Kurvërimi me kujtesën ose lëvizja e lirë e Nexhmijes për në ferr
Gënjeshtare, e pasinqertë dhe pa nivel. Ky është përkufizimi kuptimplotë i asaj që përfaqëson Nexhmije Hoxha kur del nëpër intervista pa brejtje ndërgjegje, pa kërkuar ndjesë për krimet kundër njerëzimit që ajo dhe i shoqi i saj, u shkaktuan shqiptarëve. Ajo ndjen trishtim për humbjen e sundimit, por jo pendesë për krimet, përkundrazi thellon më tej plagët e fyerjeve ndaj viktimave të komunistëve. Sigurisht antropologjia komuniste është shpjeguar mirë e sa herë nga kolegu ynë, Luan Myftiu, i cili ka shkruar qindra faqe për mungesën e pendesës së komunistëve. Sipas tij, Nexhmija e mësuar të sundojë me qarkore partie, nuk pranon që të mbrohen të drejtat e viktimave të tyre. Nuk ka si të pranojnë ata që kulaku të pasurohet sot ndershmërisht; a të marrë pjesë në qeverisjen e vendit.
Megjithatë nga leximi i intervistës së Nexhmije Hoxhës, “gruaja e djallit”, mund t’i dilte ndonjë përgjigje të përafërt pyetjes se përse u gjymtuan me dashje disa breza shqiptarësh. Por, përgjigjet prej saj janë ridëgjimi i një shiriti të incizuar shumë dekada më parë, një propagandë e zezë, zhvlerësuese, cinike, në kufijtë e një djallëzie të llogaritur. E pyetur rreth implementimit të revolucionit kulturor kinez në Shqipëri dhe shpallja në kushtetutë si vend komunist, Zonja e zezë, flet për gjëra të tjera. Nuk ka guxim të japë një përgjigje pse iu mohua Perëndia shqiptarëve. Mëkatarin e papenduar e mërzit këmbana e kishës, shkruan Luan Myftiu, sepse mëkatarja e papenduar nuk mund të jetë e gëzuar. Nuk i njeh gëzimet morale, ajo që ka marrë nëpër këmbë të pafajshëm. Aq më tepër në një shoqërí ku vepra e keqe po akuzohet haptas. Ku askush nuk shpreson më që mëkatet e tij të çmohen.
Fjalët e gruas së diktatorit jakobin janë si radhët e shumtë të platformës së materializimit vulgar, që përjashton shpirtëroren nga domeni publik, duke e zëvendësuar atë me kulte individësh të papërgjegjshëm, gjakatarë. Agresioni mediatik i modeles luciferine është kapilar, i përditshëm, sipas formës dhe përmbajtjes komuniste, gënjej dhe manipulo, edhe kur është ashiqare e kundërta. Dalja në media e Nexhmijes është një formë kurvërimi i kujtesës, një përçudnim i dhimbjes dhe vuajtjes së ish të përndjekurve e atyre që kanë shkuar në një botë më të mirë.
Sidoqoftë me këtë intervistë të fundit Nexhmija, ashtu siç kanë bërë me gjithë librat e saj të gënjeshtërt, ka prerë biletën për në ferr, ku me siguri do të gjejë të gjithë anëtarët e byrosë që janë mbledhur në takim nga Enveri për të gjetur armiq në edhe aty. Edhe pse ajo s’beson në botën e përtejme, dënimi i saj do të jetë fiks ashtu siç ndodh në Ferrin e Dantes, ku njerëzit mëkatarë dënohen më të kundërtën. Nëse mohon ferrin, atje do të përfundosh. Sepse hileja më e madhe që ka bërë djalli ndonjëherë është të bindë botën se ai nuk ekziston…