“PS t’u faktojë shqiptarëve se do vërtet transparencën e kërkuar”
Deputeti Viktor Gumi
Deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtari i Komisionit Hetimor për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës Viktor Gumi, i apelon deputetëve socialistë, të ndjekin punimet e këtij komisioni, e cila as më shumë e as më pak, është nisma e kërkuar nga opozita këtu e 7 muaj më parë.
Gumi tha se mos pjesëmarrja në Komisionin Hetimor fakton qartë se opozita nuk do hetimin e zgjedhjeve, por të sajojë tymnaja, vetëm e vetëm për hir të interesave të Edi Ramës dhe klanit të tij udhëheqës.
“Në vijim të binomit kushtetutshmëri – transparencë Partia Demokratike fton Partinë Socialiste dhe zotin Edi Rama dhe të gjithë deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të marrë pjesë aktivisht në nismën e Kuvendit për transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009, në përputhje me vendimin e djeshëm të miratuar prej Kuvendit. Për zgjedhjet më të mira që kanë pasur shqiptarët këto 20 vjet, dje socialistët treguan se nuk iu intereson transparenca, por tymnaja dhe vetëm tymnaja për çështjen e zgjedhjeve”, tha Gumi.
Sipas tij, hetimi parlamentar i zgjedhjeve ka qenë kryefjala e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të gjithë këtë kohë, dhe pas një pune të përgjegjshme disa javore të Komisionit të Ligjeve dhe të diskutimeve në seancë plenare, Kuvendi i çeli dritën jeshile hetimit kushtetues të zgjedhjeve të përgjithshme.
“Por, Partia Socialiste provoi se nuk e do transparencën, dje Partia Socialiste refuzoi të bëjnë transparencën e zgjedhjeve. Për Kuvendin e Shqipërisë është realizuar dhe përmbyllur, në përputhje me Kushtetutën, një temat më të nxehta të jetës politike në këto shtatë muaj të cilat përbënin njëkohësisht edhe flamurin e betejës politike të opozitës. Për pasojë, tani ajo që mbetet është zbatimi në praktikë i vendimit të Kuvendit. Mazhoranca deklaron se do t’i qëndrojë të gjithë atyre premtimeve të bëra publikisht, duke realizuar kështu edhe parakushtet e tjera të deklaruara për arritjen e konsesusit politik, me qëllim ushtrimin e rolit kontrollues të Kuvendit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin”, deklaroi më tej, deputeti i PD-së dhe anëtari i Komisionit Hetimor.