Do të grabisnin Rivierën, policia prangos dy vëllezër

Qendra tregtare Riviera në Vlorë
Policia u njoftua nga stafi pas dyshimeve. U gjenden armë në banesë.
U mbajtën në vëzhgim 10 ditë: Shihnin sistemin e sigurisë.
Policia e Vlorës parandaloi grabitjen e radhës në qytet. Dy vëllezër, të cilëve iu gjetën edhe armatime në banesë, dyshohet se po përgatisnin grabitjen e qendrës tregtare Riviera. Sipas burimeve të Policisë, vëllezërit Oni dhe Neli Hysaj, përkatësisht 36 dhe 39 vjeç, nga Vlora, janë konstatuar se prej ditësh vëzhgonin kamerat e instaluara në qendrën tregtare. Punonjës të sigurisë së qendrës kanë vënë re lëvizjet e dyshimta të tyre dhe kanë vënë në dijeni policinë. Pas marrjes së sinjalit, oficerë civilë të Policisë kanë shkuar në vend dhe kanë mbajtur në vëzhgim për rreth 10 ditë situatën. Gjatë vëzhgimit është konstatuar se 36-vjeçari Oni Hysaj sistematikisht mbante nën vëzhgim sistemin e sigurisë dhe kamerat e qendrës tregtare. Gjithashtu ata mbanin në survejim të plotë edhe lëvizjet brenda, si dhe oraret e lëvizjeve të vlerave monetare të qendrës tregtare. Pas verifikimit të kryer, strukturat e Policisë së Vlorës kanë bërë vlerësimin serioz të rastit, duke kryer identifikimin dhe më pas shoqërimi i shtetasit Oni Hysaj në Komisariat. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij në lagjen 24 Maji, në dhomën e gjumit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri tip pistoletë, një e markës Smith, mod. 36, dhe një e markës Bereta, e kalibrit 6.35

Armët e sekuestruara në banesën e dy vëllezërve
mm, së bashku me 21 fishekë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se i përfshirë në këtë veprimtari ka qenë edhe i vëllai i tij, Neli Hysaj, 39 vjeç. Policia kreu verifikimet për të dyshuarit dhe rezultoi se Oni Hysaj është person me precedentë penalë në shtetin italian. Menjëherë u krye arrestimi në flagrancë i tij dhe i të vëllait, ndërkohë që po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve. Policia nuk bëri të ditur nëse ata janë të dyshuar për grabitje të tjera në Vlorë, ngjarje të cilat janë kthyer në fenomenin më shqetësues për qytetin. Paraprakisht të dy këta shtetas mendohet se do të kryenin grabitje në qendrën tregtare Riviera, por më parë atyre u duhej të vëzhgonin sistemin e sigurisë dhe oraret e lëvizjes së vlerave monetare që aty. Dyshohet se ata po kujdeseshin që të organizonin grabitjen në momentin që kamerat mund të mos ishin funksionale. Akuza ndaj tyre është Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit, por grupi hetimor po punon për verifikimin e shkakut të studimit të kamerave të sigurisë prej tyre.
Shkonim për kafe, jo grabitje
Pas arrestimit, dy vëllezërit Oni dhe Neli Hysaj nuk kanë pranuar dyshimet e policisë se ata ishin duke organizuar një grabitje të mundshme të qendrës tregtare Riviera. Burime të Policisë bënë të ditur se vëllezërit kanë pranuar se kishin shkuar çdo ditë në qendrën tregtare, por qëllimi kishte qenë për të pirë kafe dhe jo kriminal. Nuk është e vërtetë që ne kemi survejuar kamerat e sigurisë. Qëllimi ynë nuk ishte ndonjë grabitje këtu. Kemi ardhur thjesht për të konsumuar kafe. Kështu mësohet të kenë deklaruar vëllezërit Hysaj, duke mohuar çdo dyshim të policisë për organizimin e një grabitjeje me armë.
VLORE/ QEMAL BIRAKU