E Diel, 1 Nëntor 2026

Psikologia: Marrëdhëniet në familje, shkaku kryesor që i shtyn adoleshentët drejt vetëvrasjes

Në krahasim me një vit më parë, 2009-a mbyllet me më shumë të vetëvrarë në Qarkun e Durrësit. Përballja me kërkesa, situata që i kalojnë kapacitetet e tyre personale dhe ndjenja e paaftësisë dhe mbështetjes i shtyn një pjesë të individëve ta shikojnë largimin nga kjo botë si mënyrën më të mirë për t’i dhënë fund gjendjes së rënduar shpirtërore në të cilën ndodhen. Numri i viktimave ka ardhur në rritje, ndërsa ngjarjet e mbetura në tentativë për shkak të ndërhyrjes në kohë të familjarëve dhe mjekëve mbetën në të njëjtat shifra. Ky vit ka regjistruar në Durrës 17 vetëvrasje dhe 46 tentativa. Një vit më parë kanë qenë 9 vetëvrasje dhe 46 tentativa. Viktima e fundit ishte një 35-vjeçare nga fshatrat e Krujës, nënë e dy fëmijëve, kurse studentja 21-vjeçare e universitetit “A.Moisiu” pas hedhjes nga kati V i pallatit ku jetonte mësohet se arriti të mbijetojë. Shkaqet e vetëvrasjeve janë të ndryshme, po kryesisht dështimet në jetën personale, pamundësia ekonomiko-financiare për të përballuar nevojat e familjes dhe komunikimet problematike ndërpersonale.
Në një rast, vetëvrasja ka nxitur vrasje në Durrës. Në spital, aty ku luftohet për jetën, u ekzekutua mjeku radiolog i akuzuar si shkaktar për vetëvrasjen e një infermiereje. Në emër të nderit të cenuar nga thashethemet dy familje u shkatërruan. Ky vit dëshmoi se tentativat për vetëvrasje janë shtuar dhe te moshat shkollore. Psikologia Ariola Panteqi, bazuar në punën e saj me adoleshentët, vëren se problemet emocionale që ata kalojnë janë në rritje. “Shkak për këtë bëhen dhe marrëdhëniet në familje, mungesa e një komunikimi të duhur prindër-fëmijë, si dhe konfliktet mes vetë prindërve.
Pritshmëritë e prindërve nuk përputhen me perfomancën e fëmijëve të tyre në shkollë dhe jashtë saj, gjë që bën që të rriten konfliktet midis tyre dhe të krijohet me kalimin e kohës një hendek. Mungesa e një komunikimi efektiv është e dukshme”, thotë ajo. Në urgjencën e spitalit të Durrësit, atje ku jepet ndihma e parë tregojnë mbi gjendjen që krijohet kur një person mbërrin në grahmat e fundit të jetës apo është ende në kohë për t’u shpëtuar. Në të shumtën e rasteve, ndërhyrjet mjekësore kanë qenë rezultative. Në të tjera, ata nuk kanë mundur të mbajnë në jetë ata që me dashje janë ndarë prej saj, por personeli mjekësor shpreson që 2010-a të sjellë sa më pak raste të tilla, duke i dhënë prioritet jetës dhe dëshirës për ta jetuar ashtu si vjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›