E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjarja në Himarë, familjarët e të akuzuarve: Kërkojmë drejtësi

DEKLARATAT/ Të pandehurit e quajnë jonormale cilësimin e çështjes si vrasje, duke u shprehur se ngjarja ishte thjesht një aksident dhe se viktima ishte shqiptar dhe jo grek


VLORË - Familjarë të tetë personave të ndaluar lidhur me vdekjen e Aristidh Gumës më 12 gusht kërkojnë që të vihet në vend drejtësia. Disa prej tyre në media e të tjerë nën zë kërkojnë që ngjarja për të cilën akuzohen të shihet pa ndërhyrjen e rrymave të ndryshme politike, të cilat e çuan këtë "aksident" në një rang ndërkombëtar si vrasje.


Halo Muka, babai i të akuzuarit kryesor të kësaj ngjarjeje, Ilir Mukës, ka kërkuar drejtësi ndërkohë që i është drejtuar Bollanos që të mos shfrytëzojë fatkeqësinë e ndodhur për qëllimet e veta politike.


Duke deklaruar se në këtë çështje janë përfshirë shqiptarë dhe jo grekë, si dhe duke theksuar se viktima ishte një grekfolës dhe shqiptar, ai u është drejtuar instancave që ta shohin ngjarjen si një fatkeqësi. Për mediat kanë folur edhe dy të liruarit përkundrejt garancisë pasurore, Dijon Bushi dhe Fabion Jahaj, të cilët janë shprehur se ata ishin nisur me pushime për në Jalë dhe nuk kishin asnjë lidhje me aksidentin e ndodhur.


Djemtë e rinj kanë këmbëngulur se viktimën nuk e njihnin dhe se nuk i dinin as emrin, teksa kanë theksuar se në momentin që janë ndaluar nga policia, kanë qenë të rrethuar nga disa banorë të Himarës, të cilët i konsideronin si vrasës pavarësisht aksidentit të ndodhur.


Një deklaratë e tillë e djemve është mbështetur nën zë edhe nga punonjës të policisë së Vlorës, të cilët kanë marrë pjesë në ndalimin e të rinjve, duke u shprehur se nëse vetë policia nuk do t'i kishte ndaluar djemtë, ata do ta kishin pësuar keq nga banorët e acaruar për ngjarjen.


Ndërkohë, babai i Andi Kotorrit i telefonuar u shpreh vetëm se gjithçka ia linte në dorë drejtësisë. Të afërm të tjerë të personave që ndodhen në qelitë e paraburgimit shprehen se janë të bindur se pas-ngjarja është e sajuar nga qarqet greke, ndërkohë që akuzojnë edhe qeverinë për mosndërhyrjen e saj në ngjarjet e mëpasme.


Të afërm të djemve shprehen të bindur se përplasja e automjetit të drejtuar nga Ilir Muka dhe motorit me të cilin udhëtonte Aristidh Guma ka qenë aksidentale.


Ndërkohë, nuk ka ende asnjë prononcim të familjarëve të viktimës, që deri më tani kanë qëndruar të heshtur për ngjarjen e ndodhur, pavarësisht se është folur në emër të tyre. Burime pranë familjes bëjnë të ditur se nga ana e tyre po mbahet zi për djalin e familjes, teksa nga ana e prokurorisë u deklarua se marrja në pyetje e të afërmve të Gumës do të bëhet në fillim të muajit shtator, kohë në të cilën edhe institucionet shtetërore rifillojnë punën normale.


Pritet që përgjatë kësaj kohë të shoqërohen dhe merren në pyetje edhe personat e akuzuar për sulmin ndaj një grupi xhirimi të një televizioni kombëtar, ku mbeti i plagosur me thikë një operator.


Vdekja e Aristidh Gumës ndodhi më 12 gusht të këtij viti rreth orës 21:00 ku ai u përplas nga një automjet i drejtuar nga Ilir Muka, ndërsa udhëtonte me motorin e tij. Vetëm një orë më pas, aksi kombëtar në Himarë u bllokua nga disa banorë të Himarës që dolën bashkë me familjet e tyre. Aksi u mbajt i bllokuar për rreth 15 orë.


Pas ngjarjes së ndodhur reaguan kreu i bashkisë Himarë e njëkohësisht kreu i Omonias Vasil Bollano, si dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, të cilët e konsideruan ngjarjen si vrasje me paramendim, duke u shprehur se ishte vrarë një minoritar grek për arsye se kishte folur greqisht. Nga ana tjetër, reagoi edhe Ministria e Jashtme greke e cila deklaroi se "është vrarë një emigrant grek në Himarë me prejardhje amerikane".


Çështja kaloi kufijtë kombëtarë, ndërkohë që qarqe të caktuara greke vendosën t'i drejtohen edhe Brukselit, teksa Dule e Bollano kërkuan hetues, policë e gazetarë grekë për çështjen.


Përpara togave të zeza, tetë djemtë e cilësuan ngjarjen si aksident, duke u shprehur se kishin qenë duke ecur me shpejtësi drejt Vlorës dhe se përplasja me viktimën 36-vjeçare kishte ndodhur në një kthesë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›