Niccolo Fabi: Muzika është kthyer në treg fitimesh
Niccolo Fabi, kantautori italian që u bë i njohur më së pari në skenën e Sanremos në vitin 1996, ishte i ftuar special i koncertit që përmbylli turin e “Prolog Giffoni”-t në Tiranë. I shoqëruar nga violinisti Andrea di Cesari, interpretoi tri këngë ‘live’, nën atmosferën e përgatitur më parë nga flamurhedhësit e njohur të Gubbios. Ambasadori italian në Tiranë, Saba d’Elia, themeluesi i “Giffoni”-t në Itali, Claudio Gubitosi, dhe presidenti Carlo Andria, kanë përshëndetur festivalin e fëmijëve dhe të rinjve që u mbyll në Tiranë pas udhëtimit në Sarandë, Pogradec, Durrës dhe Lezhë. Niccolo Fabi tregon për karrierën e tij muzikore dhe eksperiencën shqiptare.
Si ka nisur karriera juaj muzikore?
Kam nisur të studioj pianoforte që kur isha 5-6 vjeç, rreth 35 vite më parë. Jam rritur në një familje muzikantësh dhe ishte normale që të merresha me muzikë. Në moshën 12-vjeçare i kam rënë baterisë me disa grupe muzikore, pastaj basit dhe në të njëjtën kohë nisa të shkruaja tekste këngësh. Vetëm më 1995-n, kur isha 27 vjeç, kam firmosur një kontratë diskografike, publikova diskun e parë dhe muzika m’u kthye në një zanat. Për disa kohë vazhdoja paralelisht universitetin, ku studioja gjuhët neolatine dhe muzikën, por në fund m’u desh të zgjidhja.
Në vitin 1996 publikoni këngën e parë dhe një vit më vonë ju fitoni çmimin e kritikës në Festivalin e Sanremos për kategorinë e të rinjve. Si ishte përballja e parë me publikun?
Ishte paksa i dhunshëm. Kisha 15 vjet që bëja muzikë, por kënga shkoi shumë mirë në Sanremo, vëmendja ishte kthyer nga unë dhe ky ishte një kontrast i fortë me interpretimet që kisha bërë deri atëherë në lokale të ndryshme. Nga ai moment e më pas, rrugëtimi im muzikor nuk ka shkuar duke kërkuar domosdoshmërish kontaktin popullor me publikun. Pjesa muzikore është ajo që më intereson më shumë se pjesa spektakolare.
Ju i shkruani vetë tekstet e këngëve, por edhe tekste për grupe të tjera muzikore. Vjen natyrshëm kjo?
Arsyeja kryesore pse bëj muzikë është se më pëlqen të shkruaj. Eksperienca e kantautorit është tipike; të gjithë janë persona që kanë dëshirë të tregojnë këndvështrime të caktuara përmes këngëve e të lënë dëshmi të vogla. Nuk ka qenë një vendim i imi të shkruaj këngë, erdhi në mënyrë të natyrshme.
Prej disa vitesh jeni pjesë e tregut muzikor. Si do t’i komentonit zhvillimet në Itali, por edhe më gjerë?
Sigurisht që po jetojmë një epokë të re në historinë e muzikës. Për rreth 70-80 vjet ishte epoka e diskut, element i rëndësishëm që nuk kërkonte domosdoshmërish praninë e këngëtarit. Teknologjia e re ka shkuar përtej, disku nuk është më pjesë e tregut dhe kjo ka ndikuar si në shpërndarjen e muzikës, ashtu edhe në përfitimet e kësaj industrie. Ata që investojnë në muzikë, këtu nuk e kam fjalën për muzikantët, kërkojnë rrugë të reja fitimi. Në Itali, por tashmë i kthyer edhe në një trend botëror, është gara muzikore mes të rinjve nëpër televizione. Duke krijuar popullaritet, ata janë gati të bëhen pjesë edhe e tregut muzikor. Gjithçka është e përqendruar në këtë drejtim për momentin, por nuk besoj të jetë gjithnjë kështu.
Festivali i Sanremos, ku ju jeni promovuar së pari, e shihni ende si një arenë për zbulimin e talenteve?
Këto dy vitet e fundit Sanremo është fituar nga këta këngëtarë të rinj që popullarizohen në televizione gjatë pjesës më të madhe të vitit. Sanremo është pak a shumë rrjedhojë e këtyre programeve të fuqishme televizive.
Do të thotë që muzikantët profesionistë janë paksa të persekutuar?
Në drejtim të manifestimit po, por muzikanti profesionist vazhdon të jetë ai që shkon të luajë përreth, ai që di se ç’duhet të bëjë kur ka shi, nëse ka katër apo 500 persona që e ndjekin, ai që nuk ka nevojë për telekamera për të bërë një koncert. Për fat ka ende një publik të madh që gjurmon se ku janë koncertet, në vend të atij që koncertet nuk i quan komode dhe parapëlqen ta dëgjojë muzikën përmes televizionit.
A shkon muzika juaj përtej kufijve të Italisë?
Përderisa jam një kantautor që këndon italisht, kjo muzikë fatkeqësisht është më pak e eksportuar. Në fakt do të ishte interesante, sepse mund të jenë fjalët italiane, por jo muzika.
Albumi juaj i fundit ka dalë vitin që shkoi. Keni të tjera projekte?
Po bëjmë shumë koncerte dhe besoj se do ta përfundojmë duke regjistruar një disk ‘dal vivo’. Ky është dallimi më i madh i atij që bën muzikë dhe atij që bën televizion.
Do të ktheheshit sërish në Shqipëri?
Rreth tetë vjet më parë kam qenë i pranishëm në një ndeshje bamirësie futbolli mes artistëve italianë dhe shqiptarë, këtë radhë isha i ftuar në kuadrin e “Giffoni Albania” dhe shpresoj që të jem pjesë e një projekti muzikor shqiptar, ku të kemi mundësi të shkëmbejmë eksperiencat.
#