E Diel, 1 Nëntor 2026

Lihet në burg biznesmeni që vrau 28-vjeçarin

Masa/ Gjykata ka vendosur masën "arrest me burg" për Bledar Çelën. I pandehuri: Më kërcënoi për një vit në telefon


ELBASAN - Arrest me burg ka qenë vendimi i gjyqtares Zamira Vyshka për biznesmenin Bledar Çela i akuzuar për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.


Sipas përfaqësuesit të prokurorisë, më 21 gusht në orën 23:00 i pandehuri ka vrarë në një lokal shtetasin Dritan Bardhoshi duke e qëlluar 4 herë në trup me armë zjarri. Ndërkohë, Çela, baba i 4 fëmijëve ka pranuar akuzën.


Avokati i tij është shprehur se viktima në mënyrë sistematike e kërcënonte klientin e tij në drejtim të personalitetit të familjes dhe të motrës së tij. Lidhur me ditën e vrasjes, mbrojtësi Guxholli tha se pasi kishte mbaruar disa punë të biznesit Bledar Çela po kthehej në shtëpinë e tij në Xhyrë dhe ishte ndalur në lokal.


Në këtë moment ka dëgjuar një zë që i është drejtuar me fjalët nga më fyeset dhe poshtërueset për familjen dhe për motrën e tij. Në këtë moment Bledari është ngritur dhe i është drejtuar tavolinës duke i thënë "Nuk të kam asnjë borxh, mbylle gojën".


Edhe viktima është ngritur dhe i është drejtuar me fjalë akoma më të rënda. "Në këtë moment Bledari ka humbur kontrollin duke nxjerrë pistoletën të cilën e mbante me vete pasi kishte një biznes dhe e godet 4 herë. Pas kësaj ai është ulur ka telefonuar policinë duke i thënë se kishte kryer një vrasje. Madje u kishte kërkuar banorëve aty ta ndihmonin për ta çuar në spital.


Ne jemi të ndërgjegjshëm e i shprehim ngushëllimet familjes së Dritan Bardhoshit. Kemi mendim të vlerësohet i ligjshëm arresti në flagrancë dhe masa e arrestit me burg si masë shtrënguese", deklaroi avokati mbrojtës.


Pas fjalës së tij, gjyqtarja është tërhequr dhe ka marrë vendimin "arrest me burg" për të pandehurin. Bledar Çela akuzohet për vrasjen me armë zjarri mbrëmjen e 21 gushtit të shtetasit Dritan Bardhoshi me banim në Qukës.


Shkak i grindjeve mes viktimës dhe autorit është bërë një femër, e cila ishte ndarë me viktimën dhe sipas tij ishte lidhur me autorin. Ngjarja solli edhe një protestë nga familjarët dhe të afërmit të cilët kërkuan dënim maksimal për autorin e krimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›