E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ngërçi politik në Kosovë, Osmani do të ftojë në takim liderët e partive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të thërrasë në një takim gjatë ditëve në vijim liderët e partive politike, lidhur me ngërçin politik në vend. Lajmin e ka bërë me dije këshilltari për Mediat i Presidencës së Kosovës, Bekim Kupina.

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i thërrasë liderët e partive politike në takime gjatë ditëve në vijim”, ka konfirmuar ai.

Më tej Kupina ka bërë të ditur se presidentja Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend të zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata.

“Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, ka thënë ai.

Gjykata Kushtetuese, me një vendim të katër ditëve më parë, i kërkoi deputetëve që të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit brenda 30 ditëve, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij. Megjithatë, ende partitë politike nuk kanë arritur një konsensus.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›