E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raportet KFOR-FSK, ende të paqarta

PRISHTINë- Raportet mes KFOR-it dhe FSK-së nuk janë qartësuar plotësisht. Ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës thotë se mosmarrëveshja me KFOR-in është tejkaluar, misioni ndërkombëtar ushtarak nuk e pohon këtë, por thotë se janë duke zhvilluar diskutime në nivele të ndryshme për të kapërcyer situatën.

Dy ditë më parë, komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, ngriu raportet me FSK-në, për shkak se Garda e armatosur e FSK-së mori pjesë në manifestimin Epopeja e UçK-së. Sipas KFOR-it, kjo nuk ka përkuar me statusin joushtarak të FSK-së.

“KFOR-i nuk e komenton deklaratën që është lëshuar sot nga FSK-ja. Ne jemi duke zhvilluar bisedime në nivele të ndryshme, në përpjekje për të zgjidhur çështjen. Jemi optimistë se do të kemi zgjidhje të mirë në të ardhmen”, i tha Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Hans Peter Buh.

Në anën tjetër, në një komunikatë për media, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës thotë se e "çmon bashkëpunimin me KFOR-in dhe NATO-n si të domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon".

Në komunikatë thuhet se bashkëpunimi me KFOR-in e NATO-n në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, është i shkëlqyeshëm.

KFOR-i është në pritje të sqarimit nga ana e autoriteteve të Kosovës të, siç e ka quajtur, incidentit të së premtes. KFOR-i ka kërkuar veprime korrigjuese, si dhe garanci se veprime të tilla nuk do përsëriten.

Vendimi për pezullimin e përkrahjes, mentorimit dhe trajnimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është marrë nga komandanti i KFOR-it. Nuk është saktësuar ndonjë afat pezullimi.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›