Në vitin 2009 i dhanë fund jetës rreth 160 veta, ndërsa në 2008-n rreth 330
Shifrat zyrtare të vetëvrasjeve për vitin 2009 kanë shënuar një rënie drastike krahasuar me një vit më parë. Numri i viktimave, bazuar në raportet e drejtorive të policisë në qarqe llogaritet në rreth 160, gati sa gjysma e shifrës së publikuar një vit më parë. Megjithatë, disa drejtori policish nuk kanë përfshirë në statistika numrin e saktë të vetëvrasjeve, duke ndarë si kategori më vete rastet e vetëhelmimeve dhe duke konsideruar statistikisht vetëm vetëvrasjet me armë zjarri, me armë të ftohta, hedhjet nga lartësitë dhe vetëvarjet.
Gjithsesi, numri i vetëvrasjeve ka shënuar rënie këtë vit, edhe nëse marrim për bazë raportimet nga terreni të reporterëve të gazetës. Mjafton të analizojmë rastin e Qarkut të Fierit, ku numri i viktimave nga të gjitha llojet e vetëvrasjeve është më pak se gjysma e vitit të shkuar.
Mjeku toksikolog i spitalit rajonal të Fierit, Kilo Stoja, konstaton me kënaqësi se numri i personave që kanë vdekur nga vetëhelmimi është shumë më i ulët në vitin 2009 sesa në vitin 2008. Ai thotë se këtë vit janë rralluar rastet e vetëhelmimit me fostoksinë, që njihet gjerësisht si bar miu dhe se kjo dukuri ka bërë që ndërhyrjet mjekësore të jenë më efikase dhe shumica e të vetëhelmuarve të shpëtohen.
Fieri
Por, edhe pse numri i të vetëvrarëve është përgjysmuar, Qarku i Fierit mbetet sërish në krye të listës së zezë të vdekjeve “me dëshirë”, me diferencë të madhe nga qarqet e tjera të vendit. Nga 186 tentativa vetëvrasjeje, 51 persona kanë gjetur vdekjen gjatë 2009-s në rrethet Fier, Lushnjë e Mallakastër, që formojnë Qarkun e Fierit.
Fieri dhe Lushnja kanë numrin më të lartë të rasteve, nga 22 viktima për secilin rreth, ndërsa në Mallakastër ka pasur vetëm 7 të vdekur. Ashtu si dhe në vitet e mëparshme edhe këtë vit mënyra më e përhapur është vetëhelmimi.
Për nga numri i vetëhelmimeve, rrethi i Lushnjës është më problematik. Të dhënat që vijnë prej drejtorisë së spitalit të këtij qyteti tregojnë se për vitin 2009 kanë gjetur vdekjen nga përdorimi i lëndëve të ndryshme toksike 18 persona, ndërkohë që tentativa kanë qenë 45. Në rrethin e Fierit për këtë vit janë regjistruar 120 tentativa dhe kanë gjetur vdekjen 12 prej tyre. Ndërsa në rrethin e Mallakastrës janë vetëhelmuar 6 persona.
Në rrethin e Lushnjës, 4 raste të tjera vetëvrasjesh janë shënuar me armë zjarri dhe për herë të parë këtë vit nuk ka pasur asnjë të vetëvarur. Të paktën kështu deklarojnë burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë së Lushnjës. Ndërsa në Fier, numri i vetëvarjeve dhe ai vetëvrasjeve me armë zjarri shkon në 10. Në Mallakastër vetëm një rast vetëvarjeje është regjistruar dhe bën fjalë për një 16-vjeçar nga fshati Belishovë.
Në të gjithë qarkun, numri i personave që i kanë dhënë fund jetës është rreth 70 për qind më i ulët se një vit më parë, kur u numëruan rreth 140 të vetëvrarë.