E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në parti, Rama takim të ngushtë me deputetët

Në prag të zgjedhjeve të 26 shtatorit, kryetari në detyrë i selisë rozë, Edi Rama, zhvilloi dje takime të ndryshme me deputetë të kësaj partie ku u ka kërkuar që të jenë të angazhuar me procesin zgjedhor gjatë këtyre ditëve të fundit. Burime nga takimi bënë të ditur se kryetari i PS-së i ka porositur që të zbresin në bazë dhe të kontaktojnë me anëtarët e të kujdesen që të sensibilizohen e të shkojnë të votojnë. Njëkohësisht, dje, PS nisi shpërndarjen e bazës materiale të procesit zgjedhor shoqëruar këtu me të gjitha mjetet e nevojshme, procesverbale, fletë votimit etj. Materialet janë tërhequr nga drejtuesit vendorë për t‘u shpërndarë më pas në komisionet përkatëse.

Në këtë mënyrë, 82117 socialistë do t‘u drejtohen këtë të shtunë kutive të votimit ku do të zgjedhin mes dy kandidatëve, Edi Ramës, kreut aktual të kësaj partie dhe Maqo Lakrorit.

Lista e miratuar është përgatitur mbi bazën e çdo vendvotimi dhe ajo përmban emrin, atësinë, mbiemrin dhe datëlindjen e anëtarit të PS-së, emërtimin e organizatës socialiste ku bën pjesë, numrin e dokumentit të anëtarësisë sipas regjistrit qendror të partisë.

Sa u përket vendvotimeve, si rregull ngrihen mbi bazë bashkie/komune, përjashto rastin kur për pamundësi teknike, nga KZP-ja vendoset ndryshe. Vendvotimet caktohen në mjediset e PS-së dhe nëse nuk është e mundur, caktohen në një ambient që garanton votimin pa pengesa të zgjedhësve dhe vëzhgimin normal të procesit të votimit. Sa u përket mjeteve të identifikimit, anëtarët socialiste më të drejtë vote duhet të paraqesin teserën e anëtarësisë, por edhe një mjet tjetër identifikues. Megjithatë, lidhur me listën, Komisioni i Zgjedhjeve në Parti ka miratuar listën e anëtarëve deri më 30 qershor edhe pse Kodi Zgjedhor e parashikon që të drejtën e votimit e kanë ata anëtarë që regjistrohen deri në datën kur shpallet data e zgjedhjeve.
Sakaq, në javët e shkuara, socialistët janë përballur me fushatën elektorale të dy kandidatëve, e cila është zhvilluar konform parashikimeve të Kodit Zgjedhor të partisë. Rama dhe Lakrori kanë zhvilluar takime në 12 qarqe të vendit, duke shpalosur përpara anëtarësisë idetë e tyre për drejtimin e PS-së. Lakrori është përqendruar te një parti që, sipas tij, nëse fiton do të ketë drejtim kolegjial, ku nuk do të flitet vetëm për kryetarin. Njëkohësisht, ai ka folur për ndryshime në statut, si dhe për zgjedhje të parakohshme. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, është ndalur në të gjitha takimet te zgjedhjet e 28 qershorit. Ai ka mbrojtur bojkotin e Parlamentit duke shpjeguar arsyet e kësaj nisme. Kreu socialist ka deklaruar se zgjedhjet e 28 qershorit nuk patën transparencën e duhur, se ato ishin një shans i humbur për vendin tonë, ndaj duhet parë nevoja e garantimit të zgjedhjeve të ardhshme. Sipas tij, PS po këmbëngul në hapjen e kutive të disa qarqeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›