Ngatërrimi i dy reformave për të mos bërë asnjërën
Preç Zogaj
Kryeministri Berisha inskenoi në mes të javës në Kuvendin e Shqipërisë një shpërthim të përllogaritur, por edhe shumë të lexueshëm tashmë, kundër disa propozimeve të kahershme të grupit parlamentar të PS-së për rikthimin në standartet e rregullores së mëparshme të Kuvendit, e cila siç dihet është ndryshuar në mënyrë të njëanshme nga shumica e sotme, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë gjatë dy dekadave të tranzicionit demokratik.
Grupi i PS-së ka kërkuar rivendosjen e votimit të fshehtë, anullimin e dispozitave kërcënuse për fjalën e lirë, garantimin e kushteve të barabarta të fjalës dhe replikës për çdo deputet, rivendosjen e gjashtëdhjetëminutëshit të diskutimeve jashtë rendit të ditës para hapjes se seancës dhe jo pas mbylljes së saj. Nëqoftese duam ta quajmë reformë këtë paketë ajo e ka emrin reformë parlamentare. Shumica mund ta marrë ose jo parasysh. Opozita nuk e ka vënë kusht për asgjë. Nuk e ka imponuar e nuk e imponon dot, por lufton në kuadër të parlamentarizmit për ta kaluar bashkë me palën kundërshtare. Jemi në rastin ideal të ballafaqimit të dy vizioneve të ndryshme për rolin dhe funksionimin e Kuvendit. Shumica ka treguar se e sheh Kuvendin si zgjatim të ekzekutivit. Opozita kërkon të zgjerojë hapësirat e opozitarizmit dhe ta shdërrojë institucionin më të lartë ligjvenës në tempull të fjalës së lirë. Një betejë e tillë do të bashkudhëtojë për shumë vite me parlamentarimin shqiptar në rrugën drejt europianizimit. Bashkë me xixat që lëshon. Kështu e ka reforma parlamentare.
Nuk i do Berisha propozimet e opozitës për këtë reformë! E mërzisin, e revoltojnë, e provokojnë? Bukuri! Lë të qëndrojë deri në fund në pozicionet e tij, në argumentet e tij. Reformën zgjedhore pse e përfshin më kët렠 shpërthim! Me reformën zgjedhore çfarë ka? Reforma zgjedhore është një gjë krej tjetër nga reforma parlamentare. Reforma zgjedhore është një imperativ që lidhet me zgjedhjet e ardhshme . Reformën zgjedhore e kërkojnë njëzëri SHBA, BE dhe OSBE. Reforma zgjedhore është një kusht për shbllokimin e integrimit. Reforma zggjedhore është një angazhim i përbashkët i opozitës dhe shumicës . Për këtë reformë është ngritur komisioni përkatës në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërsa reforma parlamentare është thjesht një nismë e opozitës, siç janë e mund të jenë shumë nisma të tjera të saj, ku opozita manifeston vizionin e saj për parlamentarzmin dhe demokracinë, pa impenjuar detyrimisht qeverinë. Pse i ngatërron, pse i fut në një thes, pse bën sikur nuk i dallon zoti Berisha këto dy reforma kaq të dallueshme e të ndryshme ? Ta zemë se qenka provokuar sinqerisht nga propozimet e opozitës për reformën parlamentare ! (Gjë që është pa sens gjithsesi, pasi opozita gjithnjë bën propozime dhe me këtë logjikë i bie që duhet të heqim opozitën që të mos provokojmë kryeministrin!) Pse duhet të vetprovokohet edhe për reformën zgjedhore, që nuk ka lidhje fare me parlamentaren! Kjo është fiks si në shprehjen e famshme për inat të sime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë, shprehje e cila konkuron dhe madje ua kalon atyre shvejkjane për të treguar sherrbudallallëkun në këtë botë.
Por ne nuk kemi luksin të qeshim me kryeministrin tonë të inatosur. Historia e ngatërrimit të qëllimshëm të dy reformave nuk është hiq për të qeshur. Kryeministri i ngatërron të dyja për të mos bërë asnjërën. Kryesorja, për të mos bërë reformën zgjedhore. Ai mendon se duke i fryrë zemërimit pa kuptim do të mund ti flakë mënjanë dhe të çlirohet nga të dyja. Nuk ka asnjë shpresë se do të mashtrojë ndonjë ndërkombëtar sikur fajin e ka opozita, pasi kjo lojë është fare e lexueshme. Ai nuk i llogarit më ndërkombëtarët. Gjithë çfarë i intereson është të mos zbulohet e demaskohet para mbështetësve të vet dhe mundësisht ti armatosë ata me justitifike politike tani që po vjen ora e përballjes me premtimet e veta të genjështra.
E kujtojnë gjithë shqiptarët premtimin e tij solemn çdo gjë, çdo gjë, çdo gjë. Në çdo tribunë, në çdo studio, për shumë muaj e javë, i njëjti premtim me pash për opozitën dhe për ndërkombëtarët : Çdo gjë, çdo gjë, përfshirë ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Poshkon muaji shkurt dhe nuk ka ende asnjë tullë me peshë në reformën e re zgjedhore. Muhabete, diskutime, tirre këndej, përdridhe andej, bëj si i nxehur, bëj si i provokuar, ndërkohë që koha shkon dhe reforma zgjedhore rrezikon të futet sërish në cajt not ( mungesë kohe), duke rrezikuar jo vetëm marrjen e ftesës nga BE, por edhe vetë zgjedhjet. Kështu bën Berisha sa herë i duhet të kalojë një situatë të vështirë. Tregohet i hapur e konstruktiv në rrethimin e pasojave të sjelljes së tij. Premton pa doganë, kur ajo që premtohet është në horizont, por u ikën premtimeve kur vjen ora për ti mbajtur. Sipas Emanuel Kantit, kjo është një sjellje që fut grindjen dhe luftën. Përvoja shqiptare e këtyre njëzet vjetëve njeh ngjarje dhe momente tragjike që kanë në origjinë pikërisht shkeljen e pakteve, arbirtraritetin, pabesinë dhe dyfytyrësinë politike. Por nuk do ti jepet nga kjo opozitë zotit kryeministër një luftë si ajo që mendonte në fanitjet e tij politike të 21 janarit me çadra pistoletë e thika me helm. Ekziston lufta me mjete politike, më e mira dhe më e sigurta për të garantuar zgjedhje të standarteve europiane.