E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi mbarëkombëtar i Brukselit në përvjetorin e dytë të pavarësisë së Kosovës

Nga Eden Babani, Bruksel
Foto: Patrick Heeren

Mërgata shqiptare e Belgjikës festoi me madhështi përvjetorin e dytë të pavarësisë së Kosovës. Në prag të 17 Shkurtit, që tashmë ka hyrë në histori si Dita e Dytë e Pavarësisë, kronologjikisht dhe faktikisht pas asaj të 28 Nëntorit 1912, u zhvilluan një sërë veprimtarish kulturore në qytetet kryesore të Belgjikës, ku jetojnë shqiptarë të emigracionit të hershëm ose të ri. Ato nisën në fund të janarit me Mbrëmjen Letrare shqip-frëngjisht në Huj, organizuar nga Shoqata Dora-dorës në bashkëpunim me Bibliotekën e qytetit. Vazhduan më tej me leksionin e zotit Fahri Balliu në Universitetin e Lirë Internacional të Brukselit, me rastin e promovimit të dy librave të tij në gjuhën frënge, për çka lexuesi i gazetës “55” tashmë është njohur, dhe u ndoqën nga veprimtari të tjera, në qytete të tjera. Në këtë kuadër, bashkësia shqiptare e Namyrit, do të jetë e pranishme më 22 shkurt në një veprimtari kinematografike të organizuar nga Carrefour des Culultures (Udhëkryqi i Kulturave dhe AFICO), me një film shqiptar të jetësuar nga regjisori Artan Minarolli, me aktorë: Nik Xhelilaj, Bruno Shllaku, Besart Kallaku, Nijada Salihasi, Xhevdet Ferri etj.
Pritja e Ambasadës se Republikës së Kosovës në mjediset e Hotel Hilton, një ndër më të mëdhenjtë dhe më në zë të kryeqytetit belg, ishte kurorëzimi zyrtar i veprimtarive. Në pritje, përpos përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Mbretërinë e Belgjikës, në BE, dhe në NATO, ishin të pranishëm edhe shumë të ftuar të tjerë, aktorë të njohur të politikës belge nga të tre njësitë federative të Mbretërisë, personalitet të artit, të shkencës e të kulturës ose miq të lobit shqiptar me kombësi të ndryshme, ndër të cilët po përmend lobistin e njohur suedez, Björn Hultin. Si në të gjitha festat tona, nuk mungoi as këtë herë senatorja Anne-Marie Lizin, mike e madhe dhe e përkushtuar e shqiptarëve kudo që jetojnë, e cila e shoqëroi pritjen si njeriu i shtëpisë, nga fillimi, deri në fund. Morën pjesë, gjithashtu, edhe bashkatdhetarë nga të gjitha trojet tona etnike: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, çamëria, Presheva etj.
Ambasadori i Republikës së Kosovë, zoti Ilir Dugolli, përshëndeti të pranishmit me një fjalë tê shkurtër.
***
është emocionuese të gjendesh mes bashkatdhetarësh në tubime të tilla të gjera, si pritja e dhënë më 17 shkurt. Aspak e drejtë, madje e dhimbshme që ne, shqiptarët, t’i kemi gëzimet tona të mëdha të copëzuara: një në fillim të vitit, si kjo e pardjeshmja, dhe një tjetër, si ajo e 28 Nëntorit. Ama - siç u shpreh një bashkatdhetare nga Presheva - do të ishte e bukur të shënonim në kalendarin tonë historik të së ardhmes edhe të tjera data si 17 Shkurti ose si 28 Nëntori. Shqipëria dhe Kosova europiane le të jenë pikënisja e së ardhmes së madhe shqiptare, që shekulli i ri po na e ofron me zemërgjerësi. Nuk është rasti këtu të zë ngoje zërin e sorrave antishqiptare, brenda dhe jashtë trojeve tona etnike, të cilat krakitin dhe ndjellin vetëm zi. Le t’i lëmë ato mbi kufomat e kalbëzuara të së shkuarës. Fundi i tyre është i pashmangshëm. Nga viti, në vit, koha po na e afron Ditën e Madhe.
Si të mos emocionohemi dhe të mos krenohemi ne, bijtë e këtij brezi, që patëm fatin të na trokasë Liria Kombëtare në derë, çka të parët tanë e ëndërruan, e projektuan, por nuk e përjetuan.
Si të mos emocionohet njeriu kur takon dy djem simpatikë, t’u këputësh kokën, përfaqësues të kulturës shqiptare, të pranishëm në mjediset më të njohura kulturore të Europës? Safet Merovcin dhe Ajet Ahmetin, i pruri rasti që ta festojnë përvjetorin e dytë të Pavarësisë në Bruksel. Në kuadër të programit Tempus, integruar në Kartën e Bolonjës, dy profesorët e rinj të Universitetit të Prishtinës dhe një grup studentësh janë të ftuar nga Universiteti i Lirë i Brukselit (flamanofon), për shkëmbim përvoje. A nuk do të ishte kujtim i papërsëritshëm një foto mes syresh?
çastet e kufizuara për dy orët e pritjes ngjan se ikin me shpejtësi. Emocionet vijnë e shtohen. Aty më tej, ndeshem me Myrteza Bajraktarin, shqiptarin nga Gostivari, të cilin e burgosi së pari Titoja që në moshë nëntëmbëdhjetëvjeçare për veprimtari atdhetare, pastaj, pasi doli nga burgu dhe u arratis në Shqipëri që t’i shpëtonte represionit komunist-nacionalist serbo-kroat, përfundoi në burgjet e diktatorit Enver Hoxha. Myrtezai është në shoqëri të së shoqes, Kimetes, me prejardhje nga Peja, të Fatimes me prejardhje nga Presheva, të Ramizit e të Durakut, mërgimtarë të viteve ’50 me prejardhje nga Kukësi, të Lek Pervizit nga Kurbini, ish i burgosur politik i regjimit komunist, të Gjovalinit dhe të Jetonit, mërgimtarë të dhjetëvjeçarit të fundit, njëri me prejardhje nga Shqipëria, tjetri nga Kosova. Me ta, janë edhe dy a tri bashkatdhetarë të tjerë që nuk ua mësova emrin. Ani. A janë shqiptarë? A na lidh i njëjti fat: emigracioni? A na bashkon i njëjti gëzim: përvjetori i Pavarësisë së Kosovës? A na bashkojnë të njëjtat dëshira: e ardhmja europiane e shqiptarëve? Si ta humbas këtë rast të papërsëritshëm pa e fiksuar në foto? Sonte më mungon Asllan Krasniqi, miku im i mirë dhe bashkëpunëtori im i përhershëm, i cili ndodhet në Kosovë për të kryer funeralin e babait të tij të dashur, që ndërroi jetë tri-katër ditë më parë. është Patriku, mos u shqetëso! - më thotë Alisa, mësuesja e përkushtuar dhe e palodhur e muzikës në shkollën shqipe të mësimit plotësues në Bruksel, sapo më sheh të fotografoj me aparatin tim joprofesional. Një flesh, një shtrak! dhe çasti i paharruar u regjistrua në aparatin e Patrick Heeren, dhëndrit shqiptar me prejardhje belge. Tepër domethënëse: dhëndri ynë nga Brukseli e kreu me përkushtim atë çka do ta bënte gjilanasi Asllan. Njësoj. Patriku është shqiptarizuar deri në atë masë sa na e di ku na pikon çatia. Jo se është - si thonë – “nga fshati i gruas”, por sepse është befasuar dhe dashuruar me ritet tona, me e zakonet e me shijet tona, të cilat i ka përvetësuar si me qenë shqiptar.
***
Me mbresa të pashlyera për Përvjetorin e Dytë të Pavarësisë së Kosovës, me falënderimin për ndihmën e pakursyer të bashkësisë ndërkombëtare për të ardhmen e shtetit më të ri të Ballkanit, të pranishmit në takim u larguan duke uruar njëri-tjetrin për takime në evenimente të tjera historike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›