E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Bollano në Tiranë, patriotët në Himarë

Deputetët Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli nuk e kanë mirëpritur mundësinë e kandidimit për t’u zgjedhur si përfaqësues të popullit në procesin e përgjithshëm të vitit të ardhshëm, kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano. Avokat Ngjela me qetësi tha për “Korrierin” se nuk pengohet askush të kandidojë në Shqipëri për deputet, por ai gjithashtu me qetësi shtoi dyshimet nëse Bollano do të mund të zgjidhet veçse të paraqitet në listat e partisë që e mbështet, Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Për kryetarin e OMONIA-s, Bollano, as deputeti tjetër Gilman Bakalli nuk jep shenjë vlerësimi. Bakalli tha se Bollano, të cilin e vlerësoi thjesht si “ky njeri”, nuk duhet të jetë në Kuvendin e Shqipërisë dhe “të ndikojë me frymën e tij antikombëtare e të bëjë ligje për shqiptarët”. Kandidimi mirë, zgjedhja s’dihet Deputeti Spartak Ngjela mendon se kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, nuk duhet të jetë pjesë e Kuvendit të ri që do të dalë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Avokat Ngjela, i zgjedhur në kryeqytet si kandidat i Partisë Demokratike në 3 korrikun e vitit 2005, është ndër zërat e parë kundër kandidimit të Bollanos për deputet që folën me “Korrierin”. Qëndrimet e Ngjelës dhe të Gilman Bakallit u shprehën një ditë pasi kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, nuk e përjashtoi mundësinë që Bollano të kandidojë për ligjvënës në procesin e 2009-ës. Nga një pjesë e mirë e politikës, kreu i Bashkisë së Himarës është cilësuar si një njeri me frymë antishqiptare, ndaj kërkohet që PBDNJ-ja të mos e vendosë në listë. Deputeti Spartak Ngjela e cilësoi si të pamundur zgjedhjen e tij, edhe nëse ai do të jetë në listat e deputetëve. “Çdo njeri mund të kandidojë në Shqipëri, nëse e zgjedh apo nuk e zgjedh populli?! Për të kandiduar, të gjithë kandidojnë. Nuk zgjidhet. Ku mund të zgjidhen ata?! As mos t’i shkojë mendja atij dhe askujt. Ai të rrijë mirë, se me ditë e ka punën. Me ditë. Do t’i shkojnë atje patriotët”, - u shpreh avokat Ngjela. Deklarata e tij duket dhe si një thirrje ndaj kreut të Bashkisë së Himarës, për të mos vijuar më me deklaratat e tij, përndryshe do të ketë reagime nga qytetarët shqiptarë. Ndërkaq, Bakalli, sot pjesë e grupit Kuvendar të Partisë Demokristiane të ish-ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, e cilëson si fakt shumë shqetësues mundësinë që Vasil Bollano të jetë pjesë e Kuvendit pas zgjedhjeve të vitit 2009. PD duhet të ndahet nga PBDNJ Bashkë me Ngjelën, Bakalli ishte dhe është kundërshtar i politikave të kryeministrit në këtë funksion dhe në atë të kryetarit të PD. Andaj, i zgjedhuri në Shkodër në procesin e 2005-ës, Bakalli, shkon më tej kur thotë se Partia Demokratike e Berishës, duhet ta prishë aleancën me këtë forcë të drejtuar nga Dule, nëse kandidimi dhe zgjedhja e Bollanos realizohet. “Mendoj se në këtë rast nacionalizmi grek, si të thuash, do të jetë edhe një temë kombëtare, përveçse është një temë lokale në Himarë apo zona të tjera. Mendoj se ky njeri duhet ndaluar që të vijë në Kuvendin e Shqipërisë dhe të ndikojë me frymën e tij antikombëtare e të bëjë ligje për shqiptarët”, - deklaroi Bakalli. PBDNJ-ja, partia në listën e së cilës mund të figurojë emri i Vasil Bollanos si kandidat për kandidat për deputet, është aktualisht pjesë e koalicionit të djathtë. Sipas Gilman Bakallit, edhe demokratët duhet të mbajnë pozicionin e tyre, nëse kreu i Bashkisë së Himarës do të kandidojë. “Nëse zoti Bollano merr mbështetje nga PBDNJ-ja, zyrtarisht e kam fjalën, atëherë PD-ja, duke pasur parasysh se ka pasur një aleancë me zotërinjtë e PBDNJ-së, ajo duhet të distancohet nga ato dhe t’i paralajmërojë si të thuash, që të vazhdojnë që në radhët e saj (PBDNJ-së), dhe në Kuvendin Shqiptar të vijnë persona të cilët kanë dëshmuar tone të moderuara në diskutimin për çështje të tilla kombëtare”, - tha Bakalli. Qëndrimet kundërshtuese të deputetëve të Kuvendit Shqiptar ndaj kandidimit të mundshëm të Vasil Bollanos erdhën një ditë pasi kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i pyetur për këtë çështje, tha se asgjë nuk mund të përjashtohej si mundësi. Dule shtoi se kandidaturat aktuale të PBDNJ-së janë thjesht paraprake dhe hipotetike. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›