatarëve të tij, shkruan panorama.
Ngjarja ka ndodhur në orët e mëngjesit të së premtes në lagjen “Selam Musai” në qytetin e Tepelenës, teksa Goshi, identifikoi personat me të cilët kishte debatuar në Facebook, për një çështje ende të pazbardhur mirë nga ana e policisë.
Një ditë më parë, i arrestuari, kishte replikuar me tre të rinj nga qyteti i tij, përmes rrjetit social, madje duke shkëmbyer deri në kërcënime për eleminim fizik.
Ky është rasti i dytë në qytetin e Tepelenës pas tetorit të vitit të kaluar, ku rrjeti social, është bërë shkak i sherreve deri në përplasje fizike duke përdorur armët. Një 18- vjeçare, në 23 tetor të vitit të kaluar, ra pre e plagosjes me thikë, nga një 14- vjeçarë për shkak të simpatisë që kishin me njëra-tjetrën për një djalë./Indeksonline/