E Diel, 1 Nëntor 2026

Taulanti i Rams përballet me humbjen e identitetit

Nuk ka gjë me të sikletshme për veshët e dëgjuesve apo për sytë e lexuesve, sesa komentimi i konferencave të përditshme për shtyp të Partisë Socialiste, pale pastaj kur qëndrimi politik i opozitës artikulohet nga një deputet si Taulant Balla. Një debutant në kabaretin politik edvinist. Mbetet një detyrë parësore e talenteve të rinj, majtas, që me paaftësi, me shtinjakëri dobiçësh, me mungesë respekti dhe me besim te patundur - jo vetëm tek vetja, por mbi të gjitha tek mesianizmi i Politikës së re - të bëjnë pis gjithçka që shkon mirë në këtë vend. De-personalizimi i PS po sjell gjenerimin e filistejve të amoralitetit politik, sepse përtej pretencave akuzuese nuk ka asgjë, asnjë ide e asnjë alternativë. Ndonëse është një investim pervers, Partia Socialiste po shfaqet e gatshme të bëjë çdo gjë për të marrë pushtetin në tavolinë, qoftë edhe të mistifikojë realitetin me kartat e kazinove të Gramoz Ruçit, që shumëfishohen nga 3 në 70 mijë. Bile as Jezu Krishti me “bukë dhe peshk” nuk do të kish mundur ta bënte këtë shumëfishim. Por demonizimi i procesit zgjedhor nga gjuha e bigëzuar e Taulant Ballës nuk ka kufi, pasi shefi i PS i ka urdhëruar të riciklojë argumentime me kutitë e “rruzhdies”. Vullneti i opozitës nuk është transparenca, sepse këto do të kishte shkuar në prokurori, por vullneti i saj primar është baltosja e procesit zgjedhor më të mirë të realizuar ndonjëherë në vendin tonë. Mirëpo sajesa e “krimeve elektorale” trondit institucionet që po gjenden çdo ditë të zotit të bombarduar nga de-legjitimiteti, çdo ditë po u kërkohet të manipulojnë realitetin me akt-akuzat e konferencave për shtyp... është fiks “shpif, shpif, se diçka do të mbetet. Afërmendsh, jemi të vetëdijshëm se teknika të manipulimit kolektiv gjithmonë kanë qenë prodhime të totalitarizmave, por sot gjërat kanë ndryshuar, janë këmbyer rolet në aksionin e madh të mistifikimit të të dhënave dhe të së vërtetës. Opozita ka marrë flamurin e leximin të realitetit sipas midesë së apolitikanit Edi Rama, i cili shfaqet përditë e më shumë se ka alergji nga demokracia dhe nga zgjedhjet e lira. Prej këtij stadi u prodhua edhe loja perverse këtu e 6 muaj të shkuara, që përpiu energjitë e shoqërisë me fiktivitete “kutish të shqepura”, ngase lindnin kryesisht nga mos-pranimi i humbjes së 28 qershorit. Deputeti i Librazhdit, Taulant Balla, sfidon me provokime si brenda dhe jashtë parlamentit kryeministrin Berisha me deklarata se “Në emër të PS-së, ai i ka bërë thirrje Berishës që nëse është i sigurt se në kuti nuk fshihen numra identiteti të falsifikuar, ai duhet të pranojë hapjen e kutive”. Problemi që ka opozita shqiptare është se niset nga një aksiomë thellësisht e gabuar e “manipulimit dhe krimit elektoral”, prandaj kryeministri Berisha duhet të bëjë mea-culpa dhe të çertifikojë, madje të japë prova, sidomos të vetë-akuzohet se ka manipuluar votime me kartat e identiteti. Sipas teorisë të ish-Ministrit të Sigurimit, Gramoz Ruçi dhe nxënësit Balla, nuk janë vetëm 3 karta identiteti të falsifikuara por plot 70 mijë, ç’ka është një shifër që kapërcen çdo lloj logjike akuzatore. Madje jemi të sigurt se edhe militanti më i zellshëm soc-komunist do të kishte vështirësi t’i besonte gjetjes së provave nga ish-ministri i fundit i Sigurimit. Gjithashtu as prokurori gjakatar komunist Aranit çela nuk do të guxonte të shpallte shifra të tilla sabotimi. Gjithsesi nëse PS ka pretendime të arsyeshme, sepse 70 mijë karta identiteti të manipuluara nuk janë, të drejtohet sa më shpejt në prokurori. Nëse ka prova të këtij mega-fanta-manipulimi t’i nxjerrë në medie, dhe jo të tundë kartat e kazinove të Artan Gaçit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›