Ngritja e KZAZ-ve për zgjedhjet, KQZ shtyn për të premten diskutimin
Propozohet shtimi i numrit të Zonave të Administrimit të Zgjedhjeve
Komisioni Qendror Zgjedhor zhvilloi sot një seancë të shkurtër për të vendosur lidhur me ngritjen e Zonave të Administrimit të Zgjedhjeve për zgjedhjet e përgjithshme. Por përfaqësuesit e majtë në këtë komision kërkuan shtyrjen e diskutimit për të premten. Ndërkohë që anëtarët e mazhorancës insistuan në faktin se duhet të punohet me ritme të shpejta për arritjen e afateve ligjore. Megjithatë pavarësisht kundërshtive për një shtyrje të tillë, KQZ vendosi që diskutimi të rimerret ditën e premte në orën 10:00, ditë në të cilën do të vendoset mbi një çështje të tillë. Deri në zgjedhjet e fundit ishin të ngritura dhe funksiononin 66 ZAZ.
Ndërkohë që në relacionin e vënë në dispozicion nga ana e këtij institucioni propozohet që për zgjedhjet parlamentare të 2013 të shtohen dhe 10 të tilla duke e çuan numrin e ZAZ-ve në 76 të tilla. Kjo e argumentuar në bazë të shpërndarjes së numrit të popullsisë, e konkretisht të qytetarëve që kanë të drejtën e votës.
Relacioni i KQZ-së
Në bazë të Kodit Zgjedhor, neni 27, pika 5, “ZAZ-të miratohen nga KQZ-ja jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, mbi bazën e numrit të shtetasve me të drejtë vote në datën e fundit të periudhës zgjedhore për caktimin e zgjedhjeve, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Jo më vonë se 10 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i dërgon të dhënat KQZ-së, të ndara sipas njësive të qeverisjes vendore”. Këto të dhëna kanë ardhur në KQZ me shkresën e Ministrisë së Brendshme Nr.7375/1, datë 07.11.2012.
Për zgjedhjet e Kuvendit të vitit 2009, në bazë të Kodit Zgjedhor, neni 180, ZAZ-të u miratuan nga Kuvendi. Në nenin 180 të Kodit Zgjedhor përmendet se ZAZ-të e miratuara nga Kuvendi “do të mbeten në fuqi pas zgjedhjeve të vitit 2009, deri në rishikimin e tyre nga KQZ, në përputhje me nenin 27 të këtij Kodi”.
Juridiksioni territorial i ZAZ-ve si rregull është i njëjtë me rrethin administrativ. Rrethet që kanë më shumë se 60 mijë zgjedhës (më parë kufiri ka qenë 70 mijë) ndahen nga KQZ-ja në më shumë se sa një ZAZ. Nga 36 rrethe që ka në të gjithë vendin, 22 prej tyre kanë më pak se 60 mijë zgjedhës dhe përbëjnë secili nga një ZAZ, 14 rrethe kanë mbi 60 mijë zgjedhës dhe ndahen në më shumë se sa një ZAZ.
Mbështetur në kriteret për ngritjen e ZAZ-ve sipas pikave 2, 3 dhe 4 të nenit 27 të Kodit Zgjedhor dhe në të dhënat e dërguara nga MB për numrin e zgjedhësve, del se nga 66 ZAZ që ishin në zgjedhjet për Kuvend 2009, në Zgjedhjet për Kuvendin të vitin 2013 propozohet të ngrihen 76 ZAZ. Tre ZAZ krijohen nga ndarja e rretheve Gjirokastër, Pogradec dhe Lezhë nga një në dy ZAZ secili, për faktin se kanë më shumë se 60 mijë zgjedhës. Katër ZAZ krijohen nga ndarja e bashkive Durrës, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë nga një në dy ZAZ secila, për faktin se kanë më shumë se 80 mijë zgjedhës (më parë kufiri ka qenë 100 mijë). Tre ZAZ krijohen nga ndarja përkatësisht e ZAZ-ve nr.2 rrethi Berat, nr.19 dhe nr.20 rrethi Fier, nr.57 dhe nr.58 rrethi Tiranë, që janë mbi 60 mijë zgjedhës.
Veç rretheve dhe bashkive të përmendur më sipër, që u ndryshojnë kufijtë e ZAZ-ve për arsye të shtimit të ZAZ-ve, kufijtë e ZAZ-ve ndryshojnë edhe në rrethin e Kavajës dhe atë të Sarandës ku përkatësisht bashkia e Kavajës dhe bashkia e Sarandës përbëjnë ZAZ më vete me që kanë secila mbi 30 mijë zgjedhës (më parë ka qenë 40 mijë). Në tabelën bashkëlidhur jepen të dhëna për sasinë e ZAZ-ve sipas rretheve.
Në se miratohet propozimi i bërë, ndër 76 ZAZ-të: 19 prej tyre përbëhen secila nga një bashki ose njësi bashkiake, 8 ZAZ përbëhen nga pjesë bashkie (Durrës, Elbasan, Shkodër dhe Elbasan), 22 ZAZ përbëhen secila nga një rreth dhe 27 ZAZ përbëhen nga më shumë se një njësi e qeverisjes vendore, pjesë të 14 rretheve që kanë mbi 60 mijë zgjedhës.
Në krijimin e ZAZ-ve janë patur parasysh kriteret e përcaktuara në Kodin Zgjedhor: pandashmëria e territorit të komunës dhe bashkisë; vazhdimësia dhe kompaktësia e territorit, duke shmangur barrierat gjeografike; mundësi të mira komunikimi brenda territorit dhe numër i përafërt zgjedhësish.
Numërtimi i ZAZ-ve ka ngelur ai që ka qënë edhe më parë. Aty ku ka shtime është përdorur numri me fraksion. Psh ZAZ e bashkisë Elbasan kishte numrin 12, ky numër ka ngelur për njërën nga ZAZ-të e kësaj bashkie, ndërsa ZAZ-ja tjetër ka marrë numrin 12/1.
...