“Striptizë” nga Akademia në Tetarin Kombëtar
Pas suksesit të vetëm pak ditëve më parë në skenën e Akademisë së Arteve, shfaqja Striptizë e dramaturgut polak Slavomir Mroxhek do të ngjitet këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar. Mjeshtri polak i satirës dhe absurdit është zgjedhur nga regjisori i ri Arbër Jakllari me një nga veprat më të spikatura të tij, Strptizë. Kjo vepër është në fakt jo zhveshja e trupit, por e shpirtit, e dy personazheve që bëjnë vërtet striptizë morale përballë publikut. Neritan Liçaj dhe Alert Çelohilaj janë dy protagonistët që sjellin në skenë personazhet e një intelektualit dhe një aktivisti, të cilët gjenden të zhveshur para dorës së fortë të pushtetit. Simbolikisht kjo dorë shfaqet gjigante edhe në skenë dhe me lëvizjet e saj i detyron dy personazhet të zhveshin shpirtin e tyre përballë një publiku që i ndjek dhe bëhet pjesë e shfaqjes. Censura dhe sistemi shoqëror në Poloninë e viteve ’60 flet sot në vitin 2011 në Shqipëri. Mrozhek vë në lojë personazhet, ndërsa ata përpiqen t’i mbushin mendjen vetes sesa të lirë ndihen.