E Diel, 1 Nëntor 2026

Largimet nga puna, borxhi i shtetit 6 milionë euro

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Shteti shqiptar i detyrohet të larguarve me pa të drejtë nga puna një shifër prej 6 milionë eurosh. Drejtori i Kabinetit të institucionit të Avokatit të Popullit, Artur Lazebeu se sipas përllogaritjeve herën e fundit, (pasi tani nuk ka një përllogaritje të re) fatura që i detyrohet shteti të larguarve nga puna, të cilët e kanë dërguar çështjen në gjykatë dhe i kanë fituar të tria shkallët e Ekzekutivit kapte 6 milionë euro.
Por, ai saktëson se kjo shifër pretendohet të jetë më e lartë për shkak të gjyqeve të tjera të fituara nga qytetarët shqiptarë, ku i padituri është shteti.
Avokati i Popullit
“Mosekzekutimi i vendimeve të gjykatave mbetet një nga çështjet më të rëndësishme të vendit tonë. Kjo për shkak, se nga këto mosekzekutime dëmtohet dhe imazhi i vendit. Një qytetar që i ka fituar të tria shkallë e gjyqësorit në vend dhe shteti nuk e zbaron vendimin e formës së prerë të gjykatës, atëherë çështja shkon në Strasburg, ku ka shumë gjasa që ky qytetar të fitojë të drejtën e dëmshpërblimit. Dhe strukturat e shtetit janë të detyruara që ta zbatojnë vendimin e gjykatës së Strasburgut, pasi në rast të kundërt shteti shqiptar penalizohet shumë rëndë”. Pyetjes së gazetës “Ballkan”, nëse ka gjasa që edhe vendimet e formës së prerë të gjykatës në Shqipëri të bëhen të zbatueshme, Lazebeu shprehet se nisma e fundit e ndërmarrë nga qeveria në lidhje me këtë çështje shumë të mprehtë ishte viti 2005. “Pati një nismë pozitive për ti dhënë rëndësinë e duhur ekzekutimit të këtyre vendimeve, për sa i përket largimeve nga puna, të punonjësve të administratës, por procesi duket se hasi në vështirësi. Në këto raste, qeveria duhet të planifikojë një zë në Buxhetin e Shtetit për dëmshpërblimin e kësaj kategorie, por deri më sot, kjo nuk ka gjetur zgjidhje”.
Pengimi i ekzekutimit të gjykatave
Juristët e institucioneve shtetërore kanë gjetur një skemë të re për të penguar ekzekutimin e vendimeve të gjykatës. Burime pranë Gjykatës së Tiranës pohuan se në sekretari janë regjistruar rreth 100 padi të tilla, që ndryshe njihen si kundërpadi për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. Një padi e tillë zgjat më shumë se 254 ditë dhe e gjitha kjo është kohë në favor të institucionit. Të tilla kundërpadi po përdoren edhe nga qytetarët për të mos humbur pasurinë e paluajtshme që rrezikojnë nga vendimet e formës së prerë të gjykatave. Përmbaruesit e kanë më të vështirë të zbatojnë një vendim gjykate kur palë është shteti, sesa kur palë është individi. Këtë fakt e tregon më së miri edhe numri i dosjeve që kanë zënë pluhur në zyrat e përmbaruesve të Tiranës. Sipas burimeve pranë kësaj zyre, renditen një numër i madh dosjesh që presin për ekzekutim. Të njëjtat burime shpjegojnë se numri më i madh i këtyre dosjeve janë ato për rikthim në punë me vendim gjykate të formës së prerë që nuk janë ekzekutuar ende. Të gjitha këto dosje për rikthimet në detyrë falë një vendimi gjykate, janë kosto e dyfishtë për buxhetin e shtetit. Po këto statistika tregojnë se është rritur ndjeshëm numri i dosjeve që ka si palë qytetarin.

Ligji i ri

Kosto dyfish për buxhetin e shtetit

Nga reforma politike e deri në një vendim të gjykatës ndodh një proces zinxhir që ka një kosto të dyfishtë për buxhetin e shtetit. Të gjitha largimet e padrejta nga puna për arsye politike ndëshkohen me vendim gjykate duke përfituar kështu nëpunësit e larguar. Menjëherë, në këtë moment, shteti kthehet në borxhli ndaj kësaj pjese që i përket administratës, kur në të njëjtën kohë po paguan diletantët e partisë në pushtet. Sakaq, dosjet, pasi marrin vendimet e formës së prerë, qëndrojnë për vite me radhë në zyrat e përmbaruesve, në pritje të zbatimit. Aktualisht po bëhet gati edhe ligji për përmbarimin privat. Ministria e Drejtësisë ka përgatitur vetëm bazën ligjore se si do të funksionojë përmbarimi si një aktivitet privat, por ende nuk janë hartuar aktet nënligjore për rregullat e konkursit që do të përzgjedhë juristët për të marrë një licencë të tillë. Hartuesit e ligjit për shërbimin privat të përmbarimit janë shprehur se në momentin që do të funksionojë ky shërbim, do të ndryshojë situata aktuale nëpër zyrat përmbarimore në vend. Sipas tyre, skema e re do të funksionojë në atë mënyrë që do të ketë interes si shteti, ashtu dhe përmbaruesi privat që ta ekzekutojë dosjen sa më parë.

Shqyrtimet
Në Gjykatën e Tiranës rezulton se janë duke u shqyrtuar rreth 276 padi. Kërkesat janë depozituar gjatë vitit të kaluar, por ka pasur edhe padi të reja gjatë dy muajve të parë të vitit 2010

Dëmshpërblimet
Gjatë viteve 2005 deri në vitin 2010, 1265 persona të larguar nga administrata shtetërore janë paguar nga buxheti i shtetit.

Paditësit
Në Gjykatën e Tiranës, këtë vit janë regjistruar 61 padi të reja. Paditës janë persona që kanë punuar në funksione të larta të administratës shtetërore kryesisht në ministritë e linjës

Profesionet
Krahas nëpunësve të administratës shtetërore, paditës janë edhe mjekë, ushtarakë, persona që kanë punuar në drejtoritë e shërbimeve postare, si dhe në shumë vende të tjera

Vendimet
Krahas “padive për marrëdhënie pune” në gjykatë janë regjistruar edhe shumë padi që kundërshtojnë vendimet e ministrave të linjës që kanë hequr nga puna persona të administratës

Emrat e personave që kanë
paditur institucione të larta

Të paditura janë edhe institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar, nga Parlamenti, Këshilli i Ministrave, ministritë e linjës e deri te drejtoritë përkatëse. Kuvendi është paditur nga ish-deputeti Ilir Zela, i cili ishte në marrëdhënie pune, por u shkarkua. Edhe tre “kolegë” të Zelës e kanë paditur për të njëjtën “akuzë”. Ndërkohë, ish-drejtori i stadiumit “Qemal Stafa” ka paditur Qendrën Sportive për largim të padrejtë nga puna. Të njëjtën gjë kanë realizuar edhe Slator Sinani që ka paditur Ministrinë e Kulturës dhe Armand Bace që ka paditur Ministrinë e Shëndetësisë. Po ashtu, Nazmi Ajazi ka paditur Ministrinë e Mjedisit, Hervin Çuli, Teatrin Kombëtar e Bestar Xhafa Ministrinë e Mbrojtjes. Të gjithë kundërshtojnë largimin në mënyrë të padrejtë nga puna. Në zyrat arkivore të Gjykatës së Tiranës ndodhen në proces shqyrtimi 276 padi “për marrëdhënie pune”. 214 padi janë mbartur dhe 61 kanë ardhur të reja.

Policia e Shtetit, më
e prekura nga largimet

Policia e Shtetit rezulton të jetë një nga institucionet më të prekura për sa i përket fenomenit të largimeve nga puna. Reformat që e ndjekin Policinë e Shtetit, kanë krijuar dhe një inflacion oficerësh, apo dhe komisarësh. Mosrespektimi, kryesisht i gradave në polici piramida që e karakterizon këtë fushë është deformuar, duke nxjerrë dhjetëra kuadro të përgatitur pa punë. Nëse eksperiencat e huaja tregojnë se policia duhet të ketë vetëm një drejtues të parë, apo Drejtor të Përgjithshëm me sistemin e ri të gradave, në Shqipëri e mbajnë këtë gradë më shumë se një punonjës i tillë. Kështu, shteti është i detyruar të paguajë koston. Kështu, gradën Drejtues i Parë në Policinë e Shtetit e mban, ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Bilbil Mema. Pas shkarkimit të tij nga puna, ai paditi Ministrinë e Brendshme, duke fituar të drejtën e dëmshpërblimit, deri në rikthimin në punë. Më pas ai do të zëvendësohej me Drejtuesin e Parë, (me sistemin e vjetër të ligjit për gradat), Bajram Ibraj. Në këtë rast shteti është i detyruar që të paguajë dy persona me të njëjtën pagë, për heqje të padrejtë nga puna. Por, të tilla raste ka me dhjetëra në Policinë e Shtetit, me punonjës që mbajnë grada më të ulëta.
Ky lajm është publikuar: 09/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›