Duro: Xhaxhi, Dinamo si ka bërë ndere vetëm Skënderbeut!
Pas fjalëve të trajnerit blu, që Dinamo nuk do të luajë teatër, Duro thotë se Faruk Sejdini ti kërkojë llogari presidentit për këto
Pak ditë më parë ka qenë trajneri i Dinamos, Faruk Sejdini, që ka deklaruar haptazi në media se skuadra e tij këtë herë nuk do të luajë teatër ndaj Skënderbeut. Këto fjalë kanë dalë nga goja e vetë njëshit të pankinës blu, ndërkohë që komenti nga Korça në lidhje me këto fjalë ka ardhur nga trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, që do të deklaronte:
Sejdinin e kam mik, por për këto fjalë që thotë, ti kërkojë llogari në radhë të parë presidentit dhe jo ti kërkojë në media. Mos harroni se Dinamoja vjet nuk i bëri nder vetëm Skënderbeut, i bëri Flamurtarit dhe shumë ekipeve të tjera, ku nderet duket se kanë qenë të shumta dhe këtë e di edhe Sejdini. Unë kam respektin më të madh për Sejdinin dhe të dielën ne do të shkojmë për të fituar ndaj bluve.
Formacioni Jemi stërvitur shumë mirë gjatë këtyre ditëve dhe të gjitha stërvitjet kanë pasur seriozitet. Ekipi ka punuar mirë dhe mos harroni se vinim pas atij barazimi zhgënjyes që morëm në javën e parë në shtëpi ndaj Tomorit. Objektivi ynë për këtë 90-minutësh të radhës është që ta fitojmë dhe për këtë duhet të përqendrohemi seriozisht, pasi nuk do të jetë aspak e lehtë.
Nuk jam 100% i vendosur për formacionin dhe nuk di çfarë të them më shumë për emrat e lojtarëve që do të jenë në fushën e lojës. Mund të ketë edhe emra futbollistësh që nga formacioni do të ulen në stol, por unë nuk jam në gjendje që ta them një gjë të tillë. Sa për interesimin që ka për dy lojtarët, Kërçiku dhe Ribeiro, dua të shtoj se i pari luajti shumë mirë ndaj Tomorit. Për Ribeiron, dua tu kthej një përgjigje edhe tifozëve korçarë.
Kam qenë unë që brazilianin 6 muajt e fundit të sezonit të kaluar e kam mbajtur te Skënderbeu, pasi dihet që nuk luajti për shkak kartoni. Ribeiro ka ngritje në lojën e tij, por nuk mund të them se është në formën e tij më të mirë. Për mua janë titullarë të gjithë, zgjidhja ime, kjo nuk mund të quhet rotacion, pasi të gjithë janë lojtarë formacioni. Deri të dielën kam kohë për të bërë zgjedhjet e mia, – ka deklaruar Duro.
Shkëmbi: Fitorja me blutë na rikthen besimin
Një ditë më parë, kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, i kërkoi falje gjithë skuadrës dhe drejtuesve të klubit për atë karton të kuq që mori ndaj Tomorit. Skënderbeu nuk do të më ketë në fushën e lojës, por Duro do ta zgjidhë patjetër këtë mungesë timen, pasi ne kemi një organikë të plotë, që do të thotë se nuk ndihet asnjë mungesë, qoftë edhe imja.
Ndaj Dinamos shpresoj të luajmë si në pjesën e dytë ndaj Tomorit dhe unë jam i bindur që këtë ndeshje do ta kalojmë me sukses. Pas 2-3 ndeshjeve të para të sezonit, normale që kampionët do të kthehen shpejt në krye dhe kthesa le të fillojë këtë të diel me Dinamon dhe të vazhdojë më pas me javët e tjera. Skënderbeu me këtë grup nuk do ta diskutojë titullin kampion, – ka thënë Shkëmbi.
Korçarët, 3 milionë për të luajtur me drita
Jo pak, por 3 milionë lekë të vjetra do ti duhet klubit Skënderbeu ti paguajë stadiumit Qemal Stafa për të luajtur me drita. Në fakt, kjo mund të duket paksa e çuditshme, pasi ekipi pritës është Dinamo dhe duhet të ishin blutë ata që duhet të paguanin, por gjendja aspak e mirë financiare e tyre i ka detyruar korçarët që të bëjnë një pagesë të tillë. Kjo pagesë është vetëm për ndriçimin, pasi nëse Skënderbeu nuk do të paguante, atëherë ndeshja do të luhej më herët.
