Kompensimi në Shkodër. Ja harta e vlerës së truallit
Pas shumë zvarritjesh, edhe në Shkodër hapet rruga e legalizimeve dhe kompensimit të ish-pronarëve. Nga Vendimi i Këshillit të Ministrave që përcaktonte vlerësimin për qytetin, ka ndryshim në rritje.
SHKODER- Çmimet e reja, të parashikuara për truallin në qytetin e Shkodrës, sipas studimit të kryer nga Zyra rajonale e Kthimit e Kompensimit të Pronave, rezultojnë më të larta se ato, të vendosura nga Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave për këtë qytet. Sipas Besnik Kastratit, drejtues i Zyrës, qyteti i Shkodrës tashmë do të vlerësohet më imtësisht, duke qenë se, nga tri zona vlerësimesh, që ishin përcaktuar deri tani, kalohet në pesë. Megjithatë, kjo ndarje dhe këto çmime ende nuk janë bërë të vlefshme nga pikëpamja ligjore, duke qenë se presin miratimin në një nga mbledhjet e ardhshme të qeverisë. Besnik Kastrati sqaron për Gazetën se kompensimet për ish-pronarët, që janë duke u bërë aktualisht për efekt legalizimesh, po llogariten, duke përdorur çmimin e truallit për vitin 2007. Çmimi është miratuar nga qeveria në shkurt të vitit 2008: 31.753 lekë të reja për metër katror për zonën e qendrës, zona e dytë 21.564 lekë dhe zona e tretë 13.429 lekë për metër katror.
Zona e parë
Çmimi i truallit për zonën e parë është parashikuar 36.360 lekë metri katror. Në këtë zonë përshihen qendra e qytetit të Shkodrës, duke filluar nga ish-Mapoja (Parrucë) në anën jugore; Ura Dervishbeg në anën lindore për të dalë tek Gjykata, Kinema Millenium, duke përfshirë Pjacën e deri tek Universiteti. Vazhdon në anën perëndimore me rrugën kryesore duke përfshirë Teatrin Migjeni. Vazhdohet më tej drejt kryqëzimit, duke përfshirë bllokun ku ndodhet Radio Shkodra, Universiteti i Ri (Rektorati) e mbyllet sërish tek ish-Mapoja në Parrucë.
Zona e dytë
Çmimi i truallit në zonën e dytë është parashikuar 30.700 lekë për metër katror. Zona fillon aty ku mbaron lulishtja e Esat Gjylit. Përfshin Banjon e Vogël e Perashin e Vjetër, filli-min e rrugës Tasim Bërdica (hyrja për në Qafardhi), duke përfshirë kryqëzimin tek Isa Boletini, atë të Serreqit deri tek Kisha e Madhe. Vazhdohet me Gjuhadolin, i cili përfshihet i gjithi në këtë zonë, më tej me shkollën Jordan Misja, për të dalë në afërsi të kryqëzimit të Rusit, duke u kthyer në drejtim të jugut e duke përfshirë lagjen Vajo Kushi, deri në daljen në rrugën Bujar Bishanaku, qendra shëndetësore tek Stadiumi Vojo Kushi, Tregu i Zdrales, një pjesë tek shkolla e Gjuhëve të Huaja dhe në fund tek ish-Tisazhi.
Zona e tretë
Çmimi i truallit në zonën e tretë është parashikuar në masën 23.658 lekë. Zona përfshin Pazarin në hyrje të qytetit, Unazën deri tek Kryqëzimi në Dobraç, zonën e Spitaleve, ish-parkun e autobuzëve. Vazhdohet me rrugën tek varrezat katolike, zonën tjetër të Kishës së Madhe, kryqëzimin tek Stacioni i Trenit, Arrën e Madhe, ish-Fabrikën e Mëndafshit, një pjesë të lagjes Daniel Matlija (Qafardhi), një pjesë të fushës së Draçinit, për t'u mbyllur përsëri në Pazar, krahu tjetër i hyrjes së qytetit.
Zona e katërt
Çmimi i truallit në zonën e katërt është parashikuar 15.843 lekë/m2. Zona përfshin Baçallëkun (lagjen në hyrje të qytetit të Shkodrës) deri tek shkolla në Ajasem, Luguçesme, pjesën e fushës së Tepes me një pjesë të Mark Lulës, stacioni i Trenit duke vazhduar me shinat e hekurudhës deri tek ish-Metalikja. Në kthim sërish, duke përfshirë një pjesë të Uzinës së Telave për të vazhduar me pronat në kufi me Dobraçin, rreth Unazës, deri tek ish-Zooteknika e për të ardhur drejt jugut me ish-Zunkth Kashtën, për t'u mbyllur me livadhet.
Zona e pestë
Çmimi i truallit në zonës e pestë është parashikuar 7.667 lekë për metër katror. Zona përfshin kodrat e Tepes, pjesen e Mark Lulës në afërsi të shtratit të lumit Kir, fundin e ish-zonës industriale e pjesët e populluara së fundmi në afërsi të Dobraçit të Zooteknikës, deri në kufirin administrativ të Bashkisë së Shkodrës.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)