E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjarje në qytezë, kur takoheshin Nikson - Mao Ce Dun

24-03-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Atë ditë qe 21 shkurti i vitit 1972. Isha nisur për një shërbim gazetarie në veri. Pas një dite udhëtimi vjellës përmes malesh, me autobusin e linjës, një Skoda e vjetëruar, e  prodhimit çekosllovak, mbërrita në Kukës. Të nesërmen, më 22 shkurt, që herët në mëngjes, në kabinën e një kamioni të gjelbër, të prodhimit kinez, i njëjtë me markën  sovjetike Zis, shkova në qytezën e Krumës. Një gazetar i ri, shumë pak gjëra mund të dinte për atë trevë. Por ishin dy pikë takimi, që nxitnin të krijoje një farë mendimi. Duke e njohur mirë Myzeqenë dhe duke e zotëruar të folmen gegnisht të Kosovës, të krijohej njëlloj turbullimi naiv, sikur atje po zbuloje kushedi se çfarë. Pas vitit 1965, Partia e Punës synoi ideologjikisht, t’i kthente malet në toka pjellore si edhe fushat. Asaj masakre natyrore, nuk i kishte shpëtuar as pllaja e gjerë e Hasit, e mbuluar me pyje të mëdha. Drurët e lartë, pasi u hidheshin litarë çeliku në qafë, shkuleshin nga traktorë të fuqishëm me zinxhirë, që pastaj tërhiqeshin rrëshqanë, për t’i nxjerrë mezhdave. Trungjet e rroposur ishin zhvoshkë lëkure nën shi dhe diell. Ato dukeshin si eshtra gjigande ngordhësirash, me inde të dekompozuara e të pakallura. Kjo pllajë e zhveshur, pa drurë më këmbë, nga anëtarët e Byrosë Politike quhej edhe Myzeqe e Dytë, ndërsa qe viktimë e  marrëzisë së radhës, të shkatërrimit të mjedisit. Ballafaqimi tjetër ishte me të folmen, historinë dhe kulturën materiale, çka të prapakthente për të kuptuar, pse në organizimin administrativ shtetëror gjatë Mbretërisë, ajo emërtohej nënprefektura e Kosovës. Qyteza  fort e vocërr e Krumës, të befasonte me varrin e thjeshtë e gati të lënë pasdore të Bajram Currit. Nga padija as nuk e kuptoje, pse vrasja qe kryer te Shpella e Dragobisë dhe  varrimi qe bërë shumë larg prej aty. Në qytet vinin e shkonin traktorë me goma e makina të pakta, me hieroglife vulosur mbi llamarina, si dhe simbole të tjera kineze, bashkë me ndonjë fotografi të Kryetarit Mao Ce Dun.
Në qytezën me pak banorë, ndër policët që shërbenin, kishin qenë edhe dy shokë, që shkonin mirë ndër veti. Por, pak ditë më parë, njërin e kishin larguar nga detyra. Njerëzia përfliste se ai nuk kishte gabuar, por thoshin se qe disi i leshtë e nuk bënte për atë punë. Dhe, qe kthyer në fshat, sipër në mal, në Kishaj. Në shtëpinë e vet të varfër, ish-polici mbante një radio dhe ca vegla si, sëpatë, sqepar, thika, dalta. Ai iu vu gdhendjes në dru: mbaronte shekë, bucela, kupa, gota, tëhollues, lugë me bilbil, të cilat mundohej t’i shiste,  për të përballuar jetën. Në atë vetmi, në lartësinë e malit, shok e shkuar shokut, ish-polici kishte radion. Një ditë më parë, domethënë në mesditën e 21 shkurtit 1972, në Radio Prishtina kapi një lajm të pabesueshëm: Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Riçard Nikson (Richard Nixon) kishte shkuar për vizitë njëjavore në Kinë. Ai qe takuar me Kryetarin Mao Ce Dun, në Pekin. Ish-polici, i bataksur nga lajmi, la gdhendjen dhe zbriti në Krumë, për t’u takuar me shokun e vet ende polic. Gjatë bisedës i kishte treguar se Presidenti amerikan Nikson u takua me Kryetarin e Republikës Popullore te Kinës  Mao Ce Dun. Shoku i vet luajti vendit sa ndërroi karrike, dhe nuk e besoi. Shoku Mao Ce Dun nuk e takon kurrë Niksonin e imperializmit amerikan. Radio Prishtina është e shtetit revizionist. Ato që ke dëgjuar ti janë shpifje për Kinën, i tha.
Ish-polici u ngjit përsëri në Kishaj, për t’u marrë me gdhendjet e veta. Por, sapo mbërriti në shtëpi, erdhi dhe postieri, që i dorëzoi një fletë-thirrje për t’u paraqitur në Krumë, te drejtuesi i degës së brendshme. Ai e mori me mend se kishte njoftuar shoku i tij. Ish-policit i duhej ndoshta të përballej me rrezikun. Mirëpo nuk u nis menjëherë qysh në mëngjes, duke llogaritur që të gjendej atje, pasi të kishte mbërritur shtypi  i ditës në qytet.  Ai shkoi drejt e te posta dhe kërkoi “Zërin e popullit”. E hapi dhe lexoi me shtatë palë sy, a mos ishte botuar ndonjë lajm. Duke e këqyrur me ankth, faqe më faqe, nuk gjeti gjë. Iu kthye edhe njëherë faqes së parë dhe faqes së katërt. Dhe gati e grisi gazetën kur në faqen e katërt, në fund të kolonës së gjashtë, pak mbi programin e radios, ishte një lajm i vërvitur në shpërfillje të plotë, më i vogël edhe se një kuti shkrepse: Takim i Mao Ce Dunit me Niksonin. E mori gazetën dhe, me të në xhep, shkoi për në zyrën ku ishte thirrur. Atje iu turrën duke i thënë se ai dëgjonte radiot e shtetit revizionist, se besonte lajmet e tyre të gënjeshtërta, se i përhapte ato rrena dhe se, gjithçka mund të ndodhte mbi tokë, por kurrën e kurrës Mao Ce Duni nuk takohet me Niksonin. Ish-polici, që shihej si gjysmëbudalla, nxori nga xhepi “Zërin e popullit”, e hapi në faqe të katërt, ua vuri përpara mbi tavolinë, e u tha: “Më vjen shumë keq, ju nuk e lexoni shtypin e Partisë.  Mao Ce Duni e ka takuar Niksonin, e thotë gazeta e Partisë, nuk e them unë”.
Kushedi çfarë mund ta kishte gjetur të ziun, sikur të mos gjykohej si leshko dhe sikur Partia e Punës të mos ishte tronditur deri në thellësi të themeleve nga ai takim që ajo kurrë nuk e kapërdiu. Diktatori përjetoi shpërfilljen kineze, nuk iu mor mendim dhe as qe vënë në dijeni për takimin, siç duket ngaqë pala kineze ishte e bindur se do të gjente kundërshtim. Atë ditë, menjëherë pas takimit, Presidenti amerikan Riçard Nikson tha se,  “ishte javë që ndryshoi botën”. Partia e Punës eci me shpejtësi drejt prishjes së marrëdhënieve me Kinën, duke arritur fundin aty nga viti 1978, me cilësimin e Kinës një shtet revizionist. Ajo plotësoi trininë e saj të mallkuar: revizionizmin Titist, revizionizmin  Hrushovian dhe revizionizmin e Maocedunidesë. Shqipëria hyri në aleancë me Kinën kur nuk duhej dhe u largua nga aleanca me Kinën kur nuk duhej. Atë takim të para 40 vjetëve, të dy vendet - SHBA dhe Kina - e përkujtuan pak ditë më parë me një seminar të veçantë, në të cilin morën pjesë personalitete të larta të të dy shteteve, aktorë që përgatitën takimin qysh gjatë vitit 1971, me të ashtuquajturën “Diplomaci të Pingpongut”, në të cilën rol të veçantë pati luajtur sekretari amerikan i shtetit  Henri Kisinger, si dhe pjesëtarë të delegacionit amerikan që shoqëruan Presidentin Nikson. Nëse pati një vend të tretë, por me pasoja dramatike prej atij takimi, qe Shqipëria. Partia e Punës, që zotërohej nga ortodoksizmi ideologjik, e futi vendin në izolim të plotë, duke shpallur teorinë  e kursit të ri të “ndërtimit të socializmin vetëm me forcat tona”. Aq e pazakontë qe ajo ngjarje sa që, larg saj nuk mbeti as drugdhendësi i lartësive malore, të qytezës së vogël veriore.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›