E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mehmet Shehu: “Dëshirojmë normalizimin e kontakteve me Perëndimin”

Vazhdon reportazhi i gazetarit amerikan në qëndrimin njëjavor në Shqipëri. Përshtypjet për jetën në përgjithësi dhe kontakti me kryeministrin shqiptar
Harrison E. Salisbury

TIRANË – Do të ishte e thjeshtë të shkruaje, por ndoshta jo e saktë, se Shqipëria tashmë është kthyer në një copëz të Rusisë staliniste, vend i cili, në mënyrë anakronike ka arritur që të mbijetojë në botën post-staliniste. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Një udhëtimin në vendin me besimtarë myslimanë të zbutur, në anë të detit Adriatik, në mënyrë të menjëhershme zbulon se Shqipëria është një vend që e ka harruar Perëndimi.
Me varfëri të dhimbshme, e lënduar rëndë nga Lufta e Dytë Botërore, e torturuar nga armiqësitë e “Luftës së Ftohtë”, Shqipëria është duke luftuar me të gjitha mënyrat, aq sa është në gjendje, duke u përpjekur që të përmirësojë gjendjen e vështirë që trazon banorët e saj, të cilët e njohin pak historinë e tyre, por që është tragjike.
Shumica e vendit sot nuk është në gjendje të mirë. Standardet e jetesës janë më të këqijat krahasuar me vendet e tjera të Europës, ose shumë afër këtij niveli. Vetëm në zonat e largëta të Siberisë ose të Azisë Qendrore, të cilat janë thuajse të ngjashme, sheh si këtu shumë njerëz të rreckosur dhe të varfër.
Megjithatë, ajo që duhet të nënvizohet është se mirëqenia ekonomike dhe kulturore e Shqipërisë është përmirësuar nga pushteti komunist, me gjithë urrejtjen që shpreh Perëndimi ndaj saj në të gjitha aspektet.
Dhe vizitorët si ky korrespondent dhe turistët e paktë nga Britania dhe Franca duket se po përballen me një urrejtje që vjen nga izolimi armiqësor prej botës Perëndimore.
Kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, këmbëngul se “Shqipëria dëshiron të normalizojë kontaktet e saj me Perëndimin”. Ka arsye që të besohet pasi Moska e kishte nxitur Shqipërinë që të ndërmarrë këtë hap, por së fundi ajo paraqiti kushtet e saj një ose dy vjet më pas.
Në qoftë se shumë prej telasheve të Shqipërisë janë të meta të vendit dhe të udhëheqësve të saj, ajo që mbetet e vërtetë është se jo pak sëmundje në Shqipëri e kanë burimin drejtpërsëdrejti nga mungesa e përkujdesjes së Perëndimit; përbuzja e Perëndimit, armiqësia e Perëndimit në drejtim të popullit të vogël, por krenar.
Përshtypja e parë e këtij korrespondenti, sapo shkeli tokën shqiptare në Aeroportin e Tiranës, ishte se kishte rënë diku në Bashkimin Sovjetik, mbase në malet e Kaukazit. Për herë të parë ai pa një togë ushtarësh që dukeshin të veshur keq, me uniformat e pista ruse. Secili mbante një pushkë të gjatë me bajonetë të ngrehur.
Vendi me trafik të rrallë
Kudo të zinte syri oficerë rusë dhe madje policë rusë me pantallonat e tyre karakteristike me ngjyrë blu, me gradat me ngjyrë të kuqe dhe me xhaketat ushtarake të bardha.
Polici drejtonte trafikun e rrallë me dorë të shtangët që sinjalizonte kolegët e tij moskovitë dhe qëndronte në mes të trafikut në një zonë të kryqëzuar me vija të bardha dhe të zeza. Në aeroport, teksa prisje në dhomë, shikoje tabelat që ishin në gjuhën shqipe dhe ruse. Vetëm më vonë më shpjeguan se oficerët dhe ushtarët ishin shqiptarë. Stili sovjetik i uniformës ishte adoptuar në Shqipëri vetëm disa vjet më parë.
Në shënimet prej bllokut të reporterit të mbeteshin skena të tilla si: gratë punëtore nëpër rrugë dhe ushtarë kudo. Madje, në Bashkimin Sovjetik nuk mund të gjeje kaq shumë ushtarë. Hoteli, një ndërtesë e bukur italiane, mbahej mirë dhe ndodhej me pamje ballore nga bulevardi me emrin “Stalin”. Dy blloqe më tutje shikoje një pjesë të zyrave të komandës ushtarake, ku armët janë në gatishmëri. Ne bëjmë një kalim të shpejtë teksa ecnim më këmbë. Disa ndërtesa të bukura, stadiumi i vockël, i sapondërtuar dhe dyqane ushqimore në radhë. Ushtarë, ushtarë. Hoteli plot rusë. Kamerierët flisnin rusisht.
Përforcova përshtypjet
Këto përshtypje të shqetësimit ushtarak dhe të ndikimit të thellë të Bashkimit Sovjetik nuk ishin shuar gjatë qëndrimit njëjavor, që përfshinte udhëtimet në qytetet kryesore dhe me reportazhe në zonat më të thella të vendit. Kisha edhe përshtypje të tjera më pas. Shqipëria vuajti pushtimin 500-vjeçar turk dhe e flaku tutje zgjedhën në vitin 1912. Me përjashtim të 25 viteve të rezistencës së drejtuar nga heroi i tyre kombëtar, Skënderbeu, në shekullin XV, Shqipëria e ka njohur pak, por ka vuajtur varfërinë, tiraninë, sëmundjen dhe mosushqyerjen gjatë sundimit mes luftërave botërore. Mbreti Zog ishte një njeri i vlerësuar përsa u përket njohurive që kishte. Ai ia doli mbanë me italianët, por pastaj, në kohën e pushtimit gjerman dhe gjatë kohës së luftës guerile, kaloi një periudhë të hidhur.
Regjimi komunist i pasluftës ishte vendosur me vështirësi kur ishte katapultuar si pasojë e konflikteve të brendshme mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë. Konflikti ndau Partin e Punës (Komuniste) së Shqipërisë. Kjo solli një spastrim të udhëheqësve pro-jugosllavë. Dhe për rreth 10 vjet Shqipëria ishte kërcënuar nga goditje të jashtme ose nga revolta të brendshme. Çudia më e madhe në vendin e vogël është se ai duket si një kamp i armatosur dhe që ka vetëm një përparim të kufizuar në përmirësimin e ekonomisë së saj dhe sëmundjeve sociale. Grupi komunist shqiptar që po drejton vendin, me në krye Enver Hoxhën, Sekretarin e Parë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe kryeministrit të vendit, Mehmet Shehu, në mënyrë realiste është i vetëdijshëm rreth fakteve se është Bashkimi Sovjetik dhe vetëm Bashkimi Sovjetik ai që ishte në gjendje të shpëtonte gjallë regjimin e tyre në këto 9 vitet e fundit, që ishin të vështira.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 9 shtator 1957
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e së shtunës do të lexoni:

Gazetari amerikan: Ju tregoj Shqipërinë komuniste të vitit 1957

Si e ngritën kultin e diktatorit rus Stalin pjesa më e madhe e shqiptarëve dhe mitizimi i tij në shoqëri

Shpallja fajtore e Shteteve të Bashkuara përsa u përket marrëdhënieve me Tiranën zyrtare

Opinioni i tyre për mbretin Zog gjatë sundimit të tij dhe ashpërsimi i luftës së klasave

Shkrimi i gazetari Harrison E. Salisbury vazhdon në disa numra radhazi, ku do të ketë intervistë edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Mehmet Shehu

Për më shumë, na lexoni në numrin pasardhës

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›