E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrihen komisionet për renditjen e fituesve

08/12/2009  Fakultetet mbyllin sot në mbrëmje aplikimet, nesër komisionet shqyrtojnë dosjet

Shpallja e fituesve bëhet më 14 dhjetor, rastet kur eliminohet kërkesa e aplikimit

Ngrihen komisionet e përzgjedhjes së kandidatëve që do të shpallen fitues për fazën e parë të pranimeve në studimet me kohë të pjesshme. Pranë çdo fakulteti publik që do të ofrojë për këtë vit akademik studime part-time janë përcaktuar tashmë edhe specialistët e komisioneve që do të verifikojnë dosjen e aplikimit të çdo kandidati, nga ku do të nxirren fituesit sipas kuotave të miratuara nga qeveria. Sot në mbrëmje skadon afti zyrtar i lënë për mbledhjen e kërkesave të aplikimit nga sekretaritë mësimore të fakulteteve për kandidatët që duan të aplikojnë për kuotat e miratuara. Shqyrtimi dhe verifikimi i dosjeve nga këto komisione do të nisë gjatë ditës së nesërme dhe do të përfundojë me shpalljen përfundimtare të fituesve pranë secilit institucion të arsimit të lartë brenda datës 14 dhjetor 2009. Nisja e vitit të ri akademik për këtë kategori studimesh pritet të bëhet në fillim të muajit janar.

Kriteret

Tashmë janë përcaktuar kriteret e përzgjedhjes së fituesve për secilin nga programet. Për të gjitha rastet kur fluksi i kërkesave do të jetë më i lartë sesa numri i kuotave të miratuara kriteri kryesor i përzgjedhës do të jetë mesatarja e shkollës së mesme, ndërsa në rastet e fakulteteve të dyta do të jetë ajo e diplomës së shkollës së lartë. Prioritet në përzgjedhje do të kenë kandidatët që jo vetëm kanë mesataren mbi 8, por nuk figurojnë të regjistruar në asnjë degë tjetër të institucioneve të arsimit të lartë publik në vend. Bazuar në rregulloren e pranimeve, do të përjashtohen menjëhershëm nga faza e përzgjedhjes të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për pranimet në sistemin part-time ndërkohë që janë duke ndjekur studimet e ditës në një fakultetet tjetër. Po i njëjti rregull do të zbatohet edhe për kandidatët që kanë mbaruar tashmë një fakultetet dhe aplikojnë edhe për studimet e pjesshme.

Renditja

Sekretaritë e fakulteteve do të çelin procesin e regjistrimeve sapo të shpallen listat me emrat e kandidatëve fitues. Këta të fundit duhet të paraqiten me dokumentet origjinale të kërkuara për të bërë regjistrimin përfundimtar. Në udhëzimin e publikuar nga Ministria e Arsimit përcaktohet se regjistrimi i kandidatëve fitues do të bëhet vetëm me dëftesën e pjekurisë origjinale të shkollës së mesme. Përjashtim në këtë rast do të bëjnë disa kategori për të cilat përcaktohet se “kur kandidati fitues nuk ka dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë arsimore rajonale/ zyrën arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit”.

Shpallja e fituesve. Regjistrimi

Institucionet publike të arsimit të lartë duhet të shpallin dhe të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme në ambientet e të tyre brenda orës 12:00 të datës 14 dhjetor 2009, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës. Ndërkohë regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë (për Universitetin Politeknik) ku janë shpallur fitues, do të zhvillohet nga data 14 dhjetor deri më 18 dhjetor, duke filluar prej orës 8:00 deri në orën 16:00 pranë sekretarive mësimore të secilit fakultet. Procedura e regjistrimit quhet e vlefshme vetëm në rastet kur kandidati që aplikon ka dorëzuar dëftesën origjinale të marrë në shkollën e mesme.

Fluksi i kërkesave

Ndonëse përfundon gjatë mbrëmjes së sotme afati zyrtar i depozitimit të kërkesave për këtë cikël studimesh, shumë prej degëve e kanë tejkaluar disa herë kufirin e kërkesave krahasuar me kuotat e miratuara. Konkretisht bëhet fjalë për degët e Universitetit të Tiranës që çdo vit paraqesin kërkesa të larta për studime. Ndërsa në nivel degësh rezulton si më e kërkuara dega e Fakultetit të Drejtësisë, më pas vijnë degët e Fakultetit të Histori-Filologjisë, degët e Fakultetit të Shkencave Sociale. Ndërsa pranë Shkencave të Natyrës dega e biologjisë do të ketë hyrje të palimituar për shkak të interesimit të paktët. Pas fazës së parë do të ketë dhe një tjetër rishpërndarje kuotash, në rast se do të mbeten vende bosh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›