E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet Maqedonia: Do ta korrigjojmë Enciklopedinë

Akademia e Shkencave dhe Arteve maqedonase u shpreh, dje, e gatshme për të korrigjuar pjesët e kundërshtuara të Enciklopedisë, në të cilat, sipas ekspertëve, shoqërisë civile dhe partive politike shqiptare, fyhen rëndë shqiptarët, përkatësisht qenia e tyre kombëtare dhe autoktonia.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Maqedoni, Georgi Stardellov, dhe redaksia e Enciklopedisë kanë vendosur që ky institucion të mos e tërheqë tërësisht Enciklopedinë, por të bëjnë korrigjimet e duhura. Këto korrigjime do të bëhen nga vetë autorët e botimit të parë.

"Në takimin e djeshëm të redaksisë kryesore u shqyrtuan reagimet e partive politike, shoqatave dhe individëve, lidhur me publikimin e Enciklopedisë së re maqedonase. U konkludua në informimin e opinionit, se do të bëhen disa korrigjime të caktuara, në disa njësi dhe do të vazhdojë puna për botimin e dytë të ndryshuar e të plotësuar", thuhej në komunikatën e redaksisë së Enciklopedisë.

"Bëhet fjalë për një ofendim të caktuar ndaj bashkësisë etnike shqiptare në Maqedoni dhe besoj se kjo njësi do të korrigjohet edhe në këtë botim. Ndërsa në botimin e ardhshëm, tërësisht i ri, pas gjithë këtyre vërejtjeve kritike që janë parashtruar, do të punohet në mënyrë tjetër. Do të angazhohen edhe pjesëtarë të bashkësive të tjera etnike dhe jo vetëm nga shqiptarët e turqit, të cilët kanë vërejtjet e tyre rreth përmbajtjeve të caktuara të Enciklopedisë. Besoj se njësitë kontestuese nuk do të hiqen tërësisht nga Enciklopedia, por do të korrigjohen ose eliminohen disa të dhëna të panevojshme, që ndoshta me të drejtë, i rrëqeth qytetarët tanë shqiptarë", deklaroi Stardellov, kryetar i Akademisë.

Anëtari shqiptar i Akademisë, Alajdin Abazi, tha se duhet që të shkruhet një edicion i ri i Enciklopedisë, ku të merret parasysh edhe opinioni i akademikëve shqiptarë. "Unë i jam ofruar realisht Akademisë që ta ndihmoj, e të formohet pse jo, edhe një njësi e veçantë që do studioj gjuhën kulturën shqiptare historinë që ka munguar deri më tani. Mendoj se duhet të tërhiqet ky edicion, ndërsa Akademia të distancohet e të shkruhet një edicion, që do të ndihmojë Akademinë", u shpreh Abazi.

Tre anëtarët shqiptarë të Akademisë së Maqedonisë, Alajdin Abazi, Luan Starova dhe Ali Aliu, dje i kanë dorëzuar një letër kryetarit të kësaj Akademie, Stardellov, nga i cili kanë kërkuar të thërrasë Kuvendin për të diskutuar rreth Enciklopedisë. Ndërkohë, kryetari Stardellov tha se Kuvendi do të thirret atëherë kur anëtarët të kenë marrë në dorë Enciklopedinë.

Berisha takon Ivanov

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, prononcohet për herë të parë për tekstin e Enciklopedisë së Maqedonisë. I ndodhur në Nju Jork, ai i ka përcjellë Presidentit maqedonas rezervat për këtë material, duke e konsideruar "falsifikim të historisë së vërtetë" dhe ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve zyrtare. Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim me Presidentin e Maqedonisë, George Ivanov. Gjatë bisedës, dy personalitetet rikonfirmuan marrëdhëniet e mira e miqësore ndërmjet të dy vendeve, vendosmërinë e palëve për t‘i forcuar e zgjeruar ato dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat edhe më tej, në të ardhmen. Kryeministri e njohu Presidentin me vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të kompletuar lidhjen hekurudhore me Maqedoninë dhe i bëri me dije se Rruga e Arbrit, që po ndërtohet nga qeveria shqiptare, shkurton distancën me Shkupin rreth 100 km. Integrimi europian është një tjetër fushë ku mund të rritet bashkëpunimi dhe Maqedonia është e gatshme t‘i ofrojë Shqipërisë përvojën, në veçanti për sa u përket përgatitjeve për statusin e vendit kandidat për anëtar në BE. Duke e përgëzuar Kryeministrin Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Presidenti Ivanov u shpreh se vend i tij ndihet shumë krenar për këtë arritje të popullit fqinj e mik shqiptar. Kryeministri Berisha theksoi se publikimi së fundmi nga ana e Akademisë Maqedonase i një Enciklopedie, e cila falsifikon historinë, është një qëndrim absurd dhe i papranueshëm. Duke qenë se Akademia është një institucion i Republikës së Maqedonisë, ndërhyrja e autoriteteve të larta maqedonase, me një qëndrim të qartë ndaj këtij problemi, do të ishte e domosdoshme, për faktin se askush nuk mund të ndërtojë identitet bazuar mbi falsifikimin e historisë. Lidhur me këtë çështje, Presidenti Ivanov tha se, sapo të kthehej në Shkup, do përpiqet të ndikojë në këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›