E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ngrin" Veriu, akulli dhe bora pengojne qarkullimin

KUKES-TROPOJË - Pas reshjeve të dëborës së rënë dy ditët e fundit, akulli përbën shqetësimin kryesor për zonat e Kukësit dhe Tropojës.
Shtresat e akullit që kanë mbuluar rrugët po pengojnë lëvizjen normale të mjeteve në akset kryesore rrugore të rrethit te Kukësit. “Temperaturat e ulta deri në minus 3 gradë Celsius, që kanë sjellë krijimin e shtresave të akullit, kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në akset kryesore rrugore të këtij rrethi”, bëjnë të ditur burime nga ndërmarrja e mirambajtjes së rrugëve.
Sipas burimeve në aksin rrugor Morin – Kukës – Qafë Shllak, veç 3 borëpastrueseve janë angazhuar edhe 2 mjete të tjera për hedhjen e kripës, gjë që ka bërë që lëvizja e mjeteve në këtë aks rrugor që lidh Shqipërinë me Kosovën aktualisht të jetë normale.
Ndërsa orteku i rënë në Qafën e Malit mbrëmjen e kaluar, ka penguar lëvizjen e mjeteve për më shumë se dy orë.

Edhe në akset rrugore si, Krumë – Kukës, Kukës – Shishtavec e Kukës – Bushtricë, si pasojë e hedhjes së kripës, situata e lëvizjes së mjeteve është drejt normalizimit.

Për shkak të akullit, nga forcat e policisë është bllokuar krejtësisht lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë që mund të bëhen shkak për bllokimin e lëvizjes së mjeteve të tjera.

Aktualisht, në këtë rreth, si rrjedhojë e dëborës dhe akullit, janë të bllokuar krejtësisht komunat e Zapdit, Arrnit e Grykë Cajës, si dhe rreth 16 fshatra të thella, ku ende trashësia e dëborës arrin në mbi 50 centimetra. “Kjo edhe për faktin se akset rrugore që i lidhin këto fshatra janë të kategorisë komunale, ndërsa komunat nuk kanë asnjë fond për vënien në përdorim të mjeteve borëpastruese”, thotë përgjegjësi i zyrës së emergjancave civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.

Tropojë, lëvizja e mjeteve kryhet vetëm me zinxhirë

Por situate nuk paraqitet më e mirë as në tropojë. Reshjet e mëdha të dëborës së dy ditëve të fundit ia kanë lënë vendin shtresave të akullit në rrethin e Tropojës. Ngricat dhe akulli janë i vetmi shqetësim për lëvizjen normale të mjeteve në akset kryesore rrugore të rrethit të Tropojës, ndërsa temperatura vazhdon të jetë edhe gjatë ditës deri minus 4 gradë.
Burime nga autoritetet vendore të Tropojës thonë se po hidhet kripë në aksin kryesor rrugor Qafë Morinë – Bajram Curri – Fierzë që lidh Tropojën me Kosovën, ndërsa një mjet tjetër në aksin rrugor Bajram Curri – Krumë. “Gjithsesi, në këto akse lëvizja e mjeteve vazhdon të kryhet me zinxhirë për shkak të shtresës së madhe të akullit”, thotë Smajlaj.

Me mjaft vështirësi është i kalueshëm edhe aksi rrugor Fierzë – Qafë Mali, ku vec dëborës e akullit ka patur edhe rënie të materialeve inerte në trasenë e rrugës.

Ndërkohë, si rrjedhojë e reshjeve të dy ditëve të fundit ende janë të bllokuar nga dëbora që arrin në mbi 50 centimetra, 12 fshatra të këtij rrethi, kryesisht të komunave Lekbibaj e Margegaj. “Është një i ftohtë i acartë, ndërsa kemi të bllokuar krejtësisht 6 fshatra të komunës”, thotë përmes telefonit kryetari i komunës së largët të Lekbibajt, Gjovalin Gjeloshi.
Sipas tij, një problem tjetër është mungesa e energjisë elektrike në disa prej fshatrave si pasojë e furtunës së një dite më parë që ka shkaktuar dëmtimin e rrjetit të tensionit të ulët.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›