HIV/AIDS, punësim për të infektuarit
Personat e infektuar me HIV/AIDS në vendin tonë do të trajtohen nëpërmjet një kuadri të ri ligjor që, nëse do të zbatohet në praktikë, do ta lehtësojë disi jetën e këtyre të sëmurëve që ndeshen me mjaft vështirësi. Duke dhënë detaje mbi vendimin e fundit të marrë nga Këshilli i Ministrave për këtë çështje, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka deklaruar se vendimi është një hap i rëndësishëm në forcimin e parandalimit të infektimit nga virusi HIV në disa institucione. Objekt i këtij projektvendimi janë institucionet e arsimit, riedukimit, institucionet e trajtimit mjekësor, institucionet rezidenciale të përkujdesit shoqëror, burgjet dhe vendet e paraburgimit, të cilat paraqesin veçori specifike, ndaj mënyrat dhe rregullat e parandalimit të infeksionit HIV janë përcaktuar qartë për secilin institucion. Në mënyrë të veçantë theksohet krijimi i një mjedisi të sigurt dhe institucional nëpërmjet zbatimit të masave universale për parandalimin e infeksionit HIV, hartimin dhe zbatimin e programeve të informimit dhe edukimit, ofrimit të shërbimeve të këshillimit dhe testimit vullnetar, si dhe ofrimit të kujdesit e mjekimit te personat që jetojnë me HIV/AIDS. Ky vendim ka për synim fuqizimin e masave parandaluese dhe të kujdesit nëpërmjet programeve specifike në institucionet e arsimit, riedukimit, institucionet e trajtimit mjekësor, institucionet rezidenciale të përkujdesit shoqëror, burgjet dhe vendet e paraburgimit, evitimin e stigmës dhe diskriminimit, nxitjen e shërbimeve të këshillimit vullnetar dhe konfidencial si dhe mbështetjen me shërbime të tjera shëndetësore, të personave që jetojnë me HIV/AIDS në këto institucione.