E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrin Shqipëria, ushqime me helikopterë në zonat e izoluara

Acari dhe dëbora po mbajnë të izoluar prej mëse një jave rrugë dhe komuna të vendit, duke krijuar nevojën e ngritjes së shtabit të emergjencave në zonat juglindore dhe veriore.

Drejtori i Shëndeti Publik në kryeqytet, Gazemend Bejtja ka kërkuar veprimin urgjent për zonat e bllokuara përmes ngritjes së shtabeve operacionale të menaxhimit të fatkeqësive.

Ndërkaq drejtori i Rezervave Materiale të Shtetit, Hysen Arapi tha se drejt veriut janë nisur ndihma ushqimore nga toka dhe ajri. Sipas Arapit drejt Pukës janë nisur 2 kamionë me 300 pako me ushqime. Po ashtu 50 pako ushqime janë nisur me helikopterë drejt komunave Trebisht dhe Klenjë të Dibrës.

Ndërkaq në Peshkopi situata paraqitet e njëjtë, erëra të forta dhe dëbora mbajnë të izoluar akset Qafë  Buall-Peshkopi, Qafë e Buallit-Burrel- Krastë, Bulqizë-Fushë Bulqizë në vendin e quajtur Vajkal. Komunat Ostren, Martanesh, Trebisht dhe Zerqan janë të izlouara dhe po vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike.

Ndërkaq në Pukë prej mëse një jave janë të bllokura të gjitha akset rurale dhe ato nacionale Fushë Arrëz-Kukës dhe Fushë Arrëz-Bajram Curri. Ndërsa mësohet se akset Pukë-Shkodër, Pukë-Fushë Arrëz, Hadroj-Mirditë kalohen vetëm me zinxhirë.

Po ashtu bëhet me dije se 247 familje në Fushë Bulqizë, Iballë, Fierzë, Blerim, Qafë Mali e Qelëz skanë ushqime dhe ngrohje. Në Kukës janë të bllokuara akset Krumë-Bajram Curri, Bajram Curri-Qafë Morinë, Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi dhe Kukës-Bushtricë. Ndërsa akset Kukës-Krumë, Morinë-Kalimash kalohen me vështirësi vetëm me zinxhirë.

Në Korçë akset Qafa e Qarrit, Korçë-Dardhë dhe Korçë-Voskopojë kalohen me zinxhirë. Ndërsa kamionët nuk lejohen ende të kalojnë në aksin Kapshticë-Kozanë. Komunat e bllokura janë Lekas, Çlirim dhe Velcan.

Në qarkun e Korçës mësohet se është ngritur Shtabi i Emergjencave Civile i shoqëruar me grupet operacionale në rastet e fatkeqësive, pasi trashësia e dëborës në shumë komuna ka bllokuar qindra banorë.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Acari siberian mban të bllokuar Shqipërinë Shqipëria vazhdon të jetë e mbërthyer nga temperaturat e ulëta...
  2. Akulli izolon 38 komuna, vështirësi kalimi në shumë akse të vendit Tiranë- Për shkak të motit të keq dhe reshjeve të...
  3. Dëbora mban të bllokuar Shqipërinë Dëbora në vend vazhdon të mbajë të bllokuara akse dhe...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›