E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ngërçi në KQZ”, Selami: Zgjidhja vjen nga Kolegji

Ish-kryetari i PD-së, Eduart Selami, takoi dje Drejtorin e Zyrës për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore, Jonathan Moore, me të cilin diskutoi situatën politike në vend. Z.Selami konfirmoi për "Gazeta Shqiptare" se mes tyre është folur edhe për çështjen e KQZ-së dhe situatën e krijuar pas bojkotit të opozitës. Nga ana e tij, z.Selami nuk e quan fatale tërheqjen e PS-së nga KQZ-ja, duke kërkuar që ata të zëvendësohen. Dhe, nëse situata tensionohet edhe më tepër, Eduart Selami sugjeron Kolegjin Zgjedhor si institucionin e pavarur që mund të garantojë përfundimisht zgjidhjen e çështjes së KQZ-së. Ish-kreu i PD-së, denoncon opozitën për politikat e saj bllokuese, ndërsa lë të kuptohet se kjo është një taktikë e saja për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve më 23 qershor, duke paragjykuar procesin ende pa nisur akoma.

Z.Selami, ju jeni takuar sot (dje) me Drejtorin e Zyrës për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore, në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore; por, çfarë biseduat me të?
Po, është e vërtetë që jam takuar me z.Moore. Takimi u bë me kërkesë të tij. Folëm në përgjithësi për situatën aktuale në vend, për rolin paqësor të Shqipërisë në rajon dhe botë. E falënderova për ndihmën dhe mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë në konsolidimin e demokracisë dhe proceset e saj integruese.
Besoj që nuk e keni shmangur bisedën për situatën politike në KQZ. Cili ishte qëndrimi i zyrtarit të lartë të DASH lidhur me këtë?
Ne folëm në përgjithësi për situatën e krijuar, pa u futur në detaje. Folëm për procesin në fjalë. Unë nga ana ime e sigurova se Partia Demokratike është e angazhuar për të gjetur zgjidhjen në bazë të ligjit, asaj çfarë parashikon ligji, duke respektuar raportet e palëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. E garantova që zgjidhja do të jetë në shërbim të Ligjit dhe Kushtetutës, dhe se PD-ja është për një proces të drejtë, pasi demokracia në vetvete është një proces…
Po qëndrimi i z.Moore, cili ishte?
Z.Moore mbështet një bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës për zgjidhjen e çështjes, pra për një zgjidhje konsensuale, ku palët të respektojnë atë çfarë parashikon ligji.
Ju personalisht, si e shikoni gjendjen e krijuar në KQZ?
Personalisht mendoj se dorëheqja e Partisë Socialiste nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është fatale. Pas dorëheqjes, le të bëhen zëvendësimet dhe puna të vazhdojë siç e parashikon ligji. Pra të respektohet raporti 4 për mazhorancën dhe 3 për opozitën. Është me rëndësi ruajtja e balancës brenda në KQZ. Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas kësaj procedure, të përcaktuar në nenin 14 të kodit zgjedhor, ku 2 anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare, dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë. Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Pra është e thënë shumë qartë se si është procedura e zgjedhjes.
Por në këtë rast kemi ndërprerje para kohe të mandatit të anëtarit të KQZ-së...
Po, dhe pikërisht neni 18 parashikon ndërprerjen e mandatit të anëtarit të KQZ-së. Ky nen parashikon që shkarkimi i anëtarit të KQZ-së bëhet me vendim të Kuvendit, pas propozimit të KQZ-së. Këtë gjë bëri pikërisht parlamenti. Vendimi për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së. Nuk u bë në rrugë, por u bë në parlament, sepse ky është institucioni legjitim që vendos për ndërprerjen e mandatit dhe zëvendësimin e anëtarit të ri të KQZ-së.
Megjithatë, do ta acaronte më tepër situatën një raport 5 me 2 në KQZ?
Një raport i tillë vërtet që do të ishte tepër shqetësues dhe nuk duhet të shkohet drejt kësaj, por drejt balancimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duhet thënë një gjë, që kodi zgjedhor me dy nenet e tij, nenin 14 dhe nenin 18, nuk reflektojnë njëri-tjetrin. Neni 14 parashikon përbërjen politike, ku partitë të kenë përfaqësuesin e tyre në raportin 4 me 3, pra ruajtjen e balancës, por neni 18 i kodit nuk parashikon këtë ruajtje dhe duhet rregulluar një gjë e tillë. Vendet e tjera e kanë ndryshuar. Por ne kemi Kolegjin Zgjedhor që mund të japë një zgjidhje përfundimtare kur palët politike nuk arrijnë në një zgjidhje konkrete. PD-ja dhe qeveria e saj e ka përgjegjësinë të gjejë zgji-dhjen në bazë të ligjit dhe pikërisht këtë gjë po tenton të bëjë mazhoranca, por që opozita tregohet jobashkëpunuese, duke refuzuar atë çfarë ofron ligji.
Dhe nëse nuk ndodh kështu?
Nëse nuk ndodh kështu, atëherë çështja le të shkojë në Kolegjin Zgjedhor, si një institucion i pavarur ku zgjedhjet bëhen me short. Por personalisht mendoj se opozita duhet të heqë dorë nga bllokimet dhe deklaratat e kahershme se po manipulohen zgjedhjet, ndërkohë që është vetë ajo që vetëm bllokon dhe nuk është bashkëpunuese. Me çfarë të drejte paragjykon një proces, kur zgjedhjet ende nuk kanë ardhur? Dhe nga ana tjetër, nuk është bashkëpunuese, por përkundrazi, bëhet bllokuese e procesit. Kjo nuk është aspak normale, ndaj mendoj se duhet të ndryshojë koncepti i opozitës. Ajo vetëm bojkoton, të njëjtën gjë para 3 vitesh, të njëjtën gjë para dy vitesh, të njëjtën gjë bën edhe me bojkotin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo nuk është aspak normale për opozitën shqiptare.
Besoni se kjo është një shenjë për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit nga ana e opozitës?
Reagimi i opozitës është ekstrem. Dhe pa qenë rasti i KQZ-së, e kam dëgjuar dhe më parë kreun e PS-së, z.Rama, që vetëm bojkoton, në vend që të jetë bashkëpunues. 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›