E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Franca të mbështesë Shqipërinë në marrjen e statusit

05-12-2012 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli zhvilloi takime pune në Senatin dhe Asamblenë Parlamentare të Francës, ku u prit nga nënkryetarja e Senatit francez Bariza Khiari dhe nënkryetarja e Parlamentit të Francës, Laurence Dumont, takime ku të pranishëm ishin edhe Kryetarët e grupeve të miqësisë mes dy vendeve.

Zonja Khiari dhe zonja Dumount, me gjithë axhendën e ngjeshur, pritën shumë ngrohtësisht Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë në këto takime ku theksua se mes Francës dhe Shqipërisë ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera, të cilat do të thellohen edhe më tej në vitet që vijnë.

E vetëdijshme se tre ligjet e kërkuara nga Brukseli ende nuk janë votuar në Parlament nga opozita, Kryetarja e Kuvendit u kërkoi autoriteteve franceze të mbështesin Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ajo tha se për shkak të një vendimi të pa sens, bllokues të Kryetarit të Partisë Socialiste, nuk duhet të dëmtohen shqiptarët dhe Shqipëria.

Kryetarja e Kuvendit tha se pavarësisht mos-votimit nga opozita  të tre ligjeve të integrimit, shqiptarët meritojnë t’i bashkohen familjes evropiane sepse janë një popull me vokacion perëndimor, janë një popull evropian, me rrënjë të thella në histori e që meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Për këtë, mbështetja e miqve si Franca është shumë e rëndësishme. Në këto takime pune nënkryetarja e Parlamentit të Francës, Laurence Dumont ashtu si edhe nënkryetarja e Senatit francez Bariza Khiari personalitete politike me shumë influencë, shprehën mbështetjen e Francës për aspiratën integruese të Shqipërisë.

Zonja Jozefina Topalli falenderoi për ardhjen e delegacionit të Senatit francez në festimet e  datës historike, 100 vjetorit të Pavarësisë, si shenjë shumë domethënëse e pranisë së Francës në momentet historike të gëzimit ashtu si edhe të vështirësive të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit i ftoi nënkryetaret Khiari dhe Dumount të vijnë në Shqipëri, ftesë që ato e pritën me shumë kënaqësi. Në bisedat shumë miqësore u vlerësua bashkëpunimi mes dy legjislativëve dhe projekti i binjakëzimit në kuadër të IPA-s.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›