Syakulli, vlonjati që grabiti vilat italiane

Altin Hoxha
VLORE – Autori i një sërë grabitjeve të vilave luksoze në Itali, Ali Islamaj, nga fshati Drashovicë e Vlorës, u arrestua pas ndërhyrjes së Policisë lokale dhe Skuadrës së Lëvizshme të Policisë së Romës. 29-vjeçari, për efekt të precedentëve kriminalë, kishte ndërruar emrin në Altin Hoxha. Ai u arrestua mëngjesin e 29 marsit, pas operacionit të koduar I shumëkërkuari. Prej tri javësh, policia italiane kishte vënë në dijeni blutë e Vlorës se Altin Hoxha dyshohej se ishte futur nëpërmjet portit me emrin e rremë. Policia u vu në lëvizje dhe realizoi të dhëna se i arratisuri nga Burgu i Romës po strehohej nëpër objekte të braktisura në Pyllin e Sodës. Në operacionin për arrestimin e tij merrnin pjesë rreth 50 forca policie, mes tyre 10 italianë. Ai u ndalua në fshatin e tij, Drashovicë, teksa lëvizte me një mjet Lancia, me traga italiane. Aksioni nisi në zonën e Pyllit të Sodës, por kontrolli rezultoi pa sukses. Më pas policia u nis drejt fshatit të tij, ku e arrestoi pa shkaktuar asnjë incident. Fillimisht i kërkuari tentoi të largohej, por ndërhyrja e shpejtë e policisë neutralizoi situatën. Në momentin e prangosjes, Altin Hoxha mësohet se është habitur kur ka parë se në operacion ishin edhe pjesëtarë të Skuadrës Speciale që e kishte arrestuar atë në Itali. Paskeni ardhur deri këtu? Unë ju njoh ju. Kështu mësohet se u është drejtuar 29-vjeçari që arriti të arratisej bashkë me shokun rumun të qelisë më 14 janar 2012. Ai ishte cilësuar nga autoritetet italiane si grabitësi syakull, për shkak të ngjyrës së tij të syve. Mes vilave të grabitura ishte edhe ajo e trajnerit të Palermos, Serse Cosmi (tashmë trajner i skuadrës së Leçes). Veç grabitjeve, 29-vjeçari vlonjat dyshohet edhe për vrasje, përdhunime, por edhe tortura të viktimave të tij.