Forcat tona të Armatosura, një gur kilometrik në jetën e vendit

Nga Bujar Nishani *
(Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura)
100-vjetori i krijimit të Forcave tona të Armatosura është një gur i rëndësishëm, kilometrik në jetën e vendit tonë. Si pjesë e pandarë e festimeve të 100-Vjetorit të Pavarësisë, kjo ditë ofron një mundësi të mirë, jo vetëm për të reflektuar mbi arritjet e deritanishme, por ç’është më e rëndësishme, të hedhim vështrimin në rrugëtimin, që kemi përpara. Si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, jam plotësisht i vetëdijshëm për rolin e madh e historik, që kanë luajtur Forcat tona të Armatosura në sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe sovranitetit të vendit tonë. Hyrja dhe bashkimi ynë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior ndryshoi kërkesat e Shqipërisë për siguri e mbrojtje. Anëtarësia jonë në këtë organizatë ofron një shtresë më tepër dhe më të fortë sigurie, duke na dhënë mundësinë që, kërkesat tona ushtarake për mbrojtje të harmonizohen me NATO-n. Si rrjedhojë e anëtarësimit në Aleancë dhe parimit të saj për mbrojtjen kolektive, vendi ynë ka përfituar tashmë një nivel më të lartë sigurie. Megjithatë, duhet kuptuar mirë se, përveç përfitimeve, anëtarësimi sjell edhe përgjegjësi. Në përmbushje të kërkesave për mbrojtje, ne do të vazhdojmë të rrisim cilësisht dhe modernizojmë Forcat tona të Armatosura, gjithnjë në përputhje me burimet e brendshme. Në këtë kontekst, është e domosdoshme të shqyrtojmë me kujdes kapacitetet e nevojshme strategjike, operacionale e taktike për Forcat tona të Armatosura, duke u siguruar që aty të përfshihen kapacitetet e duhura kombëtare në mbështetje të popullsisë, ndërkohë që zhvillojmë dhe kapacitetet në përmbushje të kontributeve tona për Aleancën. Kjo nuk është një detyrë e lehtë. Ajo kërkon një analizë të kujdesshme, të detajuar e komplekse për të përcaktuar balancën e duhur midis kapaciteteve ushtarake që do të donim të kishim, dhe mundësisë për mbështetje me burimet e nevojshme financiare e materiale për të krijuar ato kapacitete, për të cilat kemi më shumë nevojë. Shqiptarët kanë një traditë të gjatë luftarake dhe shërbimi ushtarak është vetiu një jetë sakrificash. Populli shqiptar i admiron ata që luftojnë për lirinë, paqen e pavarësinë e vendit. Sot, në 100-vjetorin e Forcave të Armatosura, nderojmë dhe përshëndesim të gjithë ata, që kanë zgjedhur të shërbejnë si pjesëtarë të Forcave të Armatosura. Forcat tona të Armatosura kanë përjetuar ndryshime dhe sfida të rëndësishme. Ndryshimet që solli rënia e Murit të Berlinit, u pasuan në Forcat tona të Armatosura me reduktimin e ndjeshëm të numrit të tyre, numër ky i ndërtuar për të mbështetur frymën dhe konceptin e një ideologjie konfrontuese gjatë regjimit të mëparshëm në kohën e Luftës së Ftohtë. Tani po punojmë për të krijuar një forcë, që të jetë në gjendje të mbështesë nevojat e vendit dhe të marrë pjesë në projekte bashkëpunimi ndërkombëtar me aleatët tanë. Shqipëria tashmë ka synimin e qartë për të krijuar ushtrinë e vogël më të mirë në NATO, duke përdorur burimet e vëna në dispozicion nga populli në mënyrën më efektive të mundshme.
Procesi kompleks i transformimit të Forcave të Armatosura ka ende rrugë për të bërë. Për këtë qëllim, kërkohet akoma më shumë punë organizative dhe intelektuale për të arritur përputhshmërinë e plotë me Aleatët tanë. Disa vite më herët, Shqipëria mori vendimin politik për krijimin e një force tërësisht profesioniste dhe vullnetare. Kjo kërkon zhvillimin e një mendësie të re strategjike, operacionale e taktike në të gjithë Forcat e Armatosura. Procesi i Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, që po kryhet në bashkëpunim dhe me ndihmën e Aleatëve tanë të mëdhenj, ka vënë në dukje faktin se, detyrat dhe përgjegjësitë e Ushtrisë mbeten dinamike, komplekse e të vështira. Transformimi i Forcës mbetet si rrjedhojë, një proces i vazhdueshëm. Vullneti i njerëzve tanë në uniformë për t’i shërbyer vendit në kohë të vështira dhe hera-herës me rrezik, vullneti për të mbajtur krenarisht uniformën e vendit tonë, vlerësohet dhe respektohet shumë nga të gjithë shqiptarët. Tani që festojmë 100-vjetorin e Ushtrisë, në emër të popullit shqiptar, përshëndes gjithë pjesëtarët e Forcave të Armatosura, që kanë shërbyer ndër vite dhe ata, që vazhdojnë t’i shërbejnë vendit, duke i falënderuar për kontributin e tyre të veçantë në interes të Shqipërisë. Nder dhe respekt të gjithë atyre ushtarakëve, që dhanë jetën në shërbim të vendit. Homazh për të gjithë ata, që nuk ndodhen më mes nesh. Përshëndetje të përzemërta për gjithë ata, që ky 100-vjetor i gjen në krye të detyrës, larg atdheut, në mbrojtje të paqes dhe vlerave më të mira të njerëzimit, krah për krah e denjësisht me aleatët tanë! Faleminderit për shërbimin dhe lartësimin e emrit të Shqipërisë!Sot festojmë 100 vjet arritjesh, plotësisht të vetëdijshëm se kemi përmbushur një numër të madh synimesh dhe se ende më shumë syresh na presin përpara për t’u arritur. Sot, që fillojmë 100-vjetorin e dytë të Forcave të Armatosura, kërkoj nga çdo pjesëtar në uniformë, apo civil i komunitetit tonë të mbrojtjes që, të marrë, apo të rinovojë angazhimin personal për të vazhduar me përkushtim procesin e transformimit dhe rritjes cilësore të Forcave tona të Armatosura. Urime për 100-vjetorin! Rrofshin Forcat tona të Armatosura! Rroftë kombi shqiptar!”
* Fjala e plotë e presidentit të republikës në kremtimet për 100 vjetorin e FA