E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezart Taçi, letër Berishës: Përjashtoni anijen time nga taksatNga TemaSkandali i anijes “Athina”, e cila kaloi mbi një javë që rri në portin e Vlorës, po thellohet përditë. Pas botimit në gazetën “TemA” të fakteve mbi përpjekjet e Rezart Taçit për t

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rezart Taçi, letër Berishës: Përjashtoni anijen time nga taksatNga Tema

Skandali i anijes “Athina”, e cila kaloi mbi një javë që rri në portin e Vlorës, po thellohet përditë. Pas botimit në gazetën “TemA” të fakteve mbi përpjekjet e Rezart Taçit për të futur naftën kontrabandë, të quajtur si krudo oil, Rezart Taçi i drejtohet kryeministrit Berisha me një letër në datën 20 korrik, në të cilën deklaron se anija e tij është duke kryer procedurën doganore dhe ka të ngarkuar krudo oil. Për këtë arsye Rezart Taçi i kërkon Berishës që kjo ngarkesë të konsiderohet lëndë e parë dhe të përjashtohet nga taksat doganore.

Letra përmban numër protokolli 2007/092 dhe është dërguar në datën 20 korrik 2009.

Rezart Taçi i kërkon që kjo ngarkesë, pra nafta e papërpunuar e tij, të trajtohet sipas Kodit doganor 27101931, që është një nomenklaturë, e cila përjashton lëndët e para nga taksimi. Rezart Taçi kërkon që Berisha të injorojë faktin që ky është mall i akcizës dhe ta trajtojë si lëndë ndërtimi apo lëndë të tjera të para për industrinë.

Por skandali në të vërtetë nis me Genc Rulin. Letra e Rezart Taçit drejtuar Berishës për të shpëtuar nga taksat ngarkesën, bazohet në një letërkëmbim të tij me Genc Rulin më 10 korrik 2007, në të cilin Ruli i miraton atij praktikisht futjen e naftës krudo në vend duke e këshilluar që nga ajo të prodhohet vetëm gazoil. Letërkëmbimi i Rezart Taçit me Genc Rulin mban numër protokolli 5774, dt. 10.7.2009. Sipas Rulit, nga përpunimi i kësaj nafte bruto të importuar, duhet të prodhohet vetëm gazoil me Kod doganor përkatës.

Pra, e gjithë kjo tregon qartë se skema e futjes së naftës kontrabandë ka qenë e mirorganizuar nga bashkëpunimi i Genc Rulit me Rezart Taçin. Nga ky bashkërendim, shteti shqiptar humbet mbi 7 milionë euro dhe është çështje e Rulit dhe Taçit se si ndahen këto fitime.

Por me gjithë këto veprime tërësisht antiligjore, ata kanë përpara dhe një pengesë serioze. Fleta e analizave që shoqëron mallin me numër 7700-0072-09, e kryer nga laboratori “Intertek”, dëshmon se nuk kemi të bëjmë me naftë krudo, por me naftë të përpunuar. Kjo fletë analize tregon se densiteti i ngarkesës është 082.2, çka dëshmon se nafta është e përpunuar. Ndërkohë, niveli i squfurit në të, sipas analizës që e shoqëron, është 012, ndërsa standardi ynë është 0035.

Analizat e bëra nga laboratori “Intertek”, që shoqërojnë mallin, tregojnë se nafta është ngarkuar nga terminali i Batumit në Gjeorgji, dhe është shkruar se është naftë krudo oil me destinacion ARMO-n në Ballsh.

Gazeta “TemA” ka siguruar tashmë dosjen e plotë të manifestit të ngarkesës së anijes dhe letërkëmbimin e ARMO-s me Berishën dhe Rulin.

Është interesant fakti se si Berisha do të shkelë ligjet që ka miratuar vetë duke futur në treg naftë krudo, ndërkohë që “Albpetrol” apo “Bankers” kanë gjendje rezervë nga nafta jonë, të cilën Rezart Taçi nuk e merr dot më, se ka rreth 50 milionë euro borxh tek ata.

Sidoqoftë, shpërthimi i këtij skandali ka zgjuar interesa të larta në opinion publik dhe zyrtarët e doganave po tregohen të kujdesshëm të mos u ngelet atyre përgjegjësia e skandalit të mundshëm.

Gazeta “TemA” do të vazhdojë ta ndjekë nga afër këtë skandal, i cili po merr përditë e më shumë përmasa të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›