E Diel, 1 Nëntor 2026

Moratoriumi, Berisha: Opozita ta harrojë rikthimin e skafeve

TIRANE -  Në mbledhjen e Grupit Kuvendor të PD-së, kryeministri Berisha e cilësoi të papranueshme nismën që opozita ka dorëzuar në Kuvend, për shfuqizimin e moratoriumit të skafeve. Shefi i qeverisë theksoi vendosmërinë e mazhorancës për të mos e shfuqizuar këtë ligj, që sipas tij, ka ndikuar pozitivisht në reduktimin e trafiqeve kriminale përtej Adriatikut.

Sipas kryeministrit, argumentet se ky ligj dëmton rëndë turizmin, nuk qëndrojnë. "Që prej miratimit të këtij ligji turizmi në vend është rritur me 12 herë".

“Duke shprehur respektin më të madh për nismën e deputetëve të PS-së më duuhet të theksoj se kjo nismë është absolutisht e papranueshme, për arsye se vënia në lëvizje e industrisë së skafeve do të ishte një rikthim i trafiqeve kriminale drejt bregut tjetër të Adriatikut. Do të ishte një damkosje tjetër e pamerituar për Vlorën, për të cilin po diskutohet nga një juri për ta shpallur gjirin më të bukur të Mesdheut. Ndaj më duhet të shpreh keqardhjen që kjo nismë nuk mund të pranohet. PS të fshijë nga memorja rikthimin e skafeve.”- u shpreh Berisha.

Ndër të tjera shefi i qeverisë i kushtoi rëndësi edhe përgatitjeve për sezonin e ri turistik, duke theksuar se të dhënat paraprake flasin për një sezon të shkëlqyer.

“Të dhënat paraprake flasin për një interes të madh botëror në rritje për të vizituar Shqipërinë. Cdo ditë në mediat më serioze ka shkrime dhe përshkrime të bukurive të rralla, të shërbimeve të shkëlqyera, të mikpritjes se pashembullt, të pasurive të mëdha kulturore dhe historike që ofron Shqipëria.”- theksoi Berisha.

Kryeministri rikujtoi edhe njëherë vendimin për shpalljen e 20 prillit si ditën e Shqipërisë së pastër, duke kërkuar ndërgjegjësimin e të gjithë qytetarëve për të bërë, siç tha ai, një kthesë rrenjësore mbi qëndrimin ndaj mjedisit.

“Do kërkoja shumë nga ju, në bashkëpunim me qeverinë vendore të marrim çdo masë që më 20 prill ta bëjmë Shqipërinë më të pastër se kurrë në historinë e vet. Kjo nismë përbën një kthesë shumë të rëndësishme, të bëjmë gjithçka që të ndëshkojmë krimin ndaj mjedisit.”- tha Berisha.

Në mbledhjen e Grupit, deputetët demokratë mbajtën një minutë heshtje në nderim të Gëzim Demçolli, kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë, pas një sëmundjeje të rëndë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›