E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjall interes shkrimi i Majkos, "Shqipëria dhe Greqia, quo vadis?”

TIRANE - Vazhdon të ngjallë interes në median greke shkrimi i ish kryeministrit Pandeli Majko, "Shqipëria dhe Greqia, quo vadis?” 

Çdo orë e më shumë, shkrimi postohet në faqe të ndryshme internet, që nga e shtuna kur ai ishte botuar si editorial në gazetën greke Metarithmisi.
Site informative dhe blogera të shumtë e kanë botuar shkrimin të plotë, për më tepër që ai ishte shkruar ekskluzivisht për shtypin grek. 

“Festimi i 100-vjetorit të themelimit të shtetit të pavarur të Shqipërisë i gjen marrëdhëniet politike të Greqisë me vendin fqinj, në gjendje statike dhe guxoj të theksoj në gjendje amullie. Ato karakterizohen nga mungesa e lëvizjes dhe e energjisë pozitive. Kontaktet politike midis dy vendeve janë të kufizuara…” 

Këto janë fjalitë hapëse të shkrimit të diplomatit grek, ish ambasador në Shqipëri, Aleksandros Mallias, me të cilin Majko replikon në shkrimin e tij. 

Pandeli Majko në shkrimin e vet iu bën një analizë marrëdhënieve shqiptaro-greke duke theksuar se faktori shqiptar është bërë tashmë nga më të rëndësishmit në rajon. 

Majko pohon se marrëdhëniet janë në një “pikë të vdekur”, dhe për të argumentuar këtë ai rendit rendit problemet qe ekzistojnë, duke nisur me marrëveshjen e kufirit detar midis dy vendeve tona apo mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga Greqia. Sipas Majkos, vonesa e vendimmarrjes greke për njohjen e shtetit të Kosovës, ka bërë që edhe vetë politika e Serbisë të jetë më prezente dhe evolutive në marrëdhëniet me shqiptarët. Në vazhdim ai përmend faktorë të rinj si Kroacia, e cila po plotëson vakumin e krijuar pas shembjes së Jugosllavisë në rajon apo faktin që Turqia po “zbarkon” në rajon edhe si një faktor ekonomik. 

“Mendoj se koha ka ndryshuar më shumë se sa vetë politikanët shqiptarë dhe grekë në rajon. Pyetja që shtrohet në këtë kontekst është: A është Shkupi sot dhe për një mijë vjet një “problem serioz” për të ardhmen e Greqisë apo një “aperitiv” të cilin, ne, politikanët e Ballkanit dimë ta shijojmë në heshtje sipas parimit “urrejtja krijon më shumë identitet se sa dashuria”…? Përgjigjja ime është “diplomatike”: NUK E DI”, thotë Majko! 

Është hera e parë që Pandeli Majko boton diçka ekskluzive për shtypin grek, por sic shprehet ai, “ka arsye të rëndësishme për ta bërë këtë nisur edhe nga fjalitë e forta të ambasadorit Mallia”. “Aktualisht, marrëdhëniet shqiptaro-greke janë në një “pikë të vdekur”, ku statuskuoja e distancës nga njëri-tjetri vetëm sa do ta përkeqësonte atë në vazhdim”, shprehet Majko.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Artikulli i plotë i publikuar në gazetën “Metarithmisi”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›