E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngulitja e kulturës së linçit

Rasti i një egjiptiani, i cili u tërhoq zvarrë nëpër një rrugë në Greqi, dëshmon për rritjen e armiqësisë kundër migrantëve në këtë shtet anëtarë të BE-së. Në disa vende autoritetet madje po bashkëpunojnë me ekstremistët e djathtë, të cilët konsiderohen përgjegjës për sulmet gjithnjë e më të shpeshta kundër jo-grekëve.

Të shtunën, dy grekë rrahën një egjiptian të rin në qytezën Manolada, në prefekturën Ilia në Peloponez. Sipas dëshmitarëve okularë, ata e qëlluan në kokë dhe duar, më pas ja ngujuan kokën në xhamin anësor të automjetit të tyre, duke e tërhequr zvarrë rreth një kilometër nëpër rrugë.

Ky rast ka nxitur edhe më shumë urrejtjen tashmë ekzistuese kundër të huajve në Greqi. Siç njoftoi gazeta To Vima, duke cituar burime të policisë, nuk ishin dy grekët, por fillimisht migranti egjiptian që ishte sjellë në mënyrë agresive, e krahas kësaj ai nuk kishte as leje identifikimi dhe ka qëndruar ilegalisht në Greqi.

Komentet e lexuesve në faqën në internet të To Vimas ishin të mbushura me urrejtje. Njëri nga lexuesit, me emrin Kostas, në komentin e tij ndër të tjera shkroi:”Ata kanë bërë mirë, ngase janë sulmuar të parët. Ata kanë reaguar spontanisht ndaj një krimineli të rrezikshëm, i cili po qëndron ilegalisht në vend. Të gjithë grekët duhet të shqyrtojnë mundësinë që të armatosen, ngase vendi ynë është shndërruar në Perëndim të egër”.

Shumë lexues në komentet e tyre theksuan se partia e ekstremit të djathtë, Agimi i Artë, është zëri i vetëm në Greqi, i cili po merr guximin që të thotë të vërtetën.

Rasti i dhunës kundër egjiptianit të ri tërhoqi vëmendjen e opinionit për shkak të brutalitetit të sulmuesve, por ka tashmë disa muaj që sulmet e dhunshme kundër migrantëve në Greqi janë përditshmëri. Në Athinë djelmosha të rinj, të veshur me fanella të zeza dhe të armatosur me shkopinj, pothuajse çdo ditë bëjnë gjueti kundër të huajve.

Jo-grekët po rrahën nëpër autobusë dhe në metro, e ka raste kur ata janë sulmuar edhe me thika.

Nuk ekziston pothuajse asnjë migrant në Athinë, i cili nuk e njeh dikë që është sulmuar. Shpesh ndodhë që policët gjenden afër vendit ku ndodhin këto sulme, por ata rrallë herë ndërhyjnë për të ndalur sulmuesit.

Urrejtja kundër migrantëve bëri që në zgjedhjet e fundit të forcohet partia e ekstremit të djathtë, Agimi i Artë, anëtarët e së cilës konsiderohen si përgjegjës për sulmet kundër të huajve.

Siç njoftoi gazeta tjetër greke, Ta Nea, kjo parti tani synon të formojë të ashtuquajturat “Batalione të sigurisë”, për të luftuar kriminalitetin burim i të cilit janë migrantët. Një funksionar i Agimit të Artë në rajonin Mesinia ka ftuar të gjithë meshkujt prej moshës 15 deri në 75 vjet që t’i bashkohen këtij “batalioni të ri”.

Në parlament, deputeti nga radhët e Agimit të Artë, Ilias Kasidiaris, theksoi se Greqia sot është shndërruar në një depo të mbeturinave, ku e gjithë bota po derdh bërllokun e saj (me ç’rast ju referua migrantëve) dhe shtoi se Greqia gjendet në një “luftë të pakontrolluar”, e cila sipas tij është nxitur nga imigrantët ilegal.

Për të dobësuar forcat ekstreme, qeveria e Greqisë, e kryesuar nga kryeministri konservator, Antonis Samaras, ka filluar zbatimin e një politike më të ashpër ndaj imigrantëve, me ç’rast mbi 1 mijë imigrantë ilegalë janë arrestuar, gjatë bastisjeve që ka ndërmarrë deri me tani policia greke.

Por rezultati i vetëm i këtij aksioni është se qytetarët janë hidhëruar edhe më shumë, më saktësisht qytetarët në ato vende, në të cilat është paraparë të vendosen imigrantët e arrestuar. Në kampet e dëbimit nuk ka më vend, prandaj është paraparë që imigrantët të vendosën edhe nëpër kazerma të ushtrisë dhe në stacione të braktisura të policisë.

Fushëbeteja e re psikike e këtij konflikti është qyteti i Korinthit, ku autoritetet kanë paraparë vendosjen e 1500 deri 2000 imigrantëve të arrestuar në një kazermë të ushtrisë.

Ky plan nuk kundërshtohet vetëm nga Agimi i Artë, por edhe nga kryesia e qytetit, e cila në shenjë proteste ndërpreu furnizimin e kazermës me rrymë dhe ujë.

Situata është mjaft e tendosur: javën e kaluar pati protesta të dhunshme para kazermës, pasi që qytetarët tentuan të parandalojnë vendosjen e disa qindra imigrantëve të parë ilegal në kazermë. Policia u detyrua të përdorë gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Korinthi konsiderohet si qendër e ekstremistëve të djathtë. Tani qyteti është i mbushur përplot me gazetarë, të cilët po kërkojnë qëndrimin e qytetarëve në lidhje me vendosjen e imigrantëve ilegal në qytetin e tyre. Pjesa më e madhe e qytetarëve përkrahin aksionet e ekstremistëve të djathtë.

“Kush më garanton se pakistanezët nuk do të kapërcejnë gardhin, për të dhunuar fëmijët tonë?”, deklaroi një qytetare e Korinthit.

“Mua më është zvogëluar pensioni, me qëllim që me këto para të financohen migrantët”, deklaroi një banor tjetër.

Prefekti i qytetit, Alexandros Pneumatikos, i shkroi një letër ministrit të Brendshëm të Greqisë, Nikos Dendias, në të cilën theksoi se “vendimi i qeverisë për të hapur kamp për imigrantët në Korinth është i papranueshëm” dhe shtoi se “qyteti do të bëjë rezistencë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›