E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjarjet e padokumentuara nuk bëhen pjesë e historisë

Specialistë të historisë deklaruan dje se tekstet e historisë për shkollat e mesme duhet të jenë të rregullta dhe të shkruara në fakte e dokumente zyrtare. Një tekst i rregullt dhe i saktë me ngjarje të faktuara dhe objektivitet bëhet vetëm me ndihmën e arkivës. Arkiva e shtetit shqiptar nuk mund të japë dokumentacion për një ngjarje e cila ka ndodhur sot, pa kaluar 25 vjet. Për më shumë, në rast se një tekst shkruhet pa këto të dhëna, ai nuk mund të jetë korrekt dhe nuk bazohet në fakte dhe të dhëna të arkivuara, shkrimet e mëpasshme kalojnë në interpretime personale. Kjo metodë rëndon në tekste shkollore, sepse mund të çojë në shkrime dhe rishkrime të teksteve disa herë, duke humbur rëndësinë e duke shpërndarë informacion të pasaktë ose të vakët. Në rast se do të shkruhet një tekst me elementë interpretimi atëherë ai rrezikon të ribotohet menjëherë pas ndryshimeve të shqyrtimit të ngjarjeve.

"Mund të jepen të dhëna, për qeveritë apo ngjarjet që kanë ndodhur vit pas viti, por nuk mund të kalosh në interpretim. Madje të dhëna dhe informacion mund të jepet në formën e një materiali shtesë, i cili të shpërndahet vetëm për mësuesit e më pas ajo të transmetohet te nxënësit", deklaroi dje historiani Ajet Shehu. Sipas tij, ngjarjet që cilësohen si aktualitet nuk mund të bëhen pjesë e historisë, teksteve shkollore.

Ngjarje si Gërdeci, çështja "Fazliç", anëtarësimi në NATO, suksese dhe dështime të pozitës dhe opozitës, të viteve të fundit nuk mund të futen në historinë e teksteve shkollore aktuale, pasi ngjarjet janë tepër të freskëta. Dhe shumë nga këto ngjarje ende nuk janë konsoliduar e të tjera ndodhen ende duke u shqyrtuar dhe hetuar. Në këtë kuadër ka një mungesë informacioni, të dhënash, faktesh të cilat mund të citohen si burime, për t‘u futur në historinë e Shqipërisë, e cila do të kalojë këtë vit nga qindra mijëra maturantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›