E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku Kilo Stoja: Kemi shpëtuar më shumë njerëz, por tentativat nuk kanë rënë

Numri i të vdekurve nga vetëhelmimet, sipas mjekut toksikolog të spitalit të Fierit, Kilo Stoja, është ulur ndjeshëm për vitin 2009. Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të ndryshimit të metodës së vetëhelmimit. Ndryshe nga vitet e kaluara kur fostoksina ishte “arma” kryesore për vetëvrasje, gjatë vitit 2009 shumica e njerëzve të dëshpëruar kanë përdorur mbidoza medikamentesh mjekësore për t’u vetëvrarë.
Mjeku Stoja, i cili përballet prej shumë vitesh me një fluks tmerrësisht të lartë vetëhelmimesh thotë se “120 tendencat e vetëhelmimeve për këtë vit, 48 kanë qenë me overdozë medikamentesh. Në krahasim me një vit më parë, ky numër është rritur, pasi vjet ka qenë 22 raste”.
Sipas tij, edhe grupmoshat e personave të prirur për t’u vetëvrarë kanë qenë të larmishme gjatë këtij viti. Që nga të rinjtë adoleshentë deri dhe të moshuarit, kryesisht mbi 70 vjeç kanë tentuar apo i kanë dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar.
Rastet e vetëhelmimeve ka qenë thuajse të barabarta si nga qyteti edhe nga fshati. “Shkaktarë për të 120 tendencat e vetëhelmimit kanë qenë problemet në çift, ekonomia e dobët, vetmia, si dhe depresioni”, thotë Kilo Stoja.
Ai nuk ka dashur të paraqesë si “lajm të mirë” uljen e vdekshmërisë te të vetëhelmuarit, pasi pohon se tentativat për vetëvrasje janë pothuaj të njëjta me ato të një viti më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›