E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platini në shqip: Faleminderit

Kjo ishte fraza e fundit e fjalimit prej gati 15 minutash, që një nga legjendat më të mëdha të futbollit evropian e botëror, Mishel Platini, tha në Tiranë. Një “faleminderit”, për atë mbështetje që sipas tij, Shqipëria i ka dhënë ideve të tij, me zgjedhjen si president i UEFA-s plot 18 muaj më parë (17 janar 2007).

Një “faleminderit” për mikpritjen shqiptare, kënaqësinë që presidenti i parë i UEFA-s që zbret në kryeqytetin e një prej federatave të vogla të familjes prej 53 anëtarësh të qeverisë së futbollit evropian. Një “faleminderit”, që e përjetoi drejtpërdrejt edhe presidenti i Federatës të Futbollit të Kosovës, Fadil Vokri e dy ndihmësit e tij.

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini me një kortezi kalorësiake “alla franceze” (Mishel është francez) nuk la pa përmendur gjithë panelin “VIP” shqiptar në përshëndetjen e tij, por specifike:  “Mikun tim Armando”. Asnjëherë në fakt, në Shqipëri nuk ka thënë: “Miku im Duka”.

“Është hera e katërt që vij në Tiranë si zyrtar. Herën e fundit, unë  kam paraqitur idetë e mia për futbollin evropian. Sot jam këtu si president i UEFA-s dhe është rasti t’u falënderoj për mbështetjen. Shoh shumë entuziazëm midis jush”.

Më pas batuta e radhës: “E di se e doni shumë futbollin. Kam ardhur edhe një herë si trajner i Francës, para 18 vitesh për eliminatoret e Kampionatit Europian 1992 (17 nëntor 1990), por të them të drejtën nuk e mbaj mend rezultatin e ndeshjes (Shqipëria humbi 1-0)”.

Pas shakasë, Mishel në rolin e presidentit.  “Që nga zgjedhja ime si president i UEFA-s në janar të vitit 2007, jam munduar të zbatoj programin me të cilin edhe fitova mandatin. Kam dashur t’u jap një zë të vërtetë të gjitha federatave kombëtare, duke krijuar komisione pranë UEFA-s, të cilat udhëhiqen nga përfaqësues të federatave të ndryshme.

Jam munduar të përcaktoj qartë marrëdhëniet në familjen e futbollit, marrëveshjet mr ndryshme me klubet, lojtarët. Kemi përcaktuar edhe një skemë të re përfaqësimi në Ligën e Kampioneve, për një fazë të re grupesh, ku nga kjo mund të përfitojë edhe një vend si Shqipëria”.

Platini nuk mund të linte pa kujtuar edhe suksesin më të madh të tij si president i UEFA-s. “Më në fund ia dolëm të miratojmë edhe Kampionatin Europian me 24 skuadra, duke nisur nga ai i vitit 2016. Nuk do të isha aspak i befasuar nëse dhe Shqipëria do të bënte pjesë në këto finale”.

“UEFA është familje e madhe, një organizëm ku nuk ka privilegje, si për federatat e mëdha ashtu dhe ato me buxhet financiar të kufizuar. Të gjitha resurset financiare të arkëtuara nga aktivitet tona (të UEFA-s), janë të ndara në mënyrë të barabartë ndërmjet të gjithëve. Ju e shikoni qartë bashkëpunimin tonë përmes solidaritetit në programin ‘Hat-trick’, që sigurisht është shumë i rëndësishëm në federatat me të ardhurat modeste siç është Shqipëria. UEFA ka investuar shumë në infrastrukturën e futbollit shqiptar.

Do të doja të ndanim së bashku eksperiencat. Çdokush mund të përfitojë nga eksperienca e tjetrit. Në Nion (selinë e UEFA-s) ne kemi krjuar një program për të shkëmbyer eksperienca mes federatave, për të përfituar nga eksperienca e njëri-tjetrit, për të zvogëluar hendekun teknik mes federatave të mëdha dhe atyre te vogla.

Ne të UEFA-s jemi shumë krenarë për demokracinë tonë. Dhe kjo demokraci është e përbërë nga 53 demokraci të federatave që janë anëtare tona. Kjo demokraci krijon edhe kredibilitet dhe besim te organizmat e tjera. Kjo demokraci ekziston nëse kemi një pavarësi dhe autonomi ndaj pushtetit politik.

Ne respektojmë në mënyrë strikte ligjet e shteteve dhe bashkëpunojmë me te gjitha fushat me qeveritë ne te gjithë boten dhe, me përjashtim të rasteve kur ato janë në kundërshtim me statutin tonë. U deklaroj në mënyrë solemne se kam autorizimin e FIFA-s dhe UEFA-s për të mbrojtur të gjithë anëtarët tanë nëse kërcënohen dhe janë të rrezikuara nga qeveritë", - tha Platini.

Presidenti i UEFA-s, nuk ka lënë pa përmendur këtu edhe klimën e mirë që ekziston aktualisht mes FSHF-s dhe qeverisë.

“Sot ju jeni mbledhur për një akt shumë të rëndësishëm në jetën një federate. Demokracie është shumë e rëndësishme. Ju treguat se ishit shumë të zotët për të mbrojtur shoqatën tuaj dhe autonominë e institucioneve sportive. E di që situata në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë, por duket qartë se tashmë ajo është zgjidhur. Pata dje (të martën) një takim me presidentin e Republikës, një tifoz i madh e i dashuruar pas futbollit, i cili më pohoi se gjërat po përmirësohen ditë pas dite”

Një legjendë si trajneri i holandez i Shqipërisë, Ari Han, i pranishëm në sallë së bashku me ndihmësin e tij Vim Surbier, nuk ka dyshim që e sjell në humor Platininë.

“Futbolli shqiptar po përmirësohet këtë gjë e tregoi dhe rezultati i ndeshjes së fundit në Portugali. Një ekip kombëtar shumë i mirë, që tregon edhe nga ana tjetër gjendjen e shëndetshme të një federatë. Për këtë dua të falënderoj edhe trajnerin e Kombëtares suaj, të cilin e kam ndjekur që nga koha kur luante me Ajaksin e Amsterdamit. Isha i vogël dhe me bënin te ëndërroj. Për ta mbyllur ju uroj suksese futbollit tuaj dhe rezultate pozitive.  UEFA do të jetë gjithmonë në anë tuaj”, - përfundoi Platini, duke thënë në shqip edhe frazën e famshme që të gjithë të huajt e mësojnë shumë shpejt e thjesht. “Faleminderit shumë”. Në fund, edhe një shkëmbim flamujsh mes tij (UEFA-s) e mikut të tij Armando (FSHF-së).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›