E Shtunë, 31 Tetor 2026

Santorum mbështet Romneyn

Ish-pretendenti për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale amerikane, Rick Santorum, ka shprehur zyrtarisht mbështetjen për ish-rivalin e tij, Mitt Romney.

Në një e-mail të dërguar gjatë orëve të natës, ai u bëri thirrje mbështetësve të tij që të mbështesin kandidatin e emëruar, për t’i pamundësuar presidentit Obama marrjen e mandatit të dytë.

Santorum tha se ishte i impresionuar nga “mirëkuptimi i thellë” i Romneyt për çështjet ekonomike dhe familjare, pas një takimi të zhvilluar me të javën e kaluar.

Mbështetja e tij tani mund të ndihmojë Romneyn që të sigurojë terren edhe lidhur me çështjet fetare konservatore.

Rick Santorum i dha fund garës së tij për në Shtëpinë e Bardhë në muajin prill, pasi Romney arriti një kuotë të pakalueshme.

“Mbi të gjitha, ne të dy biem dakord se presidenti Obama duhet mposhtur. Detyra jonë nuk do të jetë e lehtë. Ajo do të kërkojë gjithë mbështetjen që kandidati ynë të shpallet fitues”, tha Santorum.

“Guvernatori Romney do të jetë i emëruari dhe ai ka miratimin dhe mbështetjen time për të fituar në zgjedhjet më kritike të jetës sonë”, shtoi ai.

Santorum u përlesh ashpër me zotin Romney gjatë debateve mes kandidatëve për të emëruarin dhe në një moment ai e cilësoi atë si republikanin më të keq që mund të sfidojë Obamën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›