Ngërçi interesaxhí nuk mund të shndërrohet në krizë institucionale
Si Enver Hoxha, që e dyllosi Shqipërinë!
Së pari është e domosdoshme ta fillojmë këtë shkrim me përcaktim termash. Pra, kriza institucionale nuk mund të ngatërrohet me krizën ekonomike. Propagandistët e Ed Ramës e kanë për qejf të vënë shenjën e barazimit në këto dy koncepte. Krizën ekonomike që ka pushtuar një pjesë të rruzullit, kërkojnë ta transplantojnë në vendin tonë. është çështje e nihilizmit të tyre, që i bën të verbër. Por, pavarësisht se ata mbajnë syze opake, nga ana tjetër specialistët ndërkombëtarë të ekonomisë dhe, sidomos. Banka Botërore dhe FMN-ja e cilësojnë vendin tonë si të përparuar, në pikëpamje të mosprekjes nga kjo krizë. Natyrisht që ndikimet e krizës lëshojnë hijen e tyre edhe në Shqipëri. Por kjo është tjetër gjë.
Sa për „krizën“ e shpikur nga E.Rama, për të fshehur dështimin e tij të personalizuar zgjedhor, kjo është inekzistente. është quajtur krizë institucionale, por krizën e kemi vënë nën thonjëza , si e paqenësishme që është.
Prandaj faktori ndërkombëtar atë që propagandistët e rrenave e kanë quajtur krizë, e ka quajtur “ngërç”. Ua ka prishur gjakun nihilistëve tanë. Se fjala e saktë ngërç po fillon të përhapet gjerësisht në mediet tona, që përfshijnë edhe shtypin e përditshëm.
Kështu duhet të jemi të qartë në dallimin ndërmjet ngërçit dhe krizës institucionale, dyfjalësh ky që e kanë për zemër propagandistët tanë të së keqes.
Ngërçi vjen nga fjala “impasse”, që shkruhet njësoj në anglisht dhe në frëngjisht. Në fjalorët skolastikë të anglishtes, ka kuptimin e rrugës pa krye. V. Kokona (fr.): qorrsokak. Fjalori shpjegues i shqipes ka dhënë edhe kuptimin mjekësor: Tkurrje e menjëhershme e muskujve, që shkakton dhembje të mëdha.
Gjendja artificiale e ngërçit që ka shkaktuar E.Rama dhe ata ndaj të cilëve ai është kapur, synon që të nxjerrë përfitime nga humbja zgjedhore dhe, mundësisht, ai vetë të shndërrohet nga humbës në fitimtar! Majtizmi europianist i LSI-së e quan ER-në humbës. LMN-ja (Lëvizja për Mendimin Ndryshe) e quan humbës. 40.000 komisionerët e shndërruar në persona juridikë me firmë të E. Ramës, e quajnë humbës. Mitingjet e rrudhosura dhe të stimuluara me mjete korruptive (me pare në dorë, ditën për diell), - janë dëshmi e kaosit të nxitur për mbijetesë. Spastrimet e socialistëve në Durrës, Korçë Shkodër e gjetiu, ku Ed Rama ka vënë njerëzit e tij, duke përjashtuar kontestuesit, - janë një pasqyrim se ai e ka humbur pusullen edhe në të majtën shqiptare. Kësisoj ajo shprehja e “popullit opozitar” (ku hyjnë edhe thërmijëzat zgjedhore të tipit Ngjela, Ndoka ...), po shihet me buzëqëshje ironike nga të gjithë njerëzit e këtij vendi, që dinë të gjykojnë në mënyrë të pavarur.
Megjithatë (mbahu Muço me gajret), Dade jep një panoramë kozmike - sikur ka ardhur këtu nga një planet tjetër, - dhe Tak Ngjela flet pa reshtur se do ta marrë pushtetin brenda tri ditëve!
* * *
Tani, në tryezën e presidentit, po profilizohet një gjendje dëshpëruese në synimet majtiste: ç’na jepet që të shmangim bojkotin? ç’përfitojmë që të hyjmë në parlament? Na jepni prokurorinë?...Ja përse u poll qorrsokaku! Këto “ç’më jep etj.“ mund të jenë të karakterit të thashethemeve, por “ku â fjalë nuk â pa gja” - thoshte për këto “kompromise” një shkodran. Në të vërtetë janë jo tamam kompromise, por pazare të karakterit ordiner.
Një ngjarje ka lidhje me këto farë pazaresh. Në vitin 1991 një ngjarje e mafjes siciliane u bë e bujshme. Mafiozët grabitën fëmijën e një tregtari dhe i kërkuan babës fatkeq një shumë tepër të madhe, përndryshe veshin e djalit do t’ia dërgonin me zarf të atit. Ky do të ishte kapari. Po të mos paguheshin, djali do të vritej. Por kishin rënë në dërrasë të kalbët. Tregtari, po t’i shiste të gjitha, nuk do të mblidhte dot as gjysmën e shumës së kërkuar. Merret me mend dëshpërimi i familjarëve, që pësuan tronditje për çmendinë. Kur vërtet i erdhi veshi i prerë i djalit, tregtari u bë për të vrarë veten. Më së fundi ndjeshmëria e opinionit publik arriti përmasa të papërballueshme dhe dikujt i vajti mendja që të bënte një listë bamirësie, gjersa u përmbush shuma. Djali veshprerë u lirua (gjysma e së keqes), por tregtari i shkretë u shndërrua në fukara, se ra në faliment tërësor.
Këtë mund ta bëjnë ordinerët, por jo politikanët. Krijoj një gjendje të jashtëzakonshme dhe pastaj: - ç’më jep që ta zhbllokoj gjendjen? Pra, ajo fjala qorrsokak, që e nxorëm nga përkufizimi që i kanë dhënë ndërkombëtarët asaj që quhet “krizë” në mënyrë cinike ose, me një fjalë më të shkurtër, njërrokëshe, ngërç, nuk është veçse një sajesë artificiale, që një humbës, të shndërrohet në triumfator! Një mënyrë më e thjeshtë e më e natyrshme do të ishte ajo që E.Rama të jepte dorëheqjen e parevokueshme, ashtu siç kishte bërë paraardhësi i tij, nëse do të kishte, së paku, më shumë dashuri për interesat e atdheut sesa për ambiciet e tij vetjake. Opozita do të ishte e qetë, mendimi ndryshe brenda saj do të realizohej paqësisht, bashkëpunimi në parlament do të ishte i frytshëm, mirëkuptimi ndërkombëtar do të ishte më i thellë, perspektivat për liberalizimin e vizave dhe për aderimin në BE do të ishin më të qenësishme.
Dihet se çdo krahasim çalon në njëfarë mase. Por, siç më duket, krahasimi me atë ngjarjen e dhimbshme të një individi në Siçili nuk çalon shumë. Edhe vendi ynë ka pasur ngjarje të dhimbshme nga një gjendje e cila, në mënyrë të natyrshme, nuk kishte përse të ndodhte.
Duhej vetëm një bonsens altruist: Të duash më tepër interesat e vendit, sesa ato partiake! Siç ka dhënë prova LSI-ja. Siç po kërkojnë edhe anëtarët e LMN-së. Siç po kërkon edhe një mori socialistësh të ndershëm. Pra, e majta me frymëzim europianist, gjithmonë duke u rritur, nuk është dakord me E.Ramën.
Dhe kjo është drama e Edvinit dhe e ithtarëve të tij, si ai personi numër dy pranë tij, që u ka thënë ndërkombëtarëve publikisht, që të shohin punën e tyre! Si Enver Hoxha, që e dyllosi Shqipërinë!