Ngrihen me para te pista dhe falsifikim dokumentash
Gjykata e Vlorës, me kërkesë të prokurorisë sekuestron tre pallate në ndërtim e sipër dhe mbi 20 mijë m2 tokë truall në qytetin bregdetar, që kap vlerën e tregur rreth 4 milion euro.
Ky vendim i togave të zeza tashmë është ekzekutuar duke i bllokuar këto prona, që dyshohet se janë ngritur nga para të pista, me anë të dokumenteve të falsifikuara dhe për shkak të ndërtimit pa leje.
Sipas vendimit të bllokimit, pallati në ndërtim 10 - 12 katësh me vlerë mbi 500 mijë euro i familjes Meta që ndodhet në lagjen “Pavarësia”, është sekuestruar pasi dy pronarët po ndiqen penalisht për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “pastrimit të parave”.
Edhe pallati 6 katësh + papafingo me vlerë 800 mijë euro, që po ndërtohet brenda rrethimit të Portit Detar të Vlorës, është bllokuar nga prokuroria pasi pronari G. Feta këtë ndërtim e ka bërë pa leje.
Ndërsa pallati 13 katesh me vlerë mbi 700 mijë euro dhe që ndodhet në lulishten e quajtur ‘’tre racat’’ ne bulevardin Vlore-Skele është sekuestruar për llogari të procesit hetimor ndaj shoqërisë së ndërtimit. Pasi ndërtimi i kësaj ndërtese, dyshohet se është bërë duke falsifikuar dokumentet e pronarëve të truallit dhe lejes së ndërtimit.
Po me vendim gjykate, prokuroria bllokoi edhe një tokë truall me sipërfaqe 20.039 m2 që kap vlerën e rreth 2 milion eurove dhe që ndodhet në zonën e “plazhit të vjetër” në Vlorë me pronar V. Lushaj. Sipas akuzës, ky i fundit akuzohet për “Falsifikim të dokumentave’’ dhe “Pastrim të parave” dhe për këtë fakt është bllokuar kjo pronë.
Sipas vendimit të gjykatës, bllokimi i këtyre pronave është bërë për të mos lejuar tjetërsimin apo ndryshimin e pronësisë deri në përfundim të fazës së hetimit dhe gjykimit.