E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli fshehu raportin e Ina Ramës për 20 ditë

TIRANË- Nuk dihet nëse është një veprim i qëllimshëm ose jo, por kryeparlamentarja Jozefina Topalli prej më shumë se 20 ditësh ka fshehur raportin e Prokurorisë së Përgjithshme për gjendjen e kriminalitetit gjatë vitit 2007. I protokolluar dhe depozituar në Kuvend që në datën 14 Maj, raporti është bërë publik për mediat vetëm dje. Ndërkohë që në kalendarin e institucioneve kushtetuese që kanë detyrimin të raportojnë në Kuvend, ishte parashikuar që raporti të dorëzohej nga Kryeprokurorja me datën 7 Maj dhe të raportohej në seancë plenare me datën 22 të muajit të shkuar. Me mospublikimin e këtij materiali informues, Kryetarja e Kuvendit ka djegur edhe afatin e leximit të tij nga Kryeprokurorja fillimisht në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, si komisioni përgjegjës, dhe më pas në seancën plenare. Vetëm dje, raporti i është shpërndarë komisioneve parlamentare dhe nuk dihet ende se kur do të kalojë për diskutim në seancë. Megjithatë, një vonesë e tillë duket se nuk është asgjë, po të kihet parasysh fakti se mazhoranca e sotme ka tre vjet që nuk e ka pritur kreun e akuzës në raportim për punën vjetore, kjo për shkak të marrëdhënieve të acaruara që ndërtoi me të që nga moment i marrjes së pushtetit në vitin 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›