E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia, shtëpi me qira për familjet e pastreha

Nga Ismail Xhaferri
Gjetja e shtëpive me qira nga të pastrehët e "pallatit të tragjedisë" dhe marrja përsipër e pagesës së qirasë dhe faturave të energjisë, ujit, telefonit, u vlerësua si zgjidhja më e mirë nga të dëmtuarit. 

GJIROKASTER Kryebashkiaku gjirokastrit Flamur Bime u ka premtuar familjeve të pastreha dhe atyre që humbën njerëzit e dashur nga shembja e "pallatit të vdekjes" shtëpi me qira, duke garantuar pagesën e qirasë, faturave të energjisë, ujit, telefonit dhe ushqimin nga ana e Bashkisë. Ky premtim u bë dje në një takim të veçantë që ai pati me familjarët e dëmtuar, në të cilin merrte pjesë dhe Mimoza Çomo, sekretare e përgjithshme e Prefekturës së Gjirokastrës. "Është zgjidhja më e mirë për momentin kjo që na premtoi kryetari i Bashkisë, sesa të rrimë të harruar nëpër hotele", - pohuan banorët në këtë takim. Ndërkohë, efektiva të policisë së Gjirokastrës, po dje morën nismën e ndihmës financiare nga të ardhurat personale për familjet e pastreha.
TAKIMI
Ftesës për takim nga ana e kryebashkiakut Bime, iu përgjigjën të gjithë kryefamiljarët që banonin në pallatin e rrëzuar. Bime në prezencën edhe të sekretares së përgjithshme të Prefekturës, Mimoza Çomo, duke i ngushëlluar për fatkeqësinë dhe humbjen, u ka ofruar atyre disa zgjidhje konkrete për situatën në të cilën ndodhen. "Gjeni vetë banesa me qira, ndërsa pagesa e qirasë, dritave, telefonit etj, do të kryhen me ndihmën e strukturave shtetërore", - ka deklaruar Bime. Duke i pyetur për problemet emergjente të jetesës, ai u ka premtuar qytetarëve gjithashtu shërbim 24-orësh nga shtabi i emergjencave dhe ndihmesë në ushqime e veshmbathje.
POLICIA
Një akt human kanë nisur të realizojnë dje policët dhe punonjësit e Policisë së Drejtorisë Gjirokastër, dhurimin e të hollave personale për të dëmtuarit nga tragjedia. "Është një nismë që u përkrah nga të gjithë, duke dhënë secili shuma sipas mundësisë", - pohon për Gazetën zëdhënësi i policisë. Me këto të ardhura, sipas tij, po përgatiten 8 pasaporta falas për tetë kryefamiljarë, pasi për këta të fundit është një nevojë emergjente. Për shkak se një pjesë e efektivave policore kanë njerëz në emigracion, mësojmë se kanë dhuruar deri nga një rrogë mujore. "Vlera e pasaportave është vetëm pak nga të ardhurat që vazhdojnë të grumbullohen. Shuma tjetër do u dorëzohet familjeve të dëmtuara", - shtoi zëdhënësi Gentian Mullaj.
SHQETESIMI
Banorët pranë pallatit të shembur dhe strukturat vendore janë të shqetësuara, pasi vazhdon rrëshqitja e dheut në kodrën famëkeqe në lagjen "11 Janari". Në disa banesa kanë nisur të vërehen çarje në mure e tavane. Arqile Buka, një prej banorëve thotë se banesa e tij ka marrë çarje dhe ka frikë të rrijë në të nëse nuk merren masa. Për këtë shqetësim, Çano Nora, drejtori i Ndërmarrjes Gjeologjike, tha se "jemi duke kryer studimin sizmik të kodrës dhe shpejt do të jepen konkluzione mbi të cilat rrjedhin dhe masat që duhen marrë"

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›