Ngjarjet e 90-ës në fotot e rralla të Xhengos
Një udhëtim në Shqipërinë e viteve ’90 përmes fotografive. Momentet historikë herë bardhë e zi e herë me ngjyrat e kohës, sjellin edhe një herë në kujtesën e njerëzve Shqipërinë që po ziente për ndryshim. Të gjitha fotot që do të eskpozohen në Muzeun Historik Kombëtar janë pjesë e albumit të fotografit të njohur Gani Xhengo. Dhe, një fotografi e Gani Xhengos rrëfehet si dëshmitare e protestave të studentëve, rrëzimin e bustit të diktatorit, mitingu i madh në qendër të kryeqytetit. Ai ishte fotoreporter i ATSH-së në atë kohë dhe i duhej, së pari, të mposhtte frikën e vet për të dalë në sheh e për të fotografuar gjithçka që ndodhte në një Shqipëri të trazuar që kërkonte ndryshimin. Pasi mposhti frikën, aparati i tij shkrepi në çdo cep të Tiranës, aty ku ishte dhe vatra e nxehtë e protestave antikomuniste, pjesë të historisë së një vendi që, e rrëfyer pas 20 vjetësh, për dikë është thjesht kujtim e për më të rinjtë një kohë e largët. E pra, ishte viti 1990, ishte koha kur Shqipëria po bënte përpjekjet e para për të dalë nga bunkeri komunist, ku kishte qëndruar për 45 vjet. Ideja e hapjes së një ekspozite fotografike, për ato ngjarje, ata njerëz që rrëzuan murin shqiptar të Berlinit dhe ditët historike që pasuan, është e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me fotoreporterin Gani Xhani. Ky i fundit tashmë ka të botuar dhe një album të titulluar “Shqipëria e viteve ‘90”, që ka bërë xhiron e botës e që pjesë të këtij albumi sillen për publikun shqiptar të dielën në Muezun Historik. Kjo ekspozitë në fakt është fokusuar në rrëzimin e bustit të diktatorit, që shënon dhe kthesën e madhe të shqiptarëve, sepse edhe sot pas 20 vjetëve asgjë nuk ka pasur atë jehonë shpërthyese sa rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej” më 20 shkurt 1991. Një Tiranë të mbushur nga njerëz që i përkisnin të gjitha shtresave: studentë, grevistë, kureshtarë, flamurtarë të zjarrtë, që hidheshin e brohorisnin për atë ngjarje, janë fokusuar nga Gani Xhengo, ashtu si dhe forcat ushtarake e paraushtarake, autoblinda e makina, Garda e tërë, policë e njerëz të Sigurimit të Shtetit, por dhe kamerat, reporterët, gazetarët që të gjithë së bashku, përjetuan çastet e rrëzimit të monumentit më të lartë në atë kohë për Shqipërinë, të Enver Hoxhës. Një dokumentim tepër autentik e origjinal, që tregon atë çfarë ndodhte me Shqipërinë e viteve ’90. Fotografitë përshkruajnë në mënyrë kronologjike si është përjetuar, pasojat dhe reagimet që erdhën nga efekti i rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. E kërkesa e studentëve për t’i hequr Universitetit emrin e diktatorit duket se zbriti në shesh. Në atë ditë të 20 shkurtit, ata vendosën ta japin vetë përgjigjen. Ata vendosën të largohen nga greva, por jo për t’u kthyer në auditore apo në shtëpi. Ata, si një ortek i zhurmshëm, vërshuan po atë ditë drejt Rrugës së Elbasanit, në degëzimet para Radiotelevizionit Shqiptar, në kthesat e stadiumit “Qemal Stafa”, në Unazën përgjatë Lanës, për të vërshuar në shesh. Të gjitha këto momente janë fokusuar në aparatin e Xhengos. Vetë Gani Xhengo rrëfen frikën dhe tensionin e atyre ditëve. “Asokohe punoja fotoreporter pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Ngjarjet që ndodhën në Shqipëri ishin një befasi. Edhe ne si fotoreporterë dhe gazetarë situata që u krijua na gjeti në fillim krejtësisht të papërgatitur. Asnjë fotoreporter shqiptar nuk arriti të fiksonte që në fillim me aparatin e tij momentin e parë kur nisën trazirat, edhe për faktin se nga institucionet doli urdhri që asgjë nga ato ngjarje të mos fotografohej. Por edhe pse në fillim vërtet nuk patëm guximin të shkrepnim kur të rinjtë vërshuan dyerve të ambasadave, që ishte momenti i parë dhe të gjitha ngjarjet që pasuan u dokumentuan përmes fotove” - do të kujtonte fotoreporteri Gani Xhengo. Të gjitha fotografitë e ekspozuara janë pjesë e arkivit personal të Gani Xhengos. Fundi i kësaj përpjekjeje mbyllet me realizimin e një ekspozite, që tashmë është dëshmi e atyre ngjarjeve të revolucionit antikomunst në Shqipëri.