Ngjarja në Mitrovicë, Zhbogar apel për qetësi

Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka reaguar lidhur me incidentin që ndodhi sot në veri të Mitrovicës, ku humbi jetën një shqiptar dhe u plagosën anëtarët e familjes së tij. Në një deklaratë për shtyp Zhbogar i bëri thirrje qytetarëve të tregojnë qetësi dhe t`ia lënë në dorë policisë të zbardhë ngjarjen.
“Mbeta i tronditur kur dëgjova për shpërthimin në të cilin humbi jetën Selver Hajradinaj në Mitrovicë sot herët në mëngjes. Shpreh ngushëllimet e mia familjes së tij. Mësova nga EULEX-i se po zhvillon hetime të përbashkët me autoritetet kosovare. Shpresoj se ky hetim do të kryhet shpejt e me sukses. Ndërkohë, do të apeloja te të gjitha komunitetet që të qëndrojnë të qetë dhe ta lënë rastin në duart e policisë”, thuhet në deklaratën e Zhbogar.